Kur Reagan bënte shaka me zarar në radio për Rusinë: Për 5 minuta nisim bombardimin

Kur Reagan bënte shaka me zarar në radio për Rusinë: Për 5 minuta nisim bombardimin

16:09, 09/03/2022
A+ Aa A-

Më 11 gusht 1984, Presidenti i SHBA Ronald Reagan bëri një shaka me spec që shkaktoi shumë polemika teksa provonte mikrofonin para një fjalimi në radio.

‘Amerikanët e mi, kam kënaqësinë t’ju njoftoj sot se kam firmosur legjislacionin që do ta nxjerrë jashtë ligjit Rusinë njëherë e mirë. Nisim bombardimet për pesë minuta’, tha Reagan.

Ndonëse gazetarët e pranishëm dhe bashkëpunëtorët e tij qeshën me shakanë e qartë, humori ishte acarues për liderët opozitarë demokratë dhe ata që trembeshin nga linja e ashpër kundër Bashkimit Sovjetik që Reagan kishte shfaqur që kur hyri në Shtëpinë e Bardhë, më 1981.

Të tjerët e konsideruan shakanë si pa kripë në një moment tensionesh të lartë midis SHBA dhe Bashkimit Sovjetik.

Retorika e ashpër anti-komuniste e Reaganit dhe politika e tij për rritjen e shpenzimeve amerikane për mbrojtjen ishin në kontrast me politikat e mëparshme karshi Bashkimit Sovjetik ndjekur nga presidentët Nixon, Ford e Carter, të cilët u përpoqën të kultivonin marrëdhënie të përmirësuara me sovjetikët, duke ofruar shkëmbime kulturore e teknologjike.

Në retrospektivë, shumë analistë e shohin politikën e ashpër të Reaganit si përgjegjëse për reagimin e trembur rus, duke u futur në shpenzime të tjera për ushtrinë për të mbajtur hapin me shpenzimet ushtarake të Amerikës-një fakt që çoi në kolapsin e ekonomisë sovjetike dhe, më tej, në kolapsin e sistemit komunist në vend.

Ndonëse Reagan, ish-aktor, ishte i njohur për batutat e zgjuara, shakaja për bombardimin e Rusisë u konsiderua nga shumë si një gafë e sikletshme politike-jo e para e karrierës së tij.

Më 1969, kur ishte Guvernator i Kalifornisë, Reagan iu përgjigj studentëve protestues në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley duke thënë ‘nëse duhet të ketë banjë gjaku, atëherë le ta bëjmë e t’i japim fund’. Një tjetër koment i mprehtë ka qenë edhe krahasimi i politikës me prostitucionin: ‘Thonë se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Po nis të mendoj se i ngjan të parit’; apo më 1980, gjatë fushatës elektorale: ‘Recesion është kur fqinji yt humb vendin e punës. Depresion është kur ti humb vendin tënd të punës. Rimëkëmbje është kur (presidenti) Jimmy Carter humb të tijin’.

Edhe pas atentatit në mars 1981, Reagan nuk e humbi sensin e humorit. Gjëja e parë që i tha gruas, Nancy, kur ajo mbërriti në spitalin ku ai u operua për të hequr plumbat, ishte ‘zemër, harrova të përkulesha’.

Megjithëse nuk dihet se çfarë menduan liderët sovjetikë për shakanë me bomba, komenti pati një farë ndikimi fillimisht në opinionin publik amerikan për Reaganin.

Shkalla e miratimit për të pësoi pak rënie, duke forcuar shpresat për fitore të kandidatit demokrat Walter Mondale.

Reagan e mori veten dhe fitoi kundër Mondale, duke nisur mandatin e dytë më 1985.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco