Nëna e ushtarit rus: 'Ku të trokas për ta kthyer fëmijën tim?' Funerali në Moskë javën e kaluar për një rreshter rus të vrarë në Ukrainë

Nëna e ushtarit rus: 'Ku të trokas për ta kthyer fëmijën tim?'

10:11, 09/03/2022
A+ Aa A-

Presidenti Putin u është drejtuar drejtpërdrejt nënave të ushtarëve që shërbejnë në Ukrainë, duke u thënë atyre: "Unë e di se sa të shqetësuara jeni" dhe është përpjekur t'i qetësojë ato. Por disa nëna, gjyshe, motra dhe të dashura i kanë thënë BBC-së se janë në ankth e dëshpërim për njerëzit e dashur në ushtri - të rinjtë që duket se nuk e kishin idenë se çfarë po dërgoheshin të bënin. Të gjithë emrat janë ndryshuar nga BBC.

Kur Marina nuk kishte më shumë se prej një jave lajme për nipin e saj, filloi të bënte telefonata. Në mesazhin e tij të fundit për të, ai i tha se ishte në kufirin Bjellorusi - Ukrainë dhe së shpejti do të kthehej në shtëpi. Por pa asnjë lajm që atëherë, ajo ka frikë nga më e keqja.

"Unë telefonova njësinë e tij ushtarake, ata thanë se ai nuk ishte larguar nga Rusia. "I thashë -a po bëni shaka? Ai më kontaktoi nga Bjellorusia. Nuk e dini se ku shkojnë ushtarët tuaj?!" E mbyllën telefonin dhe nuk më folën më”.

Nipi i Marinës, Nikita, ishte fillimisht një rekrut. Burrat në Rusi të moshës 18-27 vjeç, pa përjashtim – nëse janë studentë apo janë me fëmijë të vegjël -  thirren në ushtri për një vit.

Por Marina thotë se në ditët e para të shërbimit të Nikitës, përfaqësues të njësive ushtarake mbërritën në rajonin e tyre, me shpresën për të marrë rekrutët për t'i bërë ushtarë me kontratë në mënyrë që të zgjasin shërbimin e tyre ushtarak dhe të fitonin një rrogë. Ata me kontratë përbëjnë pjesën më të madhe të personelit të ri të shërbimit të Rusisë.

Ata “e bindën atë”... “I thane se mund të dalësh para kohe, do të kesh një rrogë të qëndrueshme, do të mësosh të ngasësh makinën”.

Nikita u bë shofer në një divizion të mekanizuar të këmbësorisë, por të ardhurat e tij nuk sollën ndonjë standard të rehatshëm jetese. Paga e tij mujore prej 18,000 rublash - 240 dollarësh para rënies së rublës - ishte e mjaftueshme për të përballuar jetën në fshat në Rusi. Dhe, i tha gjyshes së tij, se nga ajo rrogë pritej të paguante dhe uniformën dhe benzinën.

Ai kishte fjetje falas në kazerma, por nuk mund t’i duronte kushtet në ngrirje - nuk kishte ngrohje as ujë të ngrohtë - kështu që duhej të paguante edhe qiranë, thotë ajo.

Është e vështirë të përcaktohet se sa e zakonshme është ajo që përjetoi Nikita, por shumë kompani ruse që ndihmojnë të rinjtë thonë se ushtria nuk shihet si një perspektivë tërheqëse.

Në mes të shkurtit, Nikita i tha gjyshes së tij se po shkonte në kufirin Bjellorusi - Ukrainë "për ta ruajtur atë". Ai gjithashtu i tha asaj se kishte dëgjuar se së shpejti do të ktheheshin në shtëpi. Nuk ka pasur më asnjë fjalë prej tij që kur i dërgoi asaj mesazh për herë të fundit më 23 shkurt – në një ditë pushimi në Rusi – ku thoshte se ishte në një koncert.

Ajo është e sigurt se nipi i saj as që e kishte idenë se ai do të dërgohej në luftime në Ukrainë. "Ai tha “janë stërvitje e stërvitje dhe pastaj do të shkojmë në shtëpi'," një frazë e përsëritur nga shumë të afërm të ushtarëve rusë me të cilët folëm.

Image

Stërvitja në Bjellorusi para pushtimit

Një grua tjetër, Galina, thotë se e kuptoi se djali i saj Nikolai ishte në Ukrainë vetëm kur motra e saj zbuloi foton e tij të kapur rob në faqen e Facebook të Shefit të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Gjatë një konference në Pentagon në SHBA të premten u mësua se një numër i konsiderueshëm i burrave që luftojnë në Ukrainë, janë rekrutë, arsyeja kjo që nuk kanë përvojë dhe vetëdije për atë që pritej të bënin.

Por duket se besimi i burrave - se ata thjesht ishin në stërvitje në vend që të dërgoheshin në luftime - nuk ishte njesoj për rekrutët. 

 Ashtu si nipi i Marinës, Nikita - dhe shumë nga burrat e tjerë me të afërmit e të cilëve folëm - djali i Galinës, Nikolai, filloi si rekrut, por tani ishte një ushtar me kontratë. Galina thotë se e kishte dëgjuar për herë të fundit zërin e Nikolait një ditë para se motra e saj të shihte foton e tij, kur ai i tha asaj se njësia e tij ishte afër kufirit me Ukrainën.

"Nuk di çfarë të bëj. Mediat heshtin për faktin se djemtë tanë u kapën. Ose nuk e dinë".

E dashura e Nikolait thotë se ai u bë ushtar me kontratë dhjetorin e kaluar për "familjen e tij të ardhshme", pavarësisht përpjekjeve të saj për të mos e lejuar atë. Nëna e tij shton se nuk ka mundësi të tjera për të fituar para më mirë në vend.

"Fëmija im nuk shkoi në Ukrainë me vullnetin e tij të lirë, komandanti i përgjithshëm e dërgoi atje," thotë ajo. “Të jem i sinqertë, nuk e kuptoj se për çfarë është e gjitha,” thotë ajo. “Në vendin tonë disa njerëz nuk kanë çfarë të hanë, unë s’e kuptoj luftën dhe asnjë veprim ushtarak".

"Në derën e kujt duhet të trokas për ta kthyer, fëmijën tim?"

Këtë ndjenjë pafuqie e ndan edhe një nënë tjetër me të cilën foli BBC, djali i së cilës punonte gjithashtu si ushtar me kontratë dhe u dërgua në "stërvitje".

“Nëse do ta dija se ku është ai tani, do të isha nisur  vetë dhe do të shkoja te këta njerëz dhe do t'i lutesha të kishin mëshirë”, thotë ajo.

Historikisht, nënat e ushtarëve në Rusi kanë qenë të hapura për mënyrën se si ushtria është vendosur dhe trajtuar, dhe kanë nxitur që autoritetet të jenë më të hapura për shifrat e viktimave.

Ata luajtën një rol veçanërisht të rëndësishëm në agjitacionin kundër të dyja luftërave të Rusisë në Çeçeni, duke zhvilluar një fushatë që u publikua gjerësisht.

Image

Nënat e ushtarëve të dislokuar në Çeçeni zhvilluan një fushatë të fuqishme për të kthyer djemtë e tyre në atdhe.
 

Por një ligj i ri i miratuar në Rusi javën e kaluar kërcënon këdo që shihet se po përhap ato që qeveria i konsideron "mashtrime" në lidhje me veprimet ushtarake në Ukrainë, me 15 vjet burg.

Populli rus ka qenë gjithashtu i ekspozuar ndaj propagandës së fuqishme anti-ukrainase nga mediat shtetërore ruse.

Motra e një burri që ajo beson se është zhdukur në Ukrainë tha se ajo mendonte se duhet të kishte një arsye të mirë për pushtimin.

"Dhe tani ne jemi thirrur për mitingje. Mua më duket sikur ata [Ukraina] e kanë shkatërruar vendin e tyre [vet] dhe tani duan që të shkatërrojnë një tjetër."

Ukraina është përpjekur ta kundërshtojë atë propagandë me një fushatë të fuqishme të sajën.

Një linjë telefonike ndihmëse e quajtur "Kërkoni për të afërmin tuaj" (Ishchi Svoikh në rusisht) u reklamua për herë të parë në ditën e tretë të asaj që Rusia po e përshkruante si një "operacion special ushtarak për çmilitarizimin dhe çrrënjosjen e “nazizmit" të vendit.

Një kanal në Telegram publikon fotografi të të të burgosurve rusë dhe viktimave ruse dhe inkurajon të afërmit e shqetësuar të kontaktojnë.

 Ëashington Post ka theksuar se ka krijuar shqetësim, publikimi i këtyre fotove.

"Ky është gjesti ynë i vullnetit të mirë për nënat ruse," tha këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych.

Një fletushka e mbërthyer në faqen e Facebook-ut të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës shkon edhe më tej, duke u bërë thirrje direkte nënave ruse që të vijnë dhe të marrin djemtë e tyre dhe jep udhëzime specifike se çfarë të bëjnë.

“Ne, populli ukrainas, në ndryshim nga fashistët e Putinit, nuk bëjmë luftë me nënat dhe djemtë e tyre të kapur,” thuhet aty.

Pavarësisht këtyre thirrjeve, të gjithë të afërmit me të cilët folëm nuk kishin asnjë pikëpamje mbi legjitimitetin e veprimit të Rusisë në Ukrainë dhe as e mbështetën atë.

Por shkëmbimi i teksteve të një gruaje me të fejuarin e saj ushtar - të cilin ajo ia tregoi BBC-së - nënkuptonte në rastin e tij, ai nuk e pranonte retorikën ruse se ata po hynin në Ukrainë për të "çliruar" popullatën.

Në të, ai i thotë të fejuarës së tij se po shkon në "një turne nëpër disa shtete" - ndoshta duke iu referuar aleatit dhe fqinjit të Rusisë, Bjellorusisë - përpara se t’i thotë se do të "mbrojë të pambrojturit, LOL".

Kur ajo e pyet "A po bën shaka?" ai thjesht përgjigjet: "Jo. Jam duke shkuar në luftë".

Rusia më në fund publikoi shifrat e numrit të vdekjeve për luftëtarët e saj të pushtimit, javën e kaluar, duke thënë se deri më 3 mars,  498 trupa ruse ishin vrarë dhe 1,597 të tjerë ishin plagosur.

Por Ukraina thotë se më shumë se 11,000 ushtarakë rusë janë vrarë, shifër kjo që nuk mund të verifikohet. /ar.sh/SYRI.NET

LEXO EDHE: 'Më falni, keni ndonjë informacion për vëllanë tim?' - Familjet ruse telefonojnë me dëshpërim në linjën ukrainase

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco