VIDEO/ Ukraina po bën ‘namin’ në ajër: A do ofrojë SHBA avionë për Kievin?

12:53, 06/03/2022
A+ Aa A-

SHBA po shqyrton mundësinë që të dërgojë avionë luftarakë amerikanë në Poloni për të zëvendësuar avionët sovjetikë MIG. Sipas Fox News, Polonia do i dërgojë avionët MIG në Ukrainë.

Por SHBA po heziton pasi druhet se dërgimi i këtyre avionëve mund të shihet si një përshkallëzim i situatës.

Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë amerikanë në fushën e mbrojtjes thonë se Ukraina nuk i ka lejuar Rusisë që të vendosë dominimin në ajër. Madje Kievi po tregohet shumë i suksesshëm në betejën në ajër, duke rrëzuar të paktën 88 mjete fluturuese.

Vetëm një ditë më parë u rrëzuan plot tetë mjete fluturuese ruse, mes tyre helikopterë dhe avionë.

Pamjet e rrëzimit të një helikopteri rus nga forcat ukrainase u bënë virale.

Ekspertët kishin menduar se Vladimir Putini do e vendoste dominimin në ajër që ditën e parë të luftës.

Por 11 ditë më vonë, situata është në favor të Ukrainës, e cila jo vetëm ka ruajtur mjetet e saj ajrore, por edhe ka rrëzuar shumë avionë dhe helikopterë rusë falë raketahedhësve të lëvizshëm. Në incidentin që u bë viral, ukrainasit mendohet se e rrëzuan helikopterin rus me një Piorun PPZR polak.

Pafuqia ruse në ajër është një nga arsyet se përse autokolona ruse prej 64 kilometrash ka ngecur. Nga ana tjetër, ky dështim i Putinit në ajër ka bërë që forcat ruse të bazohen më shumë te artileria për të bombarduar infrastrukturën civile. Kjo ka sjellë më shumë humbje jetësh të pafajshme për shkak se artileria është më pak precize se sulmet ajrore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco