Ankthi i nënës në qytetin e pushtuar nga Rusia, këshillon vajzën se si të shpëtojë nëse shpërthen diçka

Ankthi i nënës në qytetin e pushtuar nga Rusia, këshillon vajzën se si të shpëtojë nëse shpërthen diçka

10:07, 06/03/2022
A+ Aa A-

Një nënë e tre fëmijëve që kërkon strehim në shtëpinë e gjyshes së saj në qytetin e Khersonit të pushtuar nga Rusia në jug të Ukrainës, thotë për CNN se nuk u ka mbetur shumë për sa i përket ushqimit apo furnizimeve mjekësore.

Ajo kurrë nuk e kishte menduar se do t’i mësonte fëmijët e saj të vegjël se si të fshiheshin nga bombat, tha ajo.

 “Ne po ndihemi të izoluar nga pjesa tjetër e Ukrainës tani”, tha Oleksandra Zhovtyuk, duke shtuar se nuk dalin jashtë sepse ushtarët rusë nuk do t’i lejojnë që të kalojnë ose të dalin nga qyteti.

Fëmija më i madh i Zhovtyuk është 7 vjeç dhe tashmë e kupton se çfarë po ndodh. “Ajo zgjohet natën, qan dhe më pyet se kur do të përfundojë”, tha ajo.

“Fëmija im i mesëm, ajo nuk kupton dhe mendon se është një lojë. Në fakt, unë me të vërtetë dua që ajo të mendojë se është një lojë – që ne duhet të luajmë sipas rregullave”.

Zhovtyuk shqetësohet se çfarë po i bën lufta djalit 18-muajsh të saj. “Me gjithë këtë atmosferë, ai duket shumë keq gjatë natës, qan dhe dëshiron të jetë me mua gjatë gjithë kohës, sepse e ndjen se diçka po ndodh”, tha ajo.

Duke folur nga streha e saj, Zhovtyuk tha se i thotë fëmijës së saj më të madh se “ne duhet të jemi të fortë tani, duhet të jemi bashkë tani dhe ajo duhet të më dëgjojë mua”.

Fëmijët flenë në korridor pasi është pjesa më e sigurt e shtëpisë kur fillojnë bombardimet, tha ajo.

“I thashë, nëse diçka do të shpërthejë, ajo duhet ta mbajë motrën e saj dhe të mos vrapojë tek unë. Gjëja e frikshme është se ajo është 7 vjeç, dhe unë nuk e kisha menduar kurrë se do t’i thoja fëmijës tim të mos vrapojë tek unë, por të rrijë me motrën e saj. Nuk di çfarë të them. Është shumë e frikshme”, tha Zhovtyuk.

Kherson, një qytet port kyç në hyrje të Detit të Zi u pushtua nga forcat ruse në orët e para të së mërkurës, pas ditëve të tëra bombardimesh dhe granatimesh të rënda. Kryetari i qytetit, Ihor Kolykhaiev, tha të shtunën se 300,000 banorët nuk kanë më armë për t’i rezistuar trupave ruse, duke shtuar se qyteti është pa energji elektrike e ujë dhe në nevojë të dëshpëruar për ndihmë humanitare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco