VIDEO/ Robërit rusë me lot në sy: Na çuan mish për top, po vrasim njerëz paqësorë

VIDEO/ Robërit rusë me lot në sy: Na çuan mish për top, po vrasim njerëz paqësorë

13:05, 02/03/2022
A+ Aa A-

Ushtarë rusë të kapur rob nga ukrainasit thanë me lotë në sy se nuk e kishin idenë që i kishin dërguar në luftë “të sulmonin njerëz që mbronin territorin e tyre”.

Ushtarët, të cilët flasin në videon e postuar në faqen në Facebook të shërbimeve të sigurisë ukrainase, thanë se “na çuan mish për top” dhe se “po vrasim njerëz paqësorë”.

“Kjo nuk është lufta jonë. Nëna e gra, mblidhni burrat. Nuk ka pse të jemi këtu”, tha një ushtar i plagosur teksa filmohej me një flamur ukrainas në sfond.

Një video tjetër tregon një ushtar të prangosur që qan para vdekjes dhe shkatërrimit të sjellë nga lufta, duke thënë: “Nuk po mbledhin as kufomat, nuk ka funerale”.

Të paktën një nga ushtarët i bëri thirrje Kievit e Moskës të evakuojnë fëmijët nga zona e luftës, ndërsa një tjetër u shpreh se “askush nuk e do luftën”.

Kjo vjen pasi një ushtar rus thuhet se i dërgoi mesazh nënën së tij: “Tani dua vetëm të vras veten”, gjashtë ditë pas Moska urdhëroi forcat të hynin në Ukrainë.

Ushtarë të kapur rob thanë se ishin detyruar të sulmonin “rezidentët” në Ukrainë të cilët “thjesht po mbronin territorin e tyre”.

“Askush nuk na ka sulmuar dhe nuk e kuptoj se çfarë kërkon Rusia nga lufta. Mami, babi, ju dua”.

Ndërkaq, një rob i prangosur shpërtheu në lotë dhe shihet tek fshin sytë pasi një zë femre i thotë “të dua” në telefon.

Ushtari i ri derdhi lotë edhe për të vrarët në betejë, sepse “ata nuk kanë pasur funeral”.

“Kufomat nuk i prek dot me dorë se ndryshe FSB (shërbimi federal rus i sigurisë) të arreston”, tha ai.

Një tjetër ushtar, i plagosur gjatë luftimeve, kishte flamurin ukrainas në sfond teksa fliste para kameras. Ai përsëriti deklaratën se trupat nuk e dinin që do të sulmonin Ukrainën dhe i bëri thirrje Moskës t’i jepte fund konfliktit.

“Po vrasim njerëz paqësorë”, tha. “Kjo nuk është lufta jonë. Nëna e gra, mblidhini burrat. Nuk ka pse të jemi këtu”.

Një video tjetër e postuar në Telegram tregon ushtarë që thonë se ishin demoralizuar kur kishin kuptuar se po dërgoheshin të luftonin në Ukrainë.

“Na thanë se do të deklaroheshim armiq të vendit dhe, meqenëse jemi në kohë lufte, mund edhe të na vrisnin po të refuzonim. Na çuan si mish për top”.

Ai deklaroi edhe se ushtarët rusë “të paktën në njësinë tonë, nuk e duan këtë luftë. Duam të shkojmë në shtëpi, duam paqe”.

Regjistrime të siguruara nga kompania britanike e inteligjencës ShadowBreak zbulojnë ushtarë rusë që tërhiqen pasi u ka vajtur në majë të hundës me luftën, duke treguar që forcat e Moskës janë në konfuzion total.

Në një nga bisedat e përgjuara, dëgjuar nga The Telegraph, një ushtar duket sikur po qan.

Në një tjetër, një ushtar acarohet duke pyetur se kur do të mbërrijë ushqimi apo karburanti. Ai thotë: “Kemi tri ditë që jemi këtu! Kur dreqin do të jetë gati?”

Një mesazh i tretë i shqyrtuar nga ShadowBreak zbulon replika të tensionuara në të cilat i njëjti ushtar i kujton një kolegu që flet nga një qendër komande se nuk mund të përdorin artilerinë në një zonë deri sa civilët – që cilësohen si “të mirët” – të jenë larguar.

Themeluesi i ShadowBreak, Samuel Cardillo, 26 vjeç, tha për The Telegraph se mesazhet i ishin dërguar nga amatorë që dëgjonin me antena.

Ai tha: “Kemi vënë re që operativët rusë po operojnë në konfuzion total. Nuk e kanë idenë se ku po shkojnë dhe si të komunikojnë me njëri tjetrin”.

“Kishte momente që i dëgjonim (ushtarët rusë) të qanin në luftim, momente kur ofendonin njëri-tjetrin, dukshëm jo një shenjë morali të lartë”.

Cardillo shtoi se disa nga mesazhet janë edhe provë për krime lufte, pasi zbulojnë urdhra për goditje me raketa në zona urbane.

Ka rreth 24 orë materiale të siguruara nga ShadowBreak që nga fillimi i agresionit.

Në një tjetër shenjë morali të ulët, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikan tha për New York Times të martën se disa trupa kanë shpuar me qëllim vrima në serbatorët e tankeve me shpresën e shmangies së luftimeve.

Pjesë të ushtrisë ruse ende përdorin radiomarrëset dy-drejtimëshe, duke e bërë të mundshëm interceptimin.

Forcat ukrainase kanë bërë të ditur se nuk kanë pasur probleme me zhurmimin e komunikimit të rusëve dhe ndërhyrjen me tingujt e himnit kombëtar ukrainas.

Komunikimet tregojnë se ushtarëve iu kishin thënë se do të hasnin vetëm pak rezistencë gjatë hyrjes në Ukrainë.

Përkundrazi, forcat ukrainase tani janë në ditën e shtatë të rezistencë përball sulmit rus dhe video të shumta tregojnë civilë që konfrontohen me trupat dhe autokolonat pushtuese.

Shumë trupa ruse deklarojnë se besonin se do të bënin manovra stërvitore ushtarake në rajonet e kufirit dhe nuk e dinin që po dërgoheshin të pushtonin Ukrainën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco