Ylli i Hollivudit Sean Penn i bashkohet eksodit të ukrainasve drejt Polonisë më këmbë Foto e nëntorit 2021: Sean Penn me xhaketë dhe helmetë kur vizitoi trupat ukrainase në rajonin e Donetsk

Ylli i Hollivudit Sean Penn i bashkohet eksodit të ukrainasve drejt Polonisë më këmbë

09:43, 02/03/2022
A+ Aa A-

Disa ditë pasi vizitoi kryeqytetin ukrainas, Kievin, për të filmuar dokumentarin e tij mbi pushtimin e Rusisë, aktori dhe regjisori hollivudian Sean Penn e gjeti veten mes mijëra refugjatëve që ikën në Poloni, duke iu bashkuar eksodit të tyre më këmbë.

Aktori 61-vjeçar Penn postoi një foto në Twitter të hënën, ku tregohej ylli i kinemasë me një çantë shpine dhe duke tërhequr një valixhe me rrota ndërsa ai vraponte përgjatë një rruge pranë një vargu makinash në distancë.

"Unë dhe dy kolegë të mi ecëm me milje të tëra deri në kufirin polak pasi e lamë makinën tonë në anë të rrugës," tha Penn në një mbishkrim mbi foton e postuar në Twitter më 1 mars. "Pothuajse të gjitha makinat në këtë foto mbajnë vetëm gra dhe fëmijë, shumica pa asnjë bagazh dhe makina është e vetmja pronë e tyre me vlerë."

Ai nuk shpjegoi pse bashkë me kolegët u detyruan të braktisnin automjetin e tyre.

Një zëdhënëse në Los Anxhelos, Mara Buxbaum, i tha Reuters me email të martën se Penn "kishte dalë nga Ukraina në mënyrë të sigurt". Ajo nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve të tjera në lidhje me vendndodhjen e tij ose rrethanat e largimit të tij nga Ukraina.

Penn ishte në Kiev të enjten e kaluar për të marrë pjesë në një konferencë shtypi në zyrën e Presidentit Volodymyr Zelenskiy në ditën e parë të pushtimit rus, duke regjistruar pamjet për një dokumentar që tregon krizën, siç njoftoi zyra e Zelenskiy në një deklaratë në atë kohë.

"Sean Penn është ndër ata që mbështesin Ukrainën sot në Ukrainë. Vendi ynë i është mirënjohës atij për një shfaqje të tillë guximi dhe ndershmërie", thuhet në deklaratë. Aty thuhej se Penn kishte intervistuar figura politike dhe ushtarake ukrainase, si dhe gazetarë në kuadrin e dokumentarit të tij, për të cilin ai fillimisht vizitoi Ukrainën në nëntor.

Në një deklaratë javën e kaluar, aktori i vlerësuar për rolet fituese të Oskarit në "Mystic River" dhe "Milk" vlerësoi popullin ukrainas si "simbol historik i guximit" dhe e quajti Ukrainën "maja e shtizës për përqafimin demokratik të ëndrrave". " “Nëse e lejojmë të luftojë vetëm, shpirti ynë si Amerikë do të humbasë”, shkroi Penn.

Penn, titujt regjisorial të të cilit përfshijnë  filma të famshëm si "Into the Ëild" dhe "The Crossing Guard", është gjithashtu i njohur për aktivizmin e tij politik dhe përfshirjen në kauza të ndryshme humanitare, përfshirë përpjekjet për ndihma për viktimat e uraganit Katrina, të tërmetit të Haitit të vitit 2010 dhe të përmbytjeve në Pakistan në 2012.

Ai bëri bujë në vitin 2016 kur revista Rolling Stone publikoi një intervistë që Penn kishte bërë fshehurazi me bosin meksikan të drogës Joaquin "El Chapo" Guzman në strehën e tij në xhungël përpara arrestimit të bosit të kartelit.

Penn po prodhon dokumentarin e Ukrainës për “Vice Studios”- një kompani amerikano-kanadeze e mediave dhe transmetimeve dixhitale, sipas revistës së Hollivudit “Variety”.

LEXO EDHE: Sean Penn shkon në mes të luftës në Ukrainë për të xhiruar dokumentar mbi pushtimin rus

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco