Nis dita e gjashtë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia: zhvillimet orë pas ore

Nis dita e gjashtë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia: zhvillimet orë pas ore

07:41, 01/03/2022
A+ Aa A-

Ora 7:28. Në Kiev tani ora është 8:28. 

Zhvillimet e fundit: Mastercard ka thënë se ka bllokuar transaksionet nga Rusia si rezultat i sanksioneve që i janë vënë këtij shteti pas pushtimit të Ukrainës.

Ky lajm vjen teksa Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë thënë se do të marrin veprime kundër Rusisë duke ua pamundësuar bankave ruse pagesat në sistemin Swift dhe do ta pengojnë qasjen e bankës qendrore ruse në rezervat e huaja, ashtu që ta vërejë barrën e sanksioneve, njofton Radio Evropa e Lirë.

Ora 7:09 Të paktën 70 ushtarë ukrainas të vdekur në Okehtirka

Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se të paktën 70 ushtarë janë vrarë në sulmet ajrore të Rusisë në bazat ukrainas të Ukrainës të dielën.

Sulmi është kryer në Okehtirka të rajonit Sumi, i cili aktualisht është nën rrethim nga forcat ruse.

Të hënën, ekipet e emergjencës kanë tentuar të gjejnë ndonjë të mbijetuar nën rrënoja.

Parlamenti ukrainas ka nderuar ushtarët në një postim në Twitter.

“Lavdi e përjetshme për heronjtë e Ukrainës”.

7:01 -  Në Kiev ora është 08:01.

Analistët e luftës në Institutin për Studime të Luftës - me bazë në Shtetet e Bashkuara - kanë publikuar të dhënat e fundit për luftën në Ukrainë.

Në ditën e gjashtë, analistët kanë thënë se vërehet një qetësi e lehtë teksa Rusia riorganizon fushatën kundër mbrojtjes ukrainase, e cila duket se ka qenë më e fuqishme sesa që ka pritur Moska.

Ata i kanë parë kështu disa nga luftimert në qytetet më të mëdha:

Kiev: Mbrojtja ukrainase ka qenë e fuqishme deri më tani. Aktualisht, aktiviteti rus është i kufizuar meqë forcat janë në pritje të përforcimeve. Analistët besojnë se ato do të rikthejnë sulmet me fuqi më të madhe në orët në vijim.

Harkiv: Sulmet ruse janë shtuar në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës në 48 orët e fundit. Forcat ruse janë duke përdorur raketa dhe armë tjera në këtë qytet. Si rezultat është raportuar për viktima civile dhe dëme të pronave. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se dhjetëra persona kanë vdekur në atë qytet.

Ukraina jugore: Përparimi rus është ngadalësuar në ditët e fundit, në krahasim me ditët e para, kanë thënë analistët. Arsye mund të jetë që Rusia është koncentruar që të nisë sulme “vendimtare” në qytetet si Mariupol në lindje apo edhe në Zaporizhia.

6:07 Kina fillon evakuimin e qytetarëve nga Ukraina

Kina ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga Ukraina, raportoi media shtetërore të martën.

Rreth 600 studentë kinezë u evakuuan të hënën nga Kievi dhe qyteti Odessa, raportoi gazeta shtetërore, Global Times, duke cituar ambasadën kineze në kryeqytetin ukrainas.

Kina ka thënë se rreth 6,000 qytetarë të saj janë të vendosur në Ukrainë për punë dhe studime.

Ambasada e saj në Kiev fillimisht u kërkoi atyre që planifikonin të largoheshin ta vendosin qartë një flamur kinez në automjetet e tyre.

5:33 Autokolona ruse e drejtuar për në Kiev është 64 kilometra i gjatë

Një kolonë me automjete ushtarake ruse e drejtuar për në Kiev vlerësohet të jetë 64 kilometra e gjatë, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN të martën herët duke cituar imazhe satelitore.

Karvani i tankeve dhe automjeteve të tjera ushtarake është edhe më i gjatë se sa mendohej më parë.

Ai shtrihet nga Aeroporti Hostomel në Kievin veriperëndimor deri në fshatin Prybirsk, i cili ndodhet midis Kievit dhe Çernobilit.

Ndërkohë, porti jugor ukrainas i Mariupolit është përsëri nën kontrollin ukrainas, tha më 1 mars shërbimi shtetëror i informacionit të vendit.


4:35- Vazhdojnë sulmet në Harkiv dhe Kiev të Ukrainës

Sulmet ruse në qytetin Harkiv të Ukrainës dhe kryeqytetin Kiev vazhduan gjatë natës së 28 shkurtit dhe mëngjesit të 1 marsit.

Në Harkiv, ushtria ruse ka hedhur në erë nënstacione, tha kryebashkiaku i qytetit, Ihor Terekhov.

Sulmet thuhet se po shkaktonin probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë.


3:35- Lufta në Ukrainë hyn në ditën e gjashtë.

Me bombardime e viktima, lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e gjashtë që kur filloi më 24 shkurt.

Zhvillimet kryesore të orëve të fundit kanë qenë këto:

Sirenat janë dëgjuar sërish në Kiev dhe banorët janë strehuar në ambiente nëntokësore si garazhe apo metro, pas raportimeve për sulme të reja ruse në afërsi të kryeqytetit ukrainas.

Dymbëdhjetë anëtarë të misionit diplomatik rus në Kombet e Bashkuara kanë marrë kërkesë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara deri më 7 mars, për shkak të përfshirjes në aktivitete jodiplomatike.

Bashkimi Evropian ka prezantuar sanksione të reja kundër figurave dhe kompanive më të fuqishme të Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, kërkoi një ndalim global të avionëve dhe anijeve ruse si ndëshkim për sulmin ndaj vendit të tij.

Meta, kompania amë e Facebook-ut, ka thënë se do të kufizojë qasjen në mediat shtetërore ruse, RT dhe Sputnik në platformën e saj në Bashkimin Evropian.

Pajisjet për shërbimin satelitor të internetit të Elon Musk, Starlink, kanë mbërritur në Ukrainë pasi një nga ministrat e saj i bëri thirrje personalisht miliarderit që t’i ndihmojë përballë pushtimit rus.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, i ka ofruar vendit të tij më shumë mbështetje në formën e sanksioneve dhe armëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco