A është Vladimir Putini aty ku dikur fshihej Stalini?

A është Vladimir Putini aty ku dikur fshihej Stalini?

13:01, 28/02/2022
A+ Aa A-

Teksa lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e pestë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po e kontrollon narrativën, duke u kthyer në një hero.

Po ku është presidenti rus, Vladimir Putin?

Thashethemet për të janë nga më të çmendurat. Sipas gazetës gjermane, BILD, ai mund të jetë duke u fshehur aty ku fshihej dikur edhe Stalini.

Sipas shërbimit sekret ukrainas dhe qarqeve të qeverisë gjermane, despoti rus thuhet se e ka fshehur veten në një bunker në Urale. Më tej thuhet se ai nuk do të lejonte që miqtë e tij oligarkë të largoheshin nga vendi. Ai madje u hoqi avionët privatë, shkruan Bild.

Në fakt, presidenca ruse publikoi dje foto të Putinit në Qendrën Kombëtare të Hapësirës.

Por ajo që bie në sy është kontrasti me presidentin ukrainas, i cili shihet në terren në ballë të luftës, kurse Putin është më i fshehur, shkruan Fox News. 44-vjeçari ukrainas ka thyer çdo pritshmëri sidomos kur deklaroi të shtunën: “Beteja është këtu, kam nevojë për municione, jo për një xhiro me makinë”.

Rebekah Koffler, ish-zyrtare e inteligjencës amerikane thotë se ukrainasit po e shohin si lider të luftës, që nuk ka frikë dhe që qëndron me popullin e tij, duke rrezikuar edhe jetën. Kurse Dan Hoffman, ish-shefi i CIA-s në Moskë, thotë se ai po angazhohet me mbarë botën, duke marrë mbështetje prej tyre.

“Është poshtëruese për Putinin që Zelensky i ka dhënë një goditje në tope në frontin e lidershipit," thotë Hoffman.

Kurse Koffler shton se nuk është e thënë që Putin po fshihet. “Por ai nuk është i lumtur me situatën në terren. Kontrasti që ka me Zelensky mund ta nxisë një provokim sipas stilit të Putin”.

Sipas saj, Putini e urren presidentin ukrainas dhe mund të shpikë një mjet propagandistik, njësoj si deklarata për armët bërthamore, që të fitojë vëmendje mbi veten.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco