'Nëse Kievi reziston 10 ditë, Putinit do t'i mbarojnë paratë dhe armët! Do ulet në negociata'

'Nëse Kievi reziston 10 ditë, Putinit do t'i mbarojnë paratë dhe armët! Do ulet në negociata'

17:18, 26/02/2022
A+ Aa A-

Lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës nuk po shkon sipas planifikimeve për shkak të "besimit të tepërt" të Kremlinit, taktikave të dobëta dhe tronditjes nga rezistenca e ashpër e bërë nga ukrainasit që luftojnë për mbijetesë kombëtare. 

Ministria e Mbrojtjes e Kievit ka vlerësuar deri më tani se kanë humbur jetën 2800 ushtarë rusë, janë shkatërruar 80 tanke, 516 automjete të blinduara si dhe janë rrëzuar 10 aeroplanë dhe shtatë helikopterë.

Ushtria ruse tani është urdhëruar të zgjerojë përparimin e saj 'nga të gjitha drejtimet', por ushtria ukrainase ua ka prishur planet.

Ish-gjenerali estonez, Riho Terras, ka pohuar se Putini nuk do t'ia dalë në Ukrainë. 

Ai thotë se Rusisë po i mbarojnë me shpejtësi paratë dhe armët dhe do të duhet të hyjë në negociata me qeverinë e Volodymyr Zelensky, nëse Kievi i mban rusët larg për 10 ditë.

Diktatori rus dyshohet se ka thirrur një takim me oligarkët në një bunker në malet Ural, në të cilin pretendohet se ai ka shprehur me furi se mendonte se lufta do të ishte 'e lehtë' dhe 'gjithçka do të bëhej brenda një deri në katër ditë'.

Duke cituar burime të inteligjencës ukrainase, Terras argumentoi se lufta po i kushton Rusisë rreth 15 miliardë paund në ditë (20 miliardë dollarë) dhe se ata kanë raketa për maksimumi tre deri në katër ditë, të cilat i përdorin me masë (kursim).

Ai pretendoi se plani i Putinit është mbështetur në panikimin e vendit, duke gjuajtur raketa në ndërtesa banimi 'rastësisht' për të 'frikësuar' ukrainasit, për të shkaktuar dezertime masive të ushtrisë, dorëzimin kombëtar dhe ikjen e Zelensky nga vendi.

Gjithashtu, gjenerali estonez pretendon se operacionet speciale ruse kanë qenë pranë Kievit që nga 18 shkurti dhe kishin planifikuar të pushtonin me shpejtësi kryeqytetin dhe të instalonin një regjim kukull.

“Rusët janë të tronditur nga rezistenca e ashpër që kanë hasur. Ukrainasit duhet të shmangin panikun! ... Ukraina duhet të qëndrojë e fortë dhe ne duhet të ofrojmë ndihmë!”, shkroi ai në Twitter.

***

Agjencia ruse e lajmeve Interfax thotë se Moska ka pushtuar qytetin juglindor të Melitopolit. Zyrtarët ukrainas nuk dhanë përgjigje. Nëse konfirmohet lajmi i Interfax për Melitopolin, të cilët citojnë Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, do të ishte qyteti i parë i rëndësishëm që Kremlini ka pushtuar.

Megjithatë, ministri britanik i mbrojtjes, James Heappey hodhi dyshime mbi lajmin, duke thënë se qyteti me rreth 150,000 banorë ishte ende në duart e Ukrainës dhe se luftimet në kryeqytet ishin të kufizuara deri më tani në "xhepa shumë të izoluar të forcave speciale ruse dhe parashutistëve" dhe se "Kolonat kryesore të armatosura që i afrohen Kievit janë ende shumë larg".

Ministri ukrainas i shëndetësisë tha se 198 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1,000 janë plagosur në ofensivën ruse. Viktor Lyashko tha se mes të vrarëve kishte edhe tre fëmijë. Deklarata e tij ishte e paqartë nëse viktimat përfshinin ushtarakë dhe civilë. Ai tha se 1,115 persona të tjerë, përfshirë 33 fëmijë, u plagosën gjatë pushtimit rus.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov pohoi të shtunën se, që nga fillimi i sulmit të Moskës, ushtria e saj kishte goditur 821 objekte ushtarake ukrainase, 87 tanke dhe objektiva të tjerë.

Konashenkov nuk tha se sa trupa ukrainase u vranë dhe nuk përmendi ndonjë viktimë nga pala ruse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco