Suedia, në luftë kundër dezinformimin për 'rrëmbimet' e fëmijëve myslimanë

Suedia, në luftë kundër dezinformimin për 'rrëmbimet' e fëmijëve myslimanë

11:34, 23/02/2022
A+ Aa A-

Autoritetet suedeze po luftojnë kundër pretendimeve që shërbimet e saj sociale po "rrëmbejnë" fëmijë myslimanë, duke denoncuar një "fushatë dezinformuese" të videove virale që përhapin mosbesim midis familjeve emigrante.

Videot filluan të shfaqen në faqet e mediave sociale në gjuhën arabe në fund të vitit 2021 me ndërhyrjet reale nga shërbimet e mirëqenies së fëmijëve, që tregonin fëmijët që qanin duke u ndarë nga prindërit e shqetësuar.

Me kontekstin e shkëputur nga situatat e vërteta, videot po e akuzojnë Suedinë si një shtet fashist ku shërbimet sociale i vendosin fëmijët myslimanë në shtëpitë e krishtera me pedofilë ose ku ata i detyrojnë të pinë alkool dhe të hanë mish derri.

Pasi mediat e Lindjes së Mesme raportuan mbi pretendimet, zyrtarët e qeverisë suedeze dhe shërbimet sociale kanë dalë me zë të lartë për të mohuar akuzat.

"Ne absolutisht nuk e bëjmë këtë," i tha AFP-së, Ministri i Migracionit dhe Integrimit Anders Ygeman, duke theksuar se qëllimi kryesor ishte të mbështesnin familjet.

Ygeman tha se fushata po ushqehej pjesërisht nga "prindër të frustruar që kanë dështuar në prindërimin e tyre" dhe e shfrynin zemërimin e tyre te autoritetet.

"Synime keqdashëse" -

"Ka edhe forca keqdashëse që duan të shfrytëzojnë zhgënjimin e këtyre prindërve për të përhapur mosbesim dhe ndarje," tha ai.

Agjencia e sapokrijuar e Mbrojtjes Psikologjike e Suedisë ka treguar se shumë nga videot janë të vjetra, dhe janë paraqitur në një mënyrë mashtruese me "qëllim".

Magnus Ranstorp, një ekspert i terrorizmit në Universitetin Suedez të Mbrojtjes, i tha AFP se fushata bazohej kryesisht në një grup në Facebook të quajtur "Barnens Rattigheter Mina Rattigheter" (Të drejtat e fëmijëve – Të Drejtat e Mia), ku prindërit shkëmbejnë përvojat e largimit "të padrejtë" sipas tyre, të fëmijëve nga kujdesi i tyre.

Imamët radikalë në Suedi dhe jashtë saj reaguan siç bëri dhe një parti e re politike e skajshme Nyans (Nuance), e cila e ka bërë largimin me forcë të fëmijëve, një thirrje për protesta para zgjedhjeve të përgjithshme në shtator.

Edhe besimtarë myslimanë me ndikim në internet që kanë me miliona ndjekës iu bashkuan gjithashtu fushatës si dhe faqja arabe "Shuoun Islamiya" ("Çështjet Islame"), e cila ka publikuar rreth 20 video. Disa protesta janë mbajtur gjithashtu në të gjithë Suedinë.

Ranstorp tha se edhe nëse mund të ketë disa kritika të drejta kundër shërbimeve sociale, retorika e ashpër në postimet në media ishte "nxitëse".

Julia Agha, drejtuese e gazetës së lajmeve në gjuhën arabe Alkompis me bazë në Stokholm, e ka ndjekur nga afër fushatën.

“Në fillim ndoshta ishte menduar si një fushatë ku familjet e atyre, fëmijët e të cilëve janë marrë, janë ndjerë të trajtuar padrejtësisht dhe kanë dashur të kritikojnë shërbimet sociale”, tha ajo për AFP.

"Ajo që ka ndodhur është se kjo fushatë ka përfunduar në duart e forcave jashtë vendit që kanë vendosur një filtër fetar mbi të dhe po përhapin dezinformata, e cila tani duket më shumë si një fushatë urrejtjeje kundër Suedisë dhe shoqërisë suedeze."

 "Sfidat e integrimit"

Bordi Kombëtar i Shëndetit dhe Mirëqenies suedeze, i cili mbikëqyr shërbimet sociale, këmbëngul se largimi i fëmijëve nga shtëpitë e tyre është gjithmonë zgjidhja e fundit.

Bëhet vetëm "kur masat vullnetare nuk janë të mundshme dhe ekziston një rrezik i konsiderueshëm që të dëmtohet shëndeti ose zhvillimi i fëmijës", tha agjencia AFP në një email.

Në vitin 2020, gjithsej 9034 fëmijë ishin nën kujdesin e urdhëruar nga shteti pa pëlqimin e prindërve, tregojnë statistikat zyrtare.

Studiuesit dhe punonjësit socialë kanë vënë në dukje se ndërsa më shumë fëmijë emigrantë largohen nga shtëpitë e tyre sesa suedezë etnikë dhe familjet emigrante kanë gjithashtu më pak gjasa të pranojnë fazat e hershme të ndihmës nga punonjësit socialë.

Suedia shpesh përshëndetet si një pioniere në të drejtat e fëmijëve dhe ishte vendi i parë që ndaloi ndëshkimin trupor të fëmijëve, duke përfshirë rrahjen në vitin 1966.

Por kritikët thonë se hedhja poshtë e çështjes si dezinformim injoron çështjet reale me shërbimet sociale.

Mariya Ellmoutaouakkil, 35, e cila emigroi në Suedi 12 vjet më parë nga Maroku, organizoi një protestë jashtë zyrës së shërbimeve sociale në qytetin e saj të lindjes Gallivare vitin e kaluar, pasi dy nga tre fëmijët e saj u hoqën nga kujdesi i saj.

Ajo i tha AFP-së djali i saj, 10 vjeç, dhe vajza, gjashtë vjeç, u morën pasi shërbimet sociale pretenduan për dhunë në shtëpi.

Ajo tha se vendimi nuk bazohej në prova, por vetëm në intervistat e punonjësve socialë me fëmijët që ajo kurrë nuk është lejuar t'i shohë. Shërbimet sociale zakonisht nuk komentojnë për rastet individuale.

Ellmoutaouakkil tha se ajo e kuptonte se fëmijët e saj nuk ishin "rrëmbyer", por e kuptonte pse disa njerëz e përdorin si term. “Mund të fillojë të ndihet si një rrëmbim për mua si nënë”, tha ajo. “Kur ne si prindër nuk marrim përgjigje, e kuptoj pse e quajnë kështu”.

Suedia ka luftuar për vite me radhë për të integruar emigrantët.

Vendi i pasur prej 10.4 milionë banorësh ka dhënë azil dhe bashkime familjare për më shumë se 400,000 njerëz nga viti 2010 deri në 2019 - më shumë për frymë se çdo vend tjetër evropian.

Ajo tha se shumë emigrantë kanë vështirësi të mësojnë suedisht, jetojnë në zona ku ndërveprojnë vetëm me emigrantë të tjerë dhe nuk ndihen pjesë e shoqërisë suedeze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco