'Mama, mama': tronditje e fortë në Hong Kong, fëmijët me Covid ndahen dhunshëm nga prindërit

'Mama, mama': tronditje e fortë në Hong Kong, fëmijët me Covid ndahen dhunshëm nga prindërit

11:14, 23/02/2022
A+ Aa A-

Prindërit nga Hong Kongu po ndahen nga fëmijët dhe foshnjat që rezultojnë pozitivë për koronavirusin, që e ka shtuar zemërimin e publikut për mungesën e gatishmërisë së qendrës financiare për një shpërthim të madh që tani po përfshin qytetin.

Metropoli me popullsi të dendur është në grahmat e valës së tij më të keqe të Covid-it, duke regjistruar mijëra raste çdo ditë pasi spitaleve dhe njësive të izolimit u mbarojnë hapësira. Një politikë e rreptë e stilit kinez “zero-Covid” e frenoi disi virusin dy vitet e fundit në kurriz të zbehjes së qytetit ndërkombëtarisht. Por kur varianti shumë ngjitës i Omicron shpërtheu në fillim të këtij viti, autoritetet u kapën në befasi.

Hong Kongu është urdhëruar nga Kina që t'i përmbahet politikës së saj “zero-Covid” dhe të synojë të izolojë këdo që rezulton pozitiv edhe pse numri i rasteve ditore është rritur shumë përtej kapacitetit.

Disa prindër janë ankuar se nuk janë në gjendje të shoqërojnë fëmijët në spital, ndërsa të tjerë janë grumbulluar në mediat sociale për të shprehur frikën e ndarjes nëse kërkojnë trajtim për veten e tyre ose për fëmijët e sëmurë.

Kjo ka ngjallur shqetësim, duke përfshirë edhe profesionistët e shëndetësisë.

"Nëse një fëmijë kërkon shtrimin në spital për shkak të Covid, duhet të mundësohet që një prind të qëndrojë në të njëjtën dhomë, përveçse kur gjendja e fëmijës është shumë serioze," shkroi në Tëitter Siddharth Sridhar, një mikrobiolog në Universitetin e Hong Kongut.

"Në kohë si këto, të qëndrosh racional dhe i dhembshur është më i rëndësishëm se kurrë."

"Do të fle në dysheme"

Laura, një banore e përhershme 32-vjeçare e lindur në Britani, i tha AFP-së vajza e saj  e vogël Ava doli pozitive pasi u shtrua në spital të dielën në mbrëmje me ethe dhe frymëmarrje të vështirësuar.

Ava tani është stabilizuar në njësinë e kujdesit intensiv dhe së shpejti do të transferohet në një repart izolimi, por ajo do të duhet të shërohet pa prindërit e saj për të paktën shtatë ditë.

"Kam thënë se do të fle në korridor, në dysheme, kudo," tha ajo, duke luftuar lotët.

Laura dhe bashkëshorti i saj Nick arritën të bëjnë një video-telefonatë të shpejtë me Ava të martën.

"Ishte shkatërruese," kujtoi Laura, duke kërkuar të përdorte vetëm emrin e saj të parë.

"Ajo është 11 muajshe, ajo është e vetëdijshme për vetminë e saj, ankthi i ndarjes është në kulm në këtë moshë, ajo nuk ngushëllohet, vetëm qan "Mama, Mamma".

Grupet e prindërve në internet janë mbushur me ankth, frikë dhe konfuzion këtë javë.

Kunj Gandhi, administratori i një grupi popullor mbështetës në Facebook për njerëzit që kalojnë nëpër karantinë, shkroi se shumë spitale kishin ndaluar që prindërit të qëndronin me fëmijët pasi repartet ishin të mbushura përtej kapacitetit.

"Shumë (prindër) u përpoqën ta luftonin ose ta racionalizonin atë, por në fund u desh të merrnin vendimin rrëqethës për ta lënë fëmijën e tyre në spital në mënyrë që fëmija të mund të merrte trajtimin që i nevojitet," shkroi ajo.

Në një grup prej 17,000 personash në Facebook për nënat që kërkojnë trajtim për koronavirusin, shumë thanë se kishin fëmijë të sëmurë, por kishin frikë të shkonin në spital.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco