Gjendet copa e fundit e sixhadesë së shek XVII, super-hajduti ishte 'mik me Shën Pjetrin' Hajduti, René Alphonse van den Berghe, i njohur mirë për publikun spanjoll si Erik belgu.

Gjendet copa e fundit e sixhadesë së shek XVII, super-hajduti ishte 'mik me Shën Pjetrin'

13:47, 21/02/2022
A+ Aa A-

Vepra flamande që u mor nga hajduti famëkeq i artit 'Erik belgu', u kthye në kishën nga e cila ishte rrëmbyer.

Policia spanjolle ka gjetur pjesën e fundit të një sixhadeje të shekullit të 17-të, e cila u vodh 42 vjet më parë nga një hajdut famëkeq arti. Sixhadeja me përmasa 4 metra me 6,5 metra, e njohur si “La apoteosis de las artes” (Apoteoza e Arteve), ishte një nga gjashtë sixhadet flamande të marra nga kisha e Santo Domingo në qytetin Castrojeriz në Spanjën veriore, në 7 nëntor 1980.

Copat, të cilat u prodhuan në Bruges në 1654 nga Corneille Schutz, një ndjekëse e Rubens - u vodhën nga René Alphonse van den Berghe, i njohur më mirë për publikun spanjoll si Erik belgu.

Ndërsa të gjashtë sixhadetë u gjetën pas një hetimi të udhëhequr nga Interpoli në Spanjë, Francë dhe Belgjikë, një pjesë e poshtme, majtas, e Apoteozës së Arteve, siç e përshkruan një kerubin kishte humbur për më shumë se katër dekada.

Van den Berghe, një tregtar belg arti, vdiq në Málaga në vitin 2020 në moshën 80-vjeçare.

Copa u gjet pasi Ángel Alcaraz, një oficer policie i angazhuar në një studim akademik të vjedhjeve të artit, ra në kontakt me avokatin e Van den Berghe dhe punoi për të përcaktuar vendndodhjen e saj.

Avokati e dorëzoi copën dhe ajo iu kthye kryepeshkopatës së Burgos të premten e kaluar.

"Nëse qiellit do t'i mungonte një engjëll, ai do të ishte parajsë më e vogël," tha Alcaraz. "Dhe nëse kësaj sixhadeje do t'i mungonte ky engjëll i vogël, nuk do të ishte e njëjta sixhade. Sot ne po i kthejmë Castrojeriz-it diçka që nuk duhet të kishte ikur kurrë.”

Në një deklaratë, Policía Nacional e Spanjës e përshkroi Van den Berghe si "një tregtar arti, restaurues, piktor, shkrimtar dhe hajdut ndërkombëtar" i cili kishte kryer grabitje të shumta në kishat dhe kapelat e vendit.

“Ai drejtoi gjithashtu një grup të organizuar të dedikuar për vjedhjen e veprave të artit fetar – ndonjëherë me urdhër të koleksionistëve të pasur që kërkonin një pjesë specifike dhe nganjëherë me sy në tregun e zi ndërkombëtar”, tha Policia.

Van den Berghe u arrestua në vitin 1982, por u lirua nga burgu tre vjet më vonë pasi përdori avokatin e tij për të ndihmuar autoritetet në gjurmimin dhe rikuperimin e shumë prej veprave që ai kishte vjedhur.

Hajduti mbeti i papenduar deri në vdekjen e tij. Duke folur për El País 10 vjet më parë teksa publikonte autobiografinë e tij, Erik belgu – “Për dashurinë ndaj artit”, ai tha: “Unë nuk jam një hajdut i vogël. Unë jam një hajdut i klasit të lartë. Unë kam vjedhur për dashurinë ndaj artit dhe kam vjedhur sende luksi. Paratë nuk kanë vlerë luksi.”

I pyetur nëse kishte kërkuar falje për mëkatet e tij, Van den Berghe tha se nuk kishte shkuar për t’u rrëfyer që kur kishte qënë një djalosh altari.

“Por unë jam mik i Shën Pjetrit; Kam shitur shumë statuja të Shën Pjetrit dhe kam shpëtuar shumë”, tha ai. "Dhe nëse, kur të arrij në parajsë, ai më hedh në zjarr, unë do ta qëlloj atë dy herë."

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco