Ukrainë, Biden dhe Putin i thonë po samitit të propozuar nga Macron

Ukrainë, Biden dhe Putin i thonë po samitit të propozuar nga Macron

07:47, 21/02/2022
A+ Aa A-

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Joe Biden kanë "pranuar në parim" të takohen në një samit, të propozuar nga homologu i tyre francez Emmanuel Macron dhe i cili "mund të mbahet vetëm nëse Rusia nuk pushton Ukrainën".

Njoftimi i papritur u bë në një kohë kur shpërthimi i luftës ruso-ukrainase konsiderohej i pashmangshëm.

"Presidentët Biden dhe Putin kanë rënë dakord në parim për të mbajtur një samit të tillë, " tha Pallati Presidencial Elize në një deklaratë, duke shtuar se do të jetë një samit i zgjeruar që përfshin "të gjitha palët" e përfshira në krizën e Ukrainës ku dhe “Siguria dhe Stabiliteti Strategjik në Evropë” do të jenë në axhendë.

Shtetet e Bashkuara janë "angazhuar për të vazhduar diplomacinë deri në fillimin e pushtimit", tha Jen Psaki , një zëdhënëse e presidencës amerikane .

 " Presidenti Biden ka rënë dakord në parim të takohet me Presidentin Putin nëse nuk ka pushtim."

Axhendën e samitit do ta përgatisin ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Antony Blinken  dhe Sergej Lavrov, në takimin e tyre të planifikuar për të enjten, sqaroi Elize.

Njoftimi nga presidenca franceze erdhi ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të shkëmbejnë akuzat për armiqësi në Donbas të dielën midis trupave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë.

 Imazhet satelitore të kompanisë amerikane Maxar regjistruan një zhvillim të ri të trupave dhe pajisjeve ruse pranë kufirit me Ukrainën, njoftoi ajo.

 Fotot e së dielës tregojnë "forcat goditëse" - tanke, transportues të blinduar të personelit, armë, pajisje dhe personel mbështetës - duke kaluar në zonat e mbuluara me borë. 

Perëndimorët kanë frikë nga përshkallëzimi i luftimeve në ditët në vijim në vijën e frontit në Ukrainën lindore e cila do të përdoret si pretekst nga Rusia, e cila ka mobilizuar rreth 150,000 trupa pranë kufirit, për të nisur një pushtim.

Armëpushimi?

Separatistët pro-rusë po evakuojnë civilët që po transportohen në Rusi dhe kanë shpallur një mobilizim të përgjithshëm.

 Pas urdhrit të evakuimit, rreth 53,000 njerëz - nga tre milionë që jetojnë në Donbas, siç njihet Ukraina lindore - ikën në territorin rus, sipas qeverisë ruse, e cila ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin rus të Kurskut.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky denoncoi "sfidat" e rebelëve të mbështetur nga Moska dhe bëri thirrje për rifillimin e negociatave nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe zbatimin e armëpushimit të ri "të menjëhershëm".

 Zyrtarët separatistë në Republikën e vetëshpallur Popullore të Luganskut folën sot për dy civilë të vrarë nga bombardimet nga ushtria ukrainase, një element që nuk mund të konfirmohej nga burime të pavarura.

 Ministrat e Jashtëm rus dhe francez Sergei Lavrov dhe Jean-Yves Le Drian pritet të takohen sot, sipas Moskës.

Pavarësisht "bisedimeve diplomatik" për të shmangur një konflikt të armatosur, Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se Kremlini është gati të japë dritën jeshile për një sulm. 

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka thënë se " ajo që po ndodh në terren në Ukrainë sugjeron se bota është në prag të një pushtimi rus të Ukrainës " .

Zëvendëspresidentja Kamala Harris tha me të njëjtin ton se “Putini ka marrë vendimin e tij'.

 Sipas informacioneve të rrjedhura nga Uashingtoni "Trupat ruse janë gati për të pushtuar dhe komandantët rusë në kufi kanë hartuar plane se si do të lëvizin njësitë në fushën e betejës."

 "Këto veprime, që të kujtojnë operacionet ruse në të kaluarën që kryen vrasje të synuara, rrëmbime, zhdukje, burgime, tortura, ka të ngjarë të drejtohen ndaj atyre që nuk pajtohen me atë që po bën Rusia, duke përfshirë rusët dhe " disidentët bjellorusë në mërgim në Ukrainë , gazetarë dhe aktivistë kundër korrupsionit, popullsi vulnerabël si minoritetet fetare dhe etnike, por edhe anëtarë të komunitetit LGBTQI + ” , tha një zyrtar i lartë amerikan.

Ndërsa shërbimet e inteligjencës së Ukrainës nuk shohin "forca goditëse" ruse në kufi. 

“Deri më sot, shërbimet tona nuk vërejnë asnjë njësi të ndikimit, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund t'i vendosin kur të duan, sepse rreziku ekziston ende”, thanë autoritetet ukrainase. 

Pavarësisht këtij qëndrimi, ministri britanik i ngarkuar për çështjet evropiane argumentoi se një pushtim rus i Ukrainës tani duket të jetë "shumë më i mundshëm" dhe të gjitha indikacionet janë se "pritet shumë, shumë shpejt " .

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss shkoi aq larg sa deklaroi se Putini "nuk do të ndalet në Ukrainë" dhe se ai dëshiron të bashkojë Bashkimin Sovjetik ! 

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peshkov tha se " parashikimi i vazhdueshëm nga vendet perëndimore për datat për një pushtim rus të Ukrainës është provokues dhe mund të ketë efektin e kundërt " .

Nga ana e tyre, presidenti francez dhe homologu i tij rus patën një tjetër bisedë telefonike, në të cilën ranë dakord për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën ukrainase. 

Ministrat e Jashtëm të dy vendeve do të takohen në ditët në vijim. 

Sipas presidencës franceze , Macron dhe Putin nuk ranë dakord se kush ishte përgjegjës për tensionin nëUkrainën lindore, por ranë dakord për nevojën për ta zgjidhur atë. 

 Kryeministri britanik Boris Johnson pati njw bisedë telefonike me presidentin francez Macron, duke komentuar se "Premtimet e Putinit ndaj Macronit janë "një shenjë e mirëpritur që Kremlini mund të jetë ende i gatshëm të angazhohet për një zgjidhje diplomatike". 

Përveç kësaj, sot, të hënën, Këshilli i Përhershëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ( OSBE ) do të takohet për Ukrainën.

 Në të njëjtën kohë, situata në kufirin lindor të Ukrainës mbetet e mjerueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco