Udhëheqësit e botës: Cili shkoi dhe cili jo në Lojërat Olimpike të Pekinit

Udhëheqësit e botës: Cili shkoi dhe cili jo në Lojërat Olimpike të Pekinit

10:02, 04/02/2022
A+ Aa A-

Pekin  - SHBA, Britania dhe një pjesë e vogël shtetesh nuk po dërgojnë personalitete në Lojërat Dimërore të Pekinit në kuadrin e një bojkoti diplomatik, por kryeqyteti kinez po tërheq ende një sërë liderësh botërorë për ceremoninë e hapjes të së premtes.

Një vështrim se kush po merr pjesë, kush po qëndron larg dhe pse:

PJESËMARRËSIT

— RUSIA: Presidenti Vladimir Putin po takohet me homologun kinez Xi Jinping përpara ceremonisë së hapjes, duke nënvizuar lidhjet më të ngushta midis Pekinit dhe Moskës pasi të dy përballen me kritikat dhe presionin perëndimor.

— EGJIPTI DHE SERBIA: Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç kanë fërkime në rritje me Perëndimin lidhur me politikat e tyre autoritare dhe të drejtat e njeriut. Të dy udhëheqësit kanë tërheqje për Kinën. Vuçiç e quajti Xi "vëlla" pse e furnizoi Serbinë me respiratorë dhe vaksina.

— ARABIA SAUDI, KATARI, Emiratet e Bashkuara Arabe: Marrëdhëniet e Gjirit me Pekinit janë mbi të gjitha me energjinë. Kina është blerësi më i madh i naftës në Arabinë Saudite dhe një klient i madh për gazin natyror të Katarit. Princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman, udhëheqësi de fakto i mbretërisë, po shfaqet në Lojërat Dimërore ndërsa investitorët dhe disa qeveri sinjalizojnë ngrohjen e marrëdhënieve pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

— AZIA QENDRORE: Udhëheqësit e pesë ish-republikave sovjetike në Azinë Qendrore po shkojnë në Pekin, duke theksuar kështu lidhjet gjithnjë e më të ngushta të rajonit me Kinën. Presidenti i Kirgistanit Sadyr Zhaparov nxiti muajin e kaluar ringjalljen e një projekti të vonuar prej kohësh për të ndërtuar një hekurudhë nga Kina që kalon mespërmes vendit të tij drejt Uzbekistanit. Kina është blerësi i vetëm i besueshëm i gazit natyror në Turkmenistan.

- ARGJENTINA DHE EKUADORI: Argjentina është vendi i parë i madh i Amerikës Latine që do t'i bashkohet Iniciativës së Kinës "Një brez dhe një rrugë". Presidenti Alberto Fernández pritet gjithashtu të diskutojë ndihmën e Kinës për ndërtimin e termocentralit të parë bërthamor të Argjentinës që nga viti 1981. Presidenti Guillermo Lasso po kërkon të rinegociojë borxhin e Ekuadorit prej 4.6 miliardë dollarësh me Kinën.

- KOMBET E BASHKUARA: Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres dhe Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus do të marrin pjesë. IOC është një partner i ngushtë i OKB-së, tha Guterres, dhe Olimpiada bashkon njerëzit me një mesazh solidariteti dhe paqeje. “Ky është një mesazh që, për mendimin tim, është më i rëndësishëm se rrethanat politike që ekzistojnë në vendet ku zhvillohen Lojërat Olimpike,” tha ai për Associated Press.

BOJKOTUESIT

Shtetet e Bashkuara njoftuan një bojkot diplomatik duke i lejuar sportistët e vet të garojnë. Aleatët kryesorë të SHBA-së i pasuan, përfshirë Britaninë, Australinë dhe Kanadanë, kryeministri i të cilëve Justin Trudeau tha: "Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga shkeljet e përsëritura të të drejtave të njeriut nga qeveria kineze".

Kosova dhe Lituania, marrëdhëniet e të cilave me Kinën janë prishur për shkak të lidhjeve të tyre me Tajvanin, po marrin pjesë gjithashtu në bojkot.

India tha se nuk do të dërgojë asnjë zyrtar pas raportimeve se një komandant ushtarak kinez, i cili ishte përfshirë në përleshje vdekjeprurëse me forcat kufitare indiane në vitin 2020, ishte zgjedhur si një nga pishtarët olimpik në Pekin.

JO BOJKOTUESIT

Mbretërit e Norvegjisë dhe Suedisë, të cilët zakonisht marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, nuk do të shkojnë. As ndonjë lider nga Gjermania, Austria apo Zvicra, të gjitha kombe të mëdha të sporteve dimërore. Zyrtarisht ata po nxjerrin si shkak pandeminë më shumë sesa ndonjë protestë diplomatike. Të tjera shtete si Danimarka, Holanda dhe Zelanda e Re kanë përmendur kufizimet e COVID-19 duke shprehur gjithashtu shqetësim për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco