Presidenti Biden njoftoi të enjten se udhëheqësi i grupit të dhunshëm të Shtetit Islamik, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi vdiq gjatë një sulmi të mërkurën në mbrëmje në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib.
Ai u vu në krye të grupit militant më 31 tetor të vitit 2019, vetëm disa ditë pas vdekjes së udhëheqësit të grupit, Abu Bakr al-Baghdadi gjatë një operacioni të forcave amerikane në të njëjtën zonë.
Një zyrtar amerikan tha se al-Qurayshi ai vdiq njësoj si al-Baghdadi, duke u vetëvrarë me një bombë ndërsa afroheshin forcat amerikane. Nga shpërthimi gjetën vdekjen edhe anëtarë të familjes së tij, mes tyre gra e fëmijë.
Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi njihet gjithashtu si Amir Muhamed Sa'id Abdal-Rahman al-Mawla. Gjatë operacionit u njoftua se janë vrarë 13 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra.
Ushtria amerikane e ndërmori operacionin ndërsa grupi militant ISIS-it po përpiqet të ringjallet, me një seri sulmesh në rajon, përfshirë një sulm 10-ditor në fund të muajit të kaluar me synimin për të marrë nën kontroll një burg.
Presidenti Biden tha se ai e urdhëroi operacionin për të mbrojtur popullin amerikan dhe aleatët, si dhe për ta bërë botën një vend më të sigurt.
Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se gjatë operacionit, një helikopter amerikan pësoi defekt, por u ul në tokë i padëmtuar. Forcat amerikane u detyruan ta shkatërrojnë pasi ai nuk mund të fluturonte më.
Sipas BBC, ky operacion është i rrallë për shkak se SHBA dërgoi forcat speciale në terren, çka tregon se shënjestra ishte një figurë e rëndësishme.
Zakonisht HSBA i sulmon personazhet kryesore të ISIS dhe Al Kaedës me dronë.
Sipas BBC, Shteti Islamik prej kohësh nuk kontrollon territore të mëdha në Siri dhe Irak.
Por sulmi aktual ishte i rëndësishëm pasi kishte prej kohësh shqetësime nga zyrtarët e kundër-terrorizmit se grupi po përpiqej që të rigrupohej dhe po shtonte kapacitetet. Viktima e sotme ishte një ideolog i ISIS dhe së fundmi ky grup terrorist kishte intensifikuar sulmet. Muajin e kaluar ata tentuan që të sulmojnë një burg në Siri.
Uashingtoni shpreson se vrasja e shefit të ISIS do të ndalojë këtë ringritje.
© SYRI.net