Gjermania distancohet nga raporti i Amnesty International për Izraelin

Gjermania distancohet nga raporti i Amnesty International për Izraelin

11:45, 03/02/2022
A+ Aa A-

Qeveria e Gjermanisë e kundërshton prerazi akuzën për aparteid që ngre ndaj Izraelit Amnesty International (AI) dhe refuzon "fokusimin e njëanshëm ndaj Izraelit", tha një zëdhënës në Berlin.

Qeveria e Gjermanisë është distancuar në formë të prerë ndaj kritikës së Amnesty International ndaj Izraelit. Veçanërisht qeveria gjermane ka reguar ndaj akuzës së Amnesty International, sipas së cilës Izraeli ka krijuar një sistem "aparteidi" kundrejt palestinezëve. "Koncepte si aparteid e po ashtu edhe fokusimi i njëanshëm ndaj Izraelit ne i refuzojmë", bëri të qartë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin. "Kjo nuk ndihmon për një zgjidhje të konfliktit në Lindjen e Mesme."

Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin u tërhoqi vëmendjen aktivistëve të të drejtave të njeriut: "Në shqetësimin e krijuar aktualisht prej rritjes së antisemitizmit në Europë kushdo, edhe ata që angazhohen për të drejtat e njeriut, mbajnë përgjegjësi, duke e nxitur këtë frymë edhe padashje", thotë ai.

Nga ana tjetër Gjermania i përmbahet qendrimit të vet refuzues ndaj zgjerimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara të palestinezëve si dhe mbështet një zgjidhje me dy shtete, shtoi zëdhënësi. Disa praktika si shembjet dhe zhvendosjet e shtëpive të palestinezëve në territoret e pushtuara duhen konsideruar pjesërisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Zëdhënësi iu referua faktit, se edhe qeveria gjermane vazhdimisht kritikon politikën e Izraelit: "Situatat kritike ne jo vetëm që i tematizojmë direkt me partnerët tanë izraelitë, por ne pozicionohemi qartazi publikisht për këtë", tha zëdhënësi.

Shoqata gjermano-izraelite (DIG) kërkoi që t'i tërhiqet çmimi Nobel i Paqes organizatës Amnesty International. Me këtë raport kjo organizatë "qartazi dhe pa asnjë dyshim është demaskuar si antisemite", deklaroi presidenti i DIG, Uwe Becker.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco