SHBA i kërkon negociata Rusisë: Nuk vendosim raketat dhe ushtrinë, ju mos sulmoni Ukrainën

SHBA i kërkon negociata Rusisë: Nuk vendosim raketat dhe ushtrinë, ju mos sulmoni Ukrainën

18:38, 02/02/2022
A+ Aa A-

'Uashingtoni është i gatshëm të diskutojë me Moskën për mosvendosjen e raketave ose forcave ushtarake në Ukrainë, nëse Rusia pranon të bëjë të njëjtën gjë'.

Gazeta spanjolle 'El Pais' ka siguruar dokumente konfidenciale ku përmbajtja ishte përgjigjja me shkrim e Uashingtonit dhe NATO-s ndaj kërkesave të Rusisë.

El Pais nuk tha se si i kishte marrë dokumentet. 

"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të diskutojnë masat reciproke të bazuara në kushte dhe angazhime reciproke si nga SHBA ashtu edhe nga Rusia për t'u përmbajtur nga vendosja e sistemeve të raketave sulmuese tokësore dhe forcave të përhershme me një mision luftarak në territorin e Ukrainës", ka qenë përgjigjja e SHBA, thuhet në dokumentin e siguruar nga El Pais. 

SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s janë gjithashtu të gatshme të diskutojnë masat reciproke për të shmangur incidentet e rrezikshme në ajër apo në det për të siguruar Moskën se nuk ka raketa sulmuese Tomahawk të stacionuara në Rumani dhe Poloni, thuhet më tej në këto dokumente.  

NATO dhe Kremlin kanë thënë për Reuters se nuk do të komentojnë për këto dokumente. 

Qëndrimet e pohuara në dy dokumentet, të cilat iu dorëzuan zyrtarisht Moskës më 26 janar, janë në përputhje me deklaratat publike të Uashingtonit dhe aleatëve të tij në të kaluarën, veçanërisht në drejtim të ofrimit të transparencës ushtarake.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë gjithashtu prej kohësh se mburoja raketore europiane e NATO-s në Rumani, dhe një bazë ushtarake e planifikuar në Poloni, nuk do të shërbejnë si një mbrojtje e ardhshme kundër raketave ruse, por për t'u mbrojtur kundër kërcënimeve nga Irani dhe Lindja e Mesme e më gjerë.

Në përgjigjen e saj me shkrim, Shtetet e Bashkuara ofruan transparencë lidhur me vendosjen e raketave në Rumani dhe Poloni, nëse Moska bën të njëjtën gjë në dy vendndodhje raketore në Rusi.

Perëndimi thotë se më shumë se 100,000 trupa ruse janë pozicionuar në kufijtë e Ukrainës dhe në Bjellorusi. Rusia mohon akuzat e SHBA dhe NATO se po planifikon të pushtojë Ukrainën dhe grumbullimin e forcave dhe artilerisë e justifikon me stërvitje ushtarake. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco