Sot në Gjermani merret vendimi për ish-zyrtarin sirian të akuzuar për 58 vrasje

Sot në Gjermani merret vendimi për ish-zyrtarin sirian të akuzuar për 58 vrasje

10:45, 13/01/2022
A+ Aa A-

Një gjykatë gjermane pritet të marrë vendim të enjten për rastin e një ish-zyrtari sirian të inteligjencës, dikur pjesë e shërbimeve të sigurisë në regjimin e Asadit. Rasti ka peshë për dënimin e krimeve kundër njerëzimit në luftën e gjatë e të përgjakshme civile.

I akuzuari, i identifikuar si Anwar R., është akuzuar për 58 vrasje si dhe për dhunim seksual në një burg të Damaskut, i cili ishte nën mbikëqyrjen e një njësie të inteligjencës që e udhëhiqte ai. I dyshuari i ka mohuar të gjitha akuzat.

Vendimi i gjykatës në Koblenz do të ishte i dyti që lëshohet për krime kundër njerëzimit në luftën e Sirisë. Vitin e kaluar, Eyad A., ish-pjesëtar i shërbimit sirian të inteligjencës, u dënua me katër vjet e gjysmë burgim për mbështetje të torturimit të civilëve.

Avokatët që i përfaqësojnë sirianët në Gjermani, të cilët thonë se janë torturuar në ndërtesat qeveritare në vitet e para të luftës, që filloi më 2011, presin që gjykata ta shpallë fajtor të akuzuarin, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Prokurorët e siguruan nisjen e rastit sipas ligjeve gjermane për juridiksion të përgjithshëm, të cilat ua lejojnë gjykatave ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit, të kryera në cilindo vend të botës.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe Kina i kanë bllokuar me veto përpjekjet e fuqive perëndimore që konfliktin në Siri ta dërgojnë për trajtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, duke u lënë pak mundësi për të kërkuar drejtësi të mbijetuarve të torturimeve dhe sulmeve me armë kimike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco