Papa Françesku: Birësimi, një nga format më të larta të mirëpritjes

Papa Françesku: Birësimi, një nga format më të larta të mirëpritjes

14:31, 05/01/2022
A+ Aa A-

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa foli për Shën Jozefin si atë i kujtuar i Jezusit. Ishte nxitje për të medituar së bashku me të pranishmit, mbledhur në Sallën Pali VI, mbi atësinë e amësinë, në kuptimin më të thellë të fjalëve atë e nënë.

Papa kujtoi se sot “jetojmë në një epokë  jetime” e se “qytetërimi ynë i sotëm është paksa jetim”, që domethënë se nuk mjafton të nxjerrësh në dritë  një fëmijë, për t’u quajtur atë a nënë, njofton Vatican News. - Na e tregon këtë shembulli i Shën Jozefit që, siç shkruajnë Ungjilltarët Mateu e Luka nuk është ati biologjik i Jezusit. E për ta kuptuar si duhet atësinë ligjore, Françesku kujtoi sakaq birësimin, që ishte tejet i shpeshtë në botën e lindjes. Shumë më tepër sesa në ditët tona.

Jozefi, si atë zyrtar i Krishtit, ka të drejtë t’i vërë emrin fëmijës, duke e njohur juridikisht si bir e duke i ngjitur edhe emrin e paracaktuar nga vetë Zoti: “Jezus”, që do të thotë “Zoti shpëton”. Me këtë  shpjegim Papa kujtoi ç’është shkruar në Letrën Apostolike Patris corde, kushtuar Shën Jozefit:

“Mendoj posaçërisht për të gjithë ata, që i hapin zemrat për ta mirëpritur jetën përmes udhës së adoptimit apo të birësimit. Jozefi na tregon se ky tip lidhjeje nuk është i dorës së dytë, nuk bëhet nga halli. Është një nga format më të larta të dashurisë, të atësisë e të amësisë. Sa e sa fëmijë në botë presin që ndokush  të kujdeset për ta”.

Të mohosh atësinë e amësinë, do të thotë të mohosh ndjenjat njerëzore

Papa vërejti, më pas, se shumë bashkëshortë “dëshirojnë të jenë etër e nëna, por nuk arrijnë ta plotësojnë këtë dëshirë, për arsye biologjike ose, edhe duke pasur fëmijë, duan ta ndajnë ngrohtësinë familjare me kë nuk i ka". Prej kënedej, inkurajimi i Papës për të mos  pasur frikë “në zgjedhjen e rrugës së birësimit", për “të rrezikuar” e për t’a hapur zemrën e portën, me bindjen se nuk mjafton të nxjerrësh në dritë  një fëmijë, për t’u quajtur atë a nënë.

Françesku vijon të bëjë thirrje për t’i dhënë fund dimrit demografik, duke kujtuar edhe se sot parapëlqehet më shumë kujdesi për kafshët shtëpijake, sesa për fëmijët. Për Papën “t’i biesh mohit amësisë e atësisë, do të thotë të mohosh vetë natyrën njerëzore, sepse kështu humbet pasuria e amësisë dhe e atësisë, që janë përkryerja e jetës së njeriut”.

Eshtë rrezik, natyrisht, të kesh një fëmijë. Tëndin a të birësuar - vijon Papa - por rrezik më i madh është të mos e kesh fare. “Më e rrezikshme është të mohosh atësinë, të mohosh amësinë, si atë reale, ashtu edhe atë shpirtërore”. Françesku nënvizon edhe se burrit a gruas, që nuk e zhvillojnë ndjenjën e atësisë a të amësisë, “u mungon diçka, diçka themelore, tejet e rëndësishme”. E vijoi: “Uroj që institucionet të jenë gjithnjë gati për t’i ndihmuar në këtë kuptim birësimet, duke i vigjëluar me shumë vëmendje, por edhe duke i thjeshtësuar praktikat e nevojshme për ta realizuar kështu ëndrrën e shumë vogëlushëve, që kanë nevojë për familje, e të shumë bashkëshortëve, që dëshirojnë të dhurohen në dashuri”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco