Shtetet e Europës Lindore, masa diktatoriale përballë Covid-it

Shtetet e Europës Lindore, masa diktatoriale përballë Covid-it

14:14, 29/12/2021
A+ Aa A-

Një analizë ka treguar shkelje të përhapura të lirive demokratike ndërkombëtare në këto shtete, si reagim ndaj pandemisë.

Qasja politike e Evropës ndaj pandemisë së koronavirusit ka ndarë me vija të theksuara shtetet e lindjes nga të perëndimit, siç ka rezultuar nga një analizë e Guardian.

Pesë nga 18 shtetet e Evropës Lindore kanë regjistruar shkelje të mëdha të lirive demokratike ndërkombëtare që nga marsi 2020, sipas hulumtimit të kryer nga Instituti Varieties of Democracy (V-Dem), krahasuar me asnjërin prej 12 shteteve të Evropës Perëndimore.

Hulumtimi tregon gjithashtu se vendet e Evropës Lindore kanë pasur më shumë gjasa t'i drejtohen zbatimit abuziv, dezinformimit dhe masave diskriminuese.

Shkeljet më të rënda janë vërejtur në Serbi, e cila ka shënuar një rezultat trefish më të lartë se mesatarja evropiane.  Nën një regjim të posaçëm të zbatuar në gjendjen e shpallur të jashtëzakonshme, refugjatët, emigrantët dhe azilkërkuesit u vunë në shënjestër në mënyrë selektive dhe u vunë nën karantinë të rreptë 24-orëshe, të kontrolluar nga ushtria. Atyre iu ndalua të dilnin nga qendrat, ndërsa personeli ndihmës u ndalua të hynte.

Image

Belgjika ishte i vetmi vend evropian perëndimor ku pati keqtrajtim të moderuar. Vendi regjistroi profilizim etnik gjatë pandemisë, sipas Institutit V-Dem, me praktika abuzive policore që preknin komunitetet etnike në pakicë.

Vdekja e një 19-vjeçari me origjinë afrikano-veriore gjatë një ndjekjeje policore nxiti protesta kundër racizmit, ku njerëzit kërkonin drejtësi dhe përgjegjësi. Më vonë, komiteti i OKB-së për eliminimin e diskriminimit racor (Cerd) lëshoi ​​një raport që shprehte shqetësimet për aktet diskriminuese të lidhura me policinë.

Ekspertët thonë se veprime të tilla shpesh ndjekin masat e Covid-19 të vendosura nga qeveria dhe nuk kanë një bazë të qartë në sundimin e ligjit.

"Pandemia nuk i ka ndryshuar qeveritë dhe sistemet, vetëm sa i ekspozoi ato"

Dr. Joelle Grogan, një lektor i lartë për drejtësi në Universitetin Middlesex, zbuloi se ekspertë në 24 nga 27 shtetet e BE-së raportuan të paktën disa shqetësime në lidhje me masat kufizuese .

Megjithatë, edhe nëse “pothuajse të gjitha vendet luftojnë me balancimin e sundimit të ligjit dhe me presionin intensiv për të vepruar në raste urgjente”, ajo tha se kjo nuk do të thotë se duhet të shqetësohemi njësoj për të gjitha vendet.

Analiza e Guardian zbuloi gjithashtu se si disa qeveri të Evropës Lindore dhe Qendrore me histori në minimin e parimeve demokratike kanë shfrytëzuar pandeminë për të përhapur më tej praktikat antidemokratike.

Në Slloveni, qeveria vendosi kufizime financiare dhe ligjore për shoqatat dhe ndryshoi legjislacionin mjedisor nën një nga paketat e saj stimuluese për koronavirusin. Që nga 23 qershori 2021, vendi u shtua në listën vëzhguese të vendeve që po përjetojnë një rënie të shpejtë të lirive civile.

 “Që kur qeveria erdhi në pushtet, ajo ka përdorur Covid-19 si pretekst për të provuar të miratojë masa që prekin të drejtat themelore të njeriut”, tha Civicus, aleanca globale e shoqërisë civile.

Parlamenti polak miratoi së fundmi një projekt-ligj për median që heq të drejta të kanalit TVN, rrjetit kryesor privat të Polonisë, duke vazhduar shtytjen e qeverisë për të kontrolluar median. Niveli i rrezikut për liritë demokratike të Polonisë është më shumë se trefishi i mesatares evropiane.

Krahas Hungarisë dhe Polonisë, rënie të konsiderueshme demokratike ishin vënë re në Serbi, Turqi dhe Slloveni që nga viti 2010.

Ndërsa regjimet demokratike mbetën mjaft të qëndrueshme në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, katër vende të Evropës Lindore u zhvendosën nga demokracitë liberale në ato elektorale, sipas Institutit V-Dem. Dy të tjera – Hungaria dhe Serbia – kaluan nga demokracia elektorale në autokraci zgjedhore.

Për Grogan, rreziku qëndron në normalizimin e shkeljeve demokratike në emër të reagimit emergjent. “Rreziku i normalizimit të emergjencës është se pritshmëritë e zakonshme se cilat të drejta mund të ushtrojmë pa kushte, harrohen dhe ato vendime që qeveria duhet të marrë vetëm me leje, shpërfillen: mund të themi se kemi një demokraci, por nuk jetojmë në të.”

Megjithatë, ka shpresë, pasi ajo argumenton se autoritarizmi në thelb mbështetet në mbështetjen e publikut. “Për njerëzit e zakonshëm – protesta, kundërshtimi dhe edukimi [janë] rezistenca më e mirë kundër prirjeve antidemokratike.”

Rreth të dhënave

Indeksi i demokracisë liberale, i zhvilluar nga Instituti V-Dem, vlerëson shkallën e demokracisë dhe forcën e institucioneve demokratike në një vend të caktuar, me rezultate nga 0 në 1. Ai mat cilësinë e zgjedhjeve, të drejtat e votës, lirinë e shprehjes dhe mediat, lirinë e asociimit, kufizimet ndaj ekzekutivit dhe sundimin e ligjit. I përbërë nga disa indekse të vogla, ai synon të sigurojë një vlerësim gjithëpërfshirës të cilësisë së demokracisë së një vendi.

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco