Presidenti i Polonisë vë veton për ligjin e debatueshëm për median, pas presionit nga SHBA

Presidenti i Polonisë vë veton për ligjin e debatueshëm për median, pas presionit nga SHBA

14:41, 27/12/2021
A+ Aa A-

Presidenti i Polonisë ka vënë veton kundër një ligji të diskutueshëm për median, që ishte miratuar në parlamentin e vendit, nën presionin e SHBA.

Andrzej Duda tha të hënën se ka vendosur të vërë veton ndaj projektligjit që e detyronte kompaninë amerikane Discovery të hiqte dorë nga pjesa e saj kontrolluese në rrjetin televiziv polak TVN.

Presidenti vuri në dukje se projektligji nuk ishte pëlqyer nga shumë polakë dhe do t'i kishte dhënë një goditje reputacionit të Polonisë si një vend për të bërë biznes.

Duda po përballej me presion nga qeveria amerikane lidhur me projektligjin.

Ai shtoi se ishte e rëndësishme që Polonia të shihej si një partner i nderuar me aleatët e saj.

Projektligji, i cili u miratua nga dhoma e ulët e parlamentit, do të kishte penguar çdo subjekt jo-evropian që të zotëronte më shumë se 49 % të aksioneve në televizionet apo radiot në Poloni.

Efekti i tij praktik binte vetëm mbi një kompani ekzistuese, Discovery Inc, duke e detyruar pronarin amerikan të rrjetit më të madh televiziv privat të Polonisë, TVN, të shiste shumicën apo edhe të gjitha zotërimet e vet polake.

Udhëheqësit e qeverisë polake e nxitën legjislacionin dhe argumentuan se është e rëndësishme për sigurinë dhe sovranitetin kombëtar të sigurohet që asnjë kompani jashtë Evropës nuk mund të kontrollojë kompanitë që ndihmojnë në formimin e opinionit publik.

Megjithatë, shumë polakë e panë projektligjin, të shtyrë nga partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) me të cilën Duda është në një linjë, si një përpjekje për t’i mbyllur gojën një transmetuesi me stacione lajmesh, TVN24, dhe një program lajmesh në mbrëmje në kanalin e tij kryesor që shihet nga miliona.

Discovery kishte kërcënuar të padiste Poloninë në një gjykatë arbitrazhi ndërkombëtar, duke u zotuar se do të luftonte për investimin e vet. Rrjeti fillimisht u ble nga një kompani tjetër amerikane, Scripps Netëorks Interactive, për 2 miliardë dollarë (1.7 miliardë euro) dhe më vonë iu shit Discovery.

Ai përfaqëson investimin më të madh amerikan në Poloni dhe kompania tani e vendos vlerën e TVN në 3 miliardë dollarë (2,65 €).

Duda tha se ai ishte dakord në parim që vendet duhet të kufizojnë pronësinë e huaj në kompanitë e medias, duke thënë se shumë vende të tjera demokratike – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Gjermaninë – e kanë një legjislacion të tillë.

Por ai tha gjithashtu se në këtë rast, ligji do të kishte dëmtuar një biznes që tashmë vepron legalisht në Poloni.

Ai vuri në dukje se nënshkrimi i projektligjit do t'i kushtonte kombit miliarda dollarë dhe tha se ndante pikëpamjen e shumë prej kolegëve të tij polakë se, duke pasur parasysh probleme të tjera, projektligji nuk ishte i nevojshëm tani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco