Rusi - Ukrainë: Moska liston kërkesat për zbutjen e tensioneve në Ukrainë

Rusi - Ukrainë: Moska liston kërkesat për zbutjen e tensioneve në Ukrainë

07:04, 18/12/2021
A+ Aa A-

Rusia ka kërkuar kufizime të rrepta për aktivitetet e aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA në vendet në Evropën Lindore.

Kërkesat, të cilat nuk ka gjasa të përmbushen, vijnë mes frikës perëndimore që Rusia planifikon të pushtojë fqinjin e saj Ukrainën.

Rusia e mohon këtë, por dëshiron që NATO të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës dhe të tjerëve në aleancë për të qetësuar situatën.

Ajo ka kërkuar bisedime urgjente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA tha se ishte e hapur për të biseduar, por se do të vendoste gjithashtu shqetësimet e veta në tryezë.

"Ne kemi pasur dialog me Rusinë për çështjet e sigurisë evropiane për njëzet vitet e fundit," tha të premten Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan.

Kjo ndonjëherë ka prodhuar përparim, nganjëherë ka prodhuar bllokime, por ne jemi thelbësisht të përgatitur për dialog."

Më herët të premten, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u tha gazetarëve se SHBA nuk do të hyjë vetëm në bisedime: "Nuk do të ketë bisedime për sigurinë evropiane pa aleatët dhe partnerët tanë evropianë".

NATO, e cila fillimisht u krijua për të mbrojtur Evropën kundër kërcënimeve të mundshme nga ish-Bashkimi Sovjetik, ka forca në republikat baltike dhe Poloni.

Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov tha se Rusia i kishte dhënë SHBA-së dhe NATO-s dy projekt-traktate. 

'Nuk kishte alternativë tjetër', tha ai, pasi "gjendja e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit kolektiv është një mungesë totale besimi".

Në propozimet, Rusia parashtron një sërë kërkesash radikale , të cilat kërkojnë nga vendet që u bashkuan me NATO-n pas rënies së Bashkimit Sovjetik, të mos vendosin trupa ose armë në zonat ku ato mund të shiheshin si kërcënim për Rusinë.

Bombarduesit e rëndë dhe anijet luftarake nuk do të lejohen në zona jashtë hapësirës ajrore të tyre kombëtare ose ujërave nga të cilat ata mund të kryejnë një sulm.

Kjo do të thotë se NATO nuk do të luajë asnjë rol në asnjë nga tre republikat baltike apo Poloni. 

Dhe NATO-s do t'i duhej të braktiste çdo plan që Ukraina dhe Gjeorgjia t'i bashkohen përfundimisht aleancës perëndimore.

Është praktikisht e pamundur të imagjinohet që SHBA dhe NATO të nënshkruajnë projekt-dokumentet që diplomatët rusë kanë hartuar, pa ndryshime të konsiderueshme.

Konflikti në lindje filloi në prill 2014 dhe ka marrë më shumë se 14,000 jetë, me viktima ende të raportuara.

Megjithatë, grumbullimi i forcave ruse në zonat përtej kufijve të Ukrainës ka shkaktuar frikën e një pushtimi tjetër rus.

Udhëheqësit e BE-së paralajmëruan në një samit të enjten vonë mbrëma se çdo agresion do të kishte "pasoja masive dhe kosto të rënda" dhe folën për masa kufizuese ndërsa bënë thirrje për përpjekje diplomatike për të zgjidhur rritjen e tensioneve.

Ata thanë se diplomacia duhet të fokusohet në dialogun katërkahësh midis Parisit, Berlinit, Kievit dhe Moskës, i njohur si formati i Normandisë. 

Rusia ka preferuar të fokusohet në bisedimet me SHBA-në.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se Rusia po shton, jo po redukton trupat e saj në kufi me "trupa të gatshme luftarake, tanke, artileri, njësi të blinduara, drone [dhe] sisteme të luftës elektronike".

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se do të preferonte që sanksionet të vendoseshin menjëherë, përpara se Rusia të ndërmerrte ndonjë veprim ushtarak.

Ukraina ndan kufij si me BE-në ashtu edhe me Rusinë, me të cilat ka lidhje të thella sociale dhe kulturore.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco