Emiratet e Bashkuara porositin numrin më të madh të aeroplanëve ‘Rafale’

Emiratet e Bashkuara porositin numrin më të madh të aeroplanëve ‘Rafale’

10:59, 03/12/2021
A+ Aa A-

Emiratet e Bashkuara Arabe të premten porositën 80 aeroplanë luftarakë francezë, “Rafale”, që është numri më i madh ndonjëherë i porositjes së këtij lloji të aeroplanit. Marrëveshja ka vlerë disamiliardëshe dhe pritet t’i thellojë raportet ekonomike e politike të vendit të Gjirit Persik me fuqinë evropiane.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, të premten filloi një vizitë dyditore në Gjirin Persik dhe gjithashtu do t’i vizitojë edhe Arabinë Saudite e Katarin. Vizita e tij vjen në kohën kur shtetet arabe të Gjirit Persik kanë shprehur paqartësi rreth fokusit të ShBA-së në rajon, ndonëse po kërkojnë më shumë armë nga aleati kyç i tyre në fushën e sigurisë.

Udhëheqësi francez ka krijuar marrëdhënie të mira me Princin e Abu Dabit, Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan me investime që po qarkullojnë mes dy vendeve. Për më tepër, Franca ka një bazë të përhershme ushtarake në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, shkruan Reuters.

“Shtuar pranisë së tri bazave ushtarake franceze në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, ky besim i përbashkët përkthehet në sigurimin e 80 aeroplanëve Rafale, 12 helikopterëve Caracal dhe elementeve shoqëruese”, tha zyra e presidentit francez në një deklaratë pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes mes Macronit e Zayed al-Nahyanit. Pas këtij njoftimi, vlera e aksioneve të prodhuesit francez të aeroplanëve, “Dasault”, u rrit për 6 për qind.

Marrëveshja, e cila mund ta ketë vlerën e së paku 15 miliardë dollarëve, është blerja më e madhe e aeroplanëve luftarakë “Rafale”, përjashtuar ushtrinë franceze, dhe vjen pas marrëveshjeve tjera të Francës për shitje me Greqinë, Egjiptin e Kroacinë këtë vit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco