Kriza në kufirin e BE: Bjellorusia boshatis kampin, i strehon emigrantët në magazinë Emigrantët tani po qëndrojnë në një magazinë disa qindra metra larg kampit

Kriza në kufirin e BE: Bjellorusia boshatis kampin, i strehon emigrantët në magazinë

10:05, 19/11/2021
A+ Aa A-

Një kamp migrantësh në kufirin Poloni-Bjellorusi që u bë strehë për rreth 2,000 njerëz është boshatisur, kanë konfirmuar rojet kufitare.

Emigrantët në tokën bjelloruse që ishin strehuar atje në motin me ngrica, me shpresën për të kaluar në vendet e BE, janë zhvendosur në një magazinë aty pranë.

Kjo shënon një ulje në përshkallëzimin e tensioneve midis Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian.

Bjellorusia është akuzuar se ka orkestruar krizën kufitare për të destabilizuar BE-në – gjë që ajo e mohon.

Emigrantët janë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe të enjten më shumë se 400 irakianë u riatdhesuan nga Bjellorusia për në Irbil me një avion të angazhuar nga qeveria irakiane.

"Të jem i sinqertë, jam shumë i trishtuar tani," i tha Mohsen Addi agjencisë së lajmeve Reuters pasi mbërriti në rajonin verior kurd të Irakut.

"Ne jemi të gjithë të trishtuar tani. Njerëzit u kthyen sepse nuk kishin zgjidhje tjetër."

Shumë emigrantë thanë se ishin ende të vendosur të përpiqeshin të hynin në BE.

"Unë do të kisha qëndruar deri në vdekje, por familja ime ishte në rrezik. Nëse situata nuk përmirësohet në Irak brenda një ose dy vjetësh, unë do të largohem përsëri," tha Hoger Abdelrahman.

Kampi i shkretë

Imazhet e kampit të improvizuar pranë gardhit kufitar të Polonisë në Bruzgi tregojnë se ai tani është i shkretë, me disa zjarre në kamp që digjen dhe mbetjet e kasolleve të lëna pas.

Mbi 1,000 burra, gra dhe fëmijë filluan të lëvizin në një depo logjistike aty pranë të mërkurën. Forcat kufitare bjelloruse thanë se shumica e njerëzve shkuan atje vullnetarisht, por rreth 800 njerëz fillimisht qëndruan në kampin kufitar, derisa temperaturat e ngrica i shtynë ata të kërkonin gjithashtu strehim.

Rojet kufitare thanë se të gjithë emigrantët kishin marrë ushqime të ngrohta, rroba të ngrohta dhe sende për nevojat elementare.

Emigrantët kishin ngritur çadra përgjatë gardhit kufitar me tela me gjemba me roje polake në njërën anë dhe roje bjelloruse nga ana tjetër.

Në fillim të kësaj jave, kriza arriti pikën e vlimit me forcat polake që përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur emigrantët që përpiqeshin të hynin në vend.

Por tani ka shpresa se ndryshimi i qëndrimit nga udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, mund të ndihmojë në zbutjen e situatës. Ai foli disa herë këtë javë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco