Kancelarja gjermane Angela Merkel do të nisë një tur në Ballkan në ditët e saj të fundit në detyrë.
Por teksa ajo do largohet nga Gjermania, konservatorët e saj janë në telashe. Partia ka njohur rënie të ndjeshme në sondazhe dhe rrezikon të humbasë zgjedhjet e përgjithshme.
Mbrëmjen e shkuar u zhvillua debati i dytë mes kandidatëve për kancelar në Gjermani.
Edhe këtë herë debati u fitua nga kandidati i majtë, socialdemokrati Olaf Scholz. Ky i fundit ka shanse më të mira për të fituar postin e rëndësishëm në Gjermani.
Rivali i tij konservator, Armin Laschet u përpoq që të përdorë si argument edhe një aksion që ndërmorën hetuesit në ministrinë e drejtuar nga Scholz, por pa ndonjë ndikim të madh.
Në fund sondazhet thanë se Scholz fitoi me 41 përqind, me Laschet në vend të dytë me 27 përqind.
Aktualisht CDU/CSU është në nivelin e 20 përqind, nga 36 përqind që ishte në fillim të vitit.
Kurse SPD është ngritur në 26 përqind. Kujtojmë se në fillim të vitit ajo ishte parti e tretë.
© SYRI.net