Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar: Alarm në bord prej tymit

Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar: Alarm në bord prej tymit

13:47, 09/09/2021
A+ Aa A-

Alarmet u ndezën në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar pasi ekuipazhi raportoi tym dhe erën e plastikës së djegur.

Incidenti u përqëndrua në modulin Zvezda të ndërtuar nga Rusia, i cili siguron hapësira jetese, raportojnë mediat ruse.

Stacioni i vjetër i hapësirës ka pësuar një numër difektesh gjatë viteve dhe një zyrtar rus paralajmëroi kohët e fundit për pajisjet e vjetruara dhe sistemet e dështuara.

Këto përfshijnë rrjedhjet e ajrit, motorët e prishur dhe çarje.

Agjencia hapësinore ruse, Roscosmos, tha më vonë se të gjitha sistemet ishin kthyer në normalitet.

Tymi u zbulua gjatë rimbushjes së baterive të stacionit, tha agjencia, dhe ekuipazhi tani ishte kthyer në "stërvitjen e rregullt".

Era e djegur e plastikës u raportua se ishte përhapur nga pjesa ruse në segmentin amerikan.

Dy kozmonautë rusë janë vendosur të kryejnë punën në modulin shkencor Nauka të dorëzuar së fundmi.

Zyrtari rus Vladimir Solovyov u tha mediave shtetërore më 1 shtator se ISS mund të pësojë dështime të pariparueshme për shkak të pajisjeve të vjetëruara.

Të paktën 80 përqind e sistemeve të fluturimit në segmentin rus e kishin kaluar datën e skadimit, tha Solovyov, kryeinxhinier në kompaninë hapësinore Energia, për mediat shtetërore. Energia është zhvilluesi kryesor i moduleve të ISS të Rusisë.

Ai gjithashtu tha se çarje të vogla ishin zbuluar në pjesën e ngarkesave ruse Zarya dhe ato mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.

ISS u ndërtua në 1998 si pjesë e një projekti të përbashkët midis Rusisë, SHBA, Kanadasë, Japonisë dhe disa vendeve evropiane e ishte projektuar fillimisht për një jetëgjatësi 15-vjeçare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco