‘Ata erdhën për vajzën time’: Nënat e vetme afgane në makthin e marrjes së fëmijëve nga talebanët

‘Ata erdhën për vajzën time’: Nënat e vetme afgane në makthin e marrjes së fëmijëve nga talebanët

12:35, 08/09/2021
A+ Aa A-

Jeta për nënat e vetme në Afganistan është dëmtuar gjithmonë nga stigma dhe varfëria. Tani me talebanët në kontroll, ato pak mbrojtje që kishin u zhdukën.

Një ditë pasi Mazar-i-Sharif, kryeqyteti krahinor i provincës Balkh, ra në duart e talebanëve më 14 gusht, persona të armatosur erdhën për vajzën 6-vjeçare të Raihanas.

E mbetur e ve që kur burri i saj u vra nga forcat talebane në vitin 2020, Raihana e kishte rritur fëmijën e saj si një nënë e vetme.

Pas vdekjes së burrit të saj, ajo kishte luftuar me vjehrrën për kujdestarinë e vajzës së saj dhe fitoi, falë të drejtave që ajo kishte sipas ligjit civil afgan - i cili thotë se gratë beqare mund t'i mbajnë fëmijët e tyre nëse mund t'i sigurojnë ato financiarisht.

Tani, me qytetin që ra në duart e talebanëve, Raihana ishte vetëm.

"Një ditë pas rënies së Mazar-i-Sharif, kunati im u shfaq në shtëpinë e babait tim, ku unë jetoja, me luftëtarët talebanë që kërkonin t'ua jepja atyre vajzën time," tha Raihana për Guardian.

Raihana ishte me fat. Ajo dhe vajza e saj nuk ishin në shtëpi kur arritën njerëzit e armatosur. Sapo dëgjoi për këtë, ajo e mori fëmijën e saj dhe iku nga Mazar-i-Sharif për në Kabul.

"Ata donin të më merrnin vajzën time," tha ajo. "Ne u fshehëm në thasët me miell në pjesën e pasme të një kamioni dhe kur shoferi na gjeti, ne iu lutëm që të na çonte në Kabul."

Pasi shkoi në kryeqytetin afgan, Raihana shkoi nga ambasada në ambasadë duke kërkuar ndihmë.

Përfundimisht motra e saj, e cila jeton në Mbretërinë e Bashkuar, qe në gjendje t'i çonte ato të dy në një avion që fluturoi jashtë Afganistanit për në vend të sigurt. Tani ato janë në Mançester.

"Unë arrita të largohem nga Afganistani pas kaq shumë vështirësish. Jam shumë e lumtur që vajza ime është me mua, "thotë Raihana. "Falënderoj qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar."

Kurse Yalda, një 28-vjeçare, nënë e vetme e tre fëmijëve, është fshehur në Kabul ndërsa ish-burri i saj e ndjek për fëmijët e saj.

"Ish-burri im është anëtar i talebanëve tani dhe po përpiqet të më marrë fëmijët e mi," tha ajo. "Shtëpia e babait tim është e rrethuar. Ata po i ngacmojnë vazhdimisht, duke më kërkuar mua dhe fëmijët e mi. Ai dëshiron të shfrytëzojë çdo mundësi që i jepet. ”

Yalda* thotë se ajo ishte terrorizuar nga burri i saj për vite me rradhë. “Babai im e organizoi martesën kur unë isha vetëm 14 vjeç. Nuk dija asgjë si ishte të martoheshe -se isha akoma fëmijë, " tha ajo.

Menjëherë më pas Yalda mbeti shtatzënë dhe ajo pati dy fëmijë të tjerë në vitet që pasuan. Ajo gjithashtu zbuloi se burri i saj ishte anëtar i talebanëve. Ajo thotë se martesa e tyre ishte e dhunshme dhe abuzuese.

"Ai nuk e linte vajzën të shkonte në shkollë. Ai më rrihte me rrip kur unë do të këmbëngulja që ajo të shkonte në shkollë. Trupi im është i mbuluar me shenja të rrahjeve të tij, "thotë ajo.

Në vitin 2014, Yalda vendosi që ajo kishteduruar  mjaft. “Në një natë dimri, kur burri im ishte me talebanët, unë mora fëmijët tanë dhe ika. Ishte shumë ftohtë dhe errësirë ​​por unë arrita të shpëtoj me ndihmën e fqinjit tonë. Mora fëmijët e mi dhe mbërrita në një makinë që po shkonte në Kabul. ”

Yalda iku në Pakistan dhe u kthyer në Afganistan vetëm kur burri i saj u arrestua dhe u burgos nga forcat afgane të sigurisë. Kur u kthye, asaj iu dha kujdestaria e fëmijëve të saj, por tani me talebanët përsëri në pushtet, ajo është e tmerruar nga ajo që do të ndodhë.

 Ende e fshehur, ajo shpreson se aplikimi i saj për vizë në SHBA do të jetë i suksesshëm, por nuk e ka idenë se si do të jetë në gjendje të largohet.

"Unë kam duruar shumë për shkak të fëmijëve të mi që nga viti 2014," thotë ajo. "Unë kam toleruar shumë dhimbje për t'i siguruar ato. Unë isha nënë dhe baba për ta.

"Unë kurrë nuk do t'i braktis ata, por kam nevojë për ndihmë për t'i mbajtur me vete."

*Emrat janë ndryshuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco