Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ ‘Der Spiegel’: Rama dhe Shqipëria janë narkoshtet

Fitojnë ata që guxojnë: Vota e lirë, një sfidë përtej frikës

Fitojnë ata që guxojnë: Vota e lirë, një sfidë përtej frikës

12:27, 25/08/2024
A+ Aa A-

Kontekst në kujtesë

Ma ngacmon kujtesën një reflektim shterues i At Zef Pllumit në trashëgiminë rrëfimtare në letra që ai i la brezit tim, krejt të huaj ndaj asaj që ai dhe bashkëkohësit e tij jetuan, “Rrno për me tregue”. Në këtë thesar ndër thesare për vetë detajet të cilat thjeshtësia e së vërtetës në rrëfim i bën tronditëse, çka e bën të vështirë të mbartësh në vetëdijen e kujtesës disa detaje përkundrejt të tjerave, nuk mund të mos i dorëzohem impaktit që la tek unë reflektimi i tij në çaste të ndryshme të veprës mbi shenjat karakteriale, morale e psikologjike të kombit tonë, të shqiptarëve. Herë bija dakord me Atin, e herë do të kisha dashur t’i kundërflisja disa arsye pse pamja nuk ishte aq e zezë sa e përshkruante ai, edhe pse në çast kthjellohesha e bindesha pa kthim se po, nuk ishte faji i të vërtetave pse ato pikturonin një pamje aq të errët të popullit tonë, terr, i cili kulmonte me aktin që legjendat mbi virtytet tona të larta i zvenit e i bën më surreale seç vetë janë, aktin e vëllavrasjes, shqiptarë që vranë shqiptarë. E ç’do na rrëfejnë më shumë arsyet si, pse, kush, për politikë a për ideologji, kur kaq mjafton: shqiptari vrau shqiptarin. Vitet kaluan, dielli lindi e perëndoi duke dëshiruar të na hedhë në të tjera kohë, së paku në kohë të tilla që i bëjnë ato të cilat Ati i përshkruan në libër të jenë tashmë histori. A janë vallë vetëm kaq? Druaj se jo. Shqiptari që vrau shqiptarin në rrëfimet e atij terri e boshatisi skenën e krimit të një vendi kaq të vogël për ta moderuar aktin. Sot, kur unë e mbyll librin e  rrëfimit të kujtimeve të asaj kohe, e kthehem në të tashmen, akti është i zbutur. Sot, shqiptari përgjon shqiptarin, shqiptari kërcënon, frikëson, shantazhon, i tund kotheren e bukës shqiptarit. Sot, shqiptari tërheq prej xhakete shqiptarin. Ç’vërtetësi e trishtë mjaftueshëm për të mos u dalluar nga ato rrëfime. Ç’pamje më e zezë se vetë pasojat kur mendon se prapë politika është qëllimi që justifikon mjetin, gjithmonë ka qenë.

Shembull ndërkombëtar

Bërë kjo trajektore e mendimit, besoj ia dal t’ju tërheq në kontekstin e aktualitetit. Patronazhimi, kërcënimi për zhvatjen e votës së shqiptarëve të mbetur në trevën e tyre mëmë, dhuna e vazhdueshme psikologjike nën kërcënimin për vendin e punës të tyre, të babës, të nënës, të vëllait, motrës, birit, bijës përkundrejt ose mos-votimit ose votimit pro qeverisë post-komuniste dhe konkretisht të rilindur më 2013, tashmë edhe pas 11 e kusur vitesh, nuk mund të mbesë më një rrëfim interesant për kronikë lajmesh, aq më pak e vërtetë që bërtitet përdhunshëm pas zgjedhjeve. Shqipëria e rrëshkitur në autokraci elektorale nuk është vetëm në këtë aventurë regresive dhe anti-kombëtare të saj. Ndër disa përngjasime, Bjellorusia e Lukashenko-s i bëhet simotër. Për të parën herë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, vala e protestave agresive dhe persistente të opozitës para, gjatë dhe pas shpalljes së rezultatit për zgjedhje dhe votim të lirë, sipas shumë politologëve gërvishti seriozisht autokracinë e rrënjosur të Lukashenkos. E kryesuar nga Svitlana Tsikhanouskaya dhe jo vetëm, opozita u përqendrua vetëm në një objektiv: të bindte masivisht bjellorusët se ndryshimi është i mundur dhe është faktik, por nuk vjen për shkak të manipulimit zgjedhor. Në funksion të këtij objektivi, përveç rezistencës civile masive me protesta të pandalura në asnjë periudhë, opozita bjelloruse përveç një sistemi paralel të tabelimit dhe numërimit të votave, si dhe identifikimit të votuesve antiqeveritarë përmes byzylykëve të bardhë ditën e zgjedhjeve, përmes një rrjeti vullnetarësh të quajtur “Honest people” (njerëz të ndershëm), ia doli të identifikonte punonjës të administratës publike të cilët ishin pjesë e manipulimit të vullnetit të lirë të zgjedhësve duke shantazhuar, kërcënuar dhe ushtruar presion ndaj votuese, qartësisht duke bërë atë që autokracitë i mban në këmbë. Opozita bjelloruse u vendos përballë atyre që në Shqipërinë tonë u glorifikuan paturpësisht (se turpi s‘ka turp nga turpi) si patronazhistë. Emrat dhe portretet e tyre u bënë publikë në një databazë të hapur të aksesueshme për çdo qytetar. Rezultati? Një efekt domino i frikës se emri i radhës në databazë do të ishte ai i shantazhuesit tjetër. Sipas çdo verifikimi dhe studimi politik, kjo metodë e përballjes publike me vrasësit e votës së lirë uli ndjeshëm veprimtarinë e tyre të shantazhimit përkundrejt bashkëqytetarëve të tyre.

Propozim

Mësim për t’u marrë dhe nevojë për t’u përvetësuar një guxim i tillë nga opozita shqiptare me në krye Partinë Demokratike. Identifikimi, bërja publike dhe përkufizimi i patronazhistëve si kriminelë të votës, pjesë e administratës publike, propozohet si projekt i cili duhet të fillojë mjaftueshëm përpara fushatës zgjedhore për të thyer mitin e krijuar rreth tyre. Partia Demokratike duhet të marrë përgjegjësinë morale dhe politike të demaskimit publik të patronazhistëve përmes krijimit të një databaze me emër, mbiemër dhe identifikim pamor të tyre. Me ndihmën e medias të paktë mbetur e lirë, kjo databazë mund të shpaloset gradualisht për shqiptarët, të cilët mbase për të parën herë do të shihnin shefin, drejtorin, kolegun me krahë të gjatë shumë, të identifikohej publikisht si i tillë: si patronazhist. Databaza shqiptarëve nuk do t‘u thoshte asgjë të re përveç se një mesazhi të fuqishëm po aq sa nevoja për ta dëgjuar: turpi s’mund të jetë krenari, turpin e skuq vetëm guximi për t’i qëndruar përballë, pa turp, pa frikë. Qëllimi duhet të jetë i dyfishtë: së pari, njëjtë si shembulli të cilit i referohem, ai i efektit domino, ku publikimi i një pjese paralajmëron duke ia kufizuar aktivitetin e shantazhit, spiunazhit dhe blerjes së votës të tjerëve; së dyti, kjo do të shërbente si tregues i zotimit të Partisë Demokratike për hapjen e rrugës për një administratë publike që nuk është më fatkeqësia e këtij vendi, as hambar i meskiniteteve partiake, aq më pak strehë e anti-shqiptarëve që si dikur, për parti nuk e kursejnë as mikun, as kolegun. Me marrjen e drejtimit të vendit, kjo nismë faktike e papajtueshmërisë me vrasjen e vullnetit të lirë të zgjedhësve, ashtu sikurse e një mentaliteti politik dhe social që nuk i frigohet ferrës së keqe dhe as e mëshiron demaskimin publik të saj, mund të konkretizohet me nisma ligjore që parashikojnë penalitete serioze, duke i shërbyer më së fundmi jo vetëm të ashtuquajturës prej meje drejtësi politike e garës, por më së shumti shqiptarëve dhe lirimit të tyre nga ky mentalitet që shëmton të tashmen e vendit po aq sa dhimbshëm shëmtuar rrëfehet një pjesë e historisë së tij.

Retorikë

E kam të kthjellët dijeninë se aktiviteti i spiunazhit post-demokratik në Shqipëri është sport i ushtruar nga punonjës administrate, përgjegjësa e drejtues në institucione të ndryshme si spitale, shkolla, ndërmarrje publike etj., po aq sa është mjet mbijetese për të papunin në klubin e lagjes. Sërish nuk keqardh e nuk justifikoj asnjërën palë, e kush beson se papunësia dhe mjerimi paska “detyruar” të mjerët prej shqiptarëve të përfshihen në vetëm patronazhim, pa patur mundësi të bëjnë drejtpërdrejt shantazh dhe kërcënime, gabon. Gabon sepse harron dashur a padashur që po kaq të goditur, të përndjekur, të shantazhuar, të ndëshkuar pati nga radhët e qindra-mijëra demokratëve shqiptarë që për 12 vite me radhë, për të dytën herë në brenda 100 viteve politikë, sikur të rikthehesin pas në kohë, mbetën stoikë dhe nuk negociuan dinjitetin për të menduar, zgjedhur dhe votuar të lirë. A nuk ka detyrim PD ndaj tyre? A nuk meritojnë këta shqiptarë që mbartin me dinjitet cilësitë më të vyera të karakterit kryeneç, së paku të ndiejnë se sakrifica për bindjet e tyre politike e paguar me tmerrin psikologjik dhe ekonomik të vrasësve të votës së lirë nuk do të kalojë pa u shpaguar? Pse Partia Demokratike duhet të ketë frikë nga ngritja në lartësinë e guximit për t‘i dalë zot votës së lirë, duke dëshmuar forcë, forcë për të kallur frikë?!

E kam bindje mbase edhe vetëm intuitive se vetë shqiptari do ta mbrojë me zotësi e pa u tutur votën e tij në të parin çast që kupton se po aq seriozisht e ka këtë betejë edhe politika. Kjo do të thotë nevojë për besim, nevojë për t’u bindur se nuk është vetëm e bashkë me të një forcë më e madhe politike, një shumësi e fortë shqiptarësh si ai, pa u frikur, bën betejë guximi për votën e lirë. Kjo betejë duhet të shkojë përtej titullit të këtij paragrafi të fundit. Fundi do të mbesë i njëjtë nëse beteja do të mbesë retorikë! Retorika tejkalohet me guxim, fitorja po ashtu arrihet me guxim, edhe kur guximi, me vete, sjell sakrificë.

Image

Pranvera Shehaj

Anëtare e Departamentit Brain Gain, Partia Demokratike

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco