Protesta e opozitës në 11 korrik, që kronikat e korrupsionit qeveritar të mos kalojnë pa na bërë përshtypje

Protesta e opozitës në 11 korrik, që kronikat e korrupsionit qeveritar të mos kalojnë pa na bërë përshtypje

08:10, 11/07/2024
A+ Aa A-

Nga Dr. Med Emanuela Dyrmishi*

“Raporti Global i Lumturisë 2024” financuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e renditi Shqipërinë në vend të 87-të mes 143 vendeve në total të marra në analizë. Krahasuar me vitin 2023 Shqipëria ra me 4 pozicione. Prej vitesh, duke filluar që nga viti 2017, Shqipëria renditet e fundit në rajon, kur në të njëjtën kohë, Motra Kosovë ka bërë  përmirësime të njëpasnjëshme duke lënë pas vendet e rajonit dhe disa vende të BE.

Raporti i lumturisë merr parasysh faktorë që njerëzit i ndjejnë mbi supe në jetën e përditshme si perceptimi i korrupsionit, mbështetja sociale, lirinë për të bërë zgjedhje, prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, bujarinë.

Ngjarjet e fundit, dhe që duken kaq të pafundme në vend sa nuk na tronditin më për korrupsionin, arrestimin e ministrave, drejtorëve e kryetarëve bashkiakë duken gati një kronikë e përditshme që nuk na bën më përshtypje.

Por a është vërtet e mundur që ngjarje të tilla të na lënë të paprekur në emocione dhe në dinjitetin tonë si popull? Analizat e statistikat kombëtare e ndërkombëtare thonë të kundërtën; Populli Shqiptar ndjehet i tradhëtuar dhe i plagosur nga politika.

Nga ana tjetër me siguri duket se nuk vuajnë të njëjtat emocione drejtoresha të Bashkisë të Tiranës të akuazuara për korrupsion, për vjedhjen e taksave të shqiptarëve dhe favorizim të paligjshëm që edhe pse me akuza kaq serioze mbi supe dhe në detyrim paraqitjeje, nuk ndalen të festojë në resortet më luksoze të vendit.

I shumëfoluri Census 2023 flet mirë për këto ndjenja të shqiptarëve.

Të dhënat thonë se në Shqipëri në këtë moment ka 2,402,113 banorë. Popullsia është reduktuar me 409,864 persona në krahasim me censusin e mëparshëm të vitit 2011. Edhe nëse përpiqemi të tregojme se varet nga reduktimi i lindjeve që realisht janë ulur; pjestarë për familje në 2011 ishin 3.8 kurse në 2023 3.2, ky reduktim drastik i popullsisë është i lidhur me largimin nga vendi.

Akoma sot numri i të miturve shqiptarë të pashoqeruar në shtetin fqinj Itali, ngelet i lartë; 1295 fëmijë e adoleshentë shqiptare .

Në vitet 2001/2011 popullsia u reduktua me 8% (pjestarë për familje 4.2 vs 3.8), nga 2011 deri më sot reduktimi është dyfishuar.  Por shqiptarët përvec vendit kanë lënë masivisht edhe zgjedhjet dhe besimin te politikanët që teorikisht duhet ti përfaqësojnë.

Të dhënat e Komitetit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ), nga viti 2005 dei më sot tregojnë qartë se përvec vitit 2019 kur opozita bojkotoi dhe u kërkoi votuesve të bojkotonin zgjedhjet dhe numri i votuesve arriti në 22.26%, viti 2023 shënoi pjesmarrjen e 38.23 % të atyre që kishin të drejtë vote. Bojkotimi masiv dhe i pathirrur këtë herë nga opozita arriti në 61.77% të votuesve, 61.77% e shqiptarëve i zhgënjyer dhe që nuk ndjehet i përfaqësuar.

Image

Mendoj se kjo është e dhëna më domethënëse për politikën e sotme shqiptare.

Protesta e 11 korrikut edhe pse e thirrur nga opozita përputhet në këtë moment me një protest më të madhe, megjithëse të heshtur, të Popullit Shqiptar për të cilën flasin qartë të dhënat e mësipërme.

Shpresoj dhe uroj, për të gjithë popullin, që këto protesta të mos bien pre e demagogjive të dhunës së provokuar, por të jenë shprehje e protestës përfaqësuese të mbarë popullit për të gjetur vetëdijen dhe vlerën që meriton.

* Autorja

Eksperte e Sigurisë Kombëtare

Analiste e Rrezikut Ekonomik, Gjeopolitikës dhe Inteligjencës

Eksperte e Marëdhënieve Ndërkulturore

Eksperte e Ekonomisë dhe Politikave të BE

 

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco