Mundësia historike për një marrëveshje të madhe djathtas për të shpëtuar Europën

Mundësia historike për një marrëveshje të madhe djathtas për të shpëtuar Europën

10:50, 11/06/2024
A+ Aa A-

Nikola Kedhi për BrusselsSignal

Është e nevojshme të shohim së pari Europën që sapo ka pasur këto zgjedhje. Pastaj të analizojmë rezultatet politike.

Europa sot është një kontinent që po shkatërrohet nën peshën e mbirregullimit masiv dhe mbitaksimit. Ajo vazhdimisht mbetet pas Shteteve të Bashkuara në punësim, sipërmarrje, inovacion dhe rritje ekonomike.

Për vite të tëra, politikanët në Bashkimin Evropian kanë mbyllur termocentralet bërthamore (të cilat prodhojnë energji të pastër, me kosto të ulët dhe të sigurt), kanë mbyllur impiantet e qymyrit dhe kanë ndaluar eksplorimin e gazit natyror, duke dëmtuar biznesin dhe industrinë në emër të të ashtuquajturës energji e gjelbër.

Në aspektin gjeopolitik, BE-ja është jokoherente, me politika të jashtme të nxituara dhe joefektive, pa synime të qarta dhe pa një vizion të qartë për rolin e kontinentit përgjatë këtij shekulli.

Megjithatë, këto janë thjesht aspekte të një të vërtete më të madhe. Evropa po shkatërrohet nga brenda, në emër të një të mire më të madhe që po varfëron qytetarët e thjeshtë dhe pasuron burokracinë në zgjerim në Bruksel dhe kryeqytetet e BE-së.

Të gjitha këto i shtynë votuesit të kthehen nga e djathta. Rezistenca ndaj Marrëveshjes së Gjelbër, lufta, kostoja gjithnjë në rritje e jetesës dhe emigracioni i paligjshëm, të gjitha ndikuan në zgjedhjet e fundjavës për Parlamentin Evropian. Është një fakt i padiskutueshëm që votuesit në mbarë kontinentin e kanë bërë mjaft të qartë vullnetin e tyre, jo vetëm në këto zgjedhje por edhe në ato kombëtare, në mënyrë konstante gjatë viteve të fundit.

Votuesit i kanë dërguar Brukselit një sinjal të fortë. Ata duan që Partia Popullore Evropiane (EPP), grupi dominues i qendrës së djathtë në parlament, të punojë me grupe të tjera konservatore dhe të gjejë një mënyrë për të shpëtuar Evropën.

Madje, ata mesa duket kanë zgjedhur t'i falin flirtimet e EPP-së me të majtën ekstreme, me çmenduritë e Gjelbërta dhe me sulmin e paprecedentë ndaj fermerëve, duke zgjedhur të besojnë kthesën që bëri EPP për çështjet e Gjelbërta ndërsa zgjedhjet po afroheshin.

Në të gjitha vendet evropiane, socialistët, liberalët dhe të gjelbërt janë votuar kundër në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa partitë e qendrës së djathtë, konservatore dhe të djathta kanë parë numrat e tyre në rritje.

Fermerët, shtresat e mesme, sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm kanë treguar refuzimin e tyre pa mëdyshje ndaj çmendurisë që quhet Marrëveshja e Gjelbër dhe të gjitha politikave që lidhen me të.

Evropa ka bërë luftë ndaj burimeve tradicionale të energjisë, pa pasur alternativa të rinovueshme për të përmbushur nivelet e kërkesës. Kjo shoqëruar dhe me represionin fiskal, e ka bërë BE-në të varur nga Rusia dhe vendet joaleate për energji, gjë që ndikon në sigurinë kombëtare.

Për më tepër, votuesit kanë treguar se duan kufij të sigurt, ligj e rend dhe një përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë, traditat dhe zakonet, duke refuzuar qartazi wokeismin dhe format e tjera të marksizmit kulturor.

Për më shumë se një dekadë Unioni ka qenë në një udhëkryq: ose do të shkatërrohet nga vendimet arbitrare të burokratëve të pazgjedhur dhe të papërgjegjshëm ose do të reformohet për të qenë më në përputhje me atë që etërit themelues kishin parashikuar. Nuk mund të ketë rrugë tjetër, kryesisht sepse të gjitha shtetet anëtare kanë lejuar që BE të vazhdojë në rrugën e rënies duke pretenduar se gjërat ishin në rregull.

Qytetarët evropianë po e bërtasin këtë në çdo rast që kanë, përmes votave, protestave apo mosbindjeve civile. Reagimi dhe zgjidhja nuk mund të vijnë nga e majta, pasi ajo është shkaku i një mjerimi të tillë të shkaktuar në kontinentin e vjetër. Votuesit kanë zgjedhur edhe një herë partitë e së djathtës për t'u ngritur në lartësinë që kërkon momenti historik dhe për të treguar rrugën e kthimit drejt prosperitetit dhe normalitetit.

Në të gjithë Evropën, partitë Socialiste, të Gjelbërta dhe Liberale, të shkëputura nga realiteti, për shkak të ndjenjës së rreme të sigurisë që të jep të qenit një establishment i përhershëm, kanë parë rënie masive.

Padyshim, kontinenti është zhvendosur djathtas, me qytetarët që besojnë se nevojiten zgjidhje konservatore, të menduara mirë, për të shpëtuar familjet, komunitetet dhe vendet e tyre.

Ekziston vetëm një rrugë për të miratuar ndryshime pozitive të qëndrueshme për qytetarët e BE-së. I takon EPP-së, si grupi më i madh i qendrës së djathtë, të ngrihet mbi dallimet e dukshme dhe të ofrojë një marrëveshje historike për konservatorët dhe reformistët dhe për grupet brenda Identitetit dhe Demokracinë, madje edhe për grupet e arsyeshme liberale klasike.

Ashtu siç pritej, ishte instinkti i parë i burokratëve në udhëheqjen e EPP-së që t'u drejtoheshin aleatëve të tyre socialistë dhe liberalë, duke shpërfillur kështu votuesit e tyre.

Do të ishte marrëzi, madje një gabim historik, të vazhdosh normalisht dhe të injorosh atë që duan votuesit. Votimi në fundjavë shkoi në drejtim të kundërt me koalicionin aktual qeverisës në Bruksel.

Nëse EPP vazhdon të injorojë çështjet për të cilat interesohen votuesit konservatorë, dallga e krahut të djathtë në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet një cunami, i cili do të marrë përpara jo vetëm socialistët dhe radikalët e majtë, por edhe vetë EPP-në.

EPP duhet të kuptojë se ata janë krijuesit e asaj që vetë e quajnë e djathta ekstreme. Teksa EPP dekadat e fundit lëvizi majtas, u krijua një vakum në të djathtë që duhej mbushur.

Një numër i konsiderueshëm votuesish nga e djathta mbetën politikisht jetimë. Sa më shumë EPP centriste  bashkëpunonte me të majtën dhe të majtën radikale, votuesit e tyre historikë, të frustruar filluan të shihnin gjetkë. Kjo çoi në krijimin e partive konservatore dhe më të djathta, të cilat thjesht ishin më të zëshme, por në thelb përkrahnin të njëjtat vlera dhe parime si EPP-ja e mëparshme konservatore, përpara se të lëvizte majtas.

Ndërkohë e majta u zhvendos edhe më majtas, duke u bërë më radikale dhe agresive. Votuesit në masë të madhe duan një ndryshim për këtë. Ata duan një EPP në krye të një aleance konservatore që sjell ndryshime. Sa më shumë që EPP të distancohet nga votuesit e saj, aq më i zëshëm do të bëhet votuesi i thjeshtë konservator, pasi nuk ka rrugë tjetër për t'u dëgjuar.

Dallimet midis grupeve konservatore janë të shumta, por unë besoj se ajo që bashkon të djathtën është më e madhe se ajo që e ndan atë. Presidenti Reagan arriti të formojë një koalicion që shtrihej nga libertarianët tek konservatorët tradicionalë e fiskalë dhe antikomunistët dhe arriti të sigurojë një model që doli i suksesshëm.

Grupet evropiane brenda spektrit të djathtë duhet të bashkohen mbi bazën e disa parimeve të përbashkëta, duke përfshirë respektimin e sundimit të ligjit dhe ndalimin e çdo lloj përdorimi të ligjit si armë politike, sigurimin e lirive individuale kundër çdo lloj shkeljeje nga qeveritë, duke punuar drejt kufizimit të ndikimit nga Brukseli, duke punuar për tregje të lira e të drejta, taksa të ulëta dhe derregullim për të çliruar potencialin e jashtëzakonshëm në sipërmarrjen evropiane, kontrollin dhe sigurimin e kufijve, forcimin e parimit të subsidiaritetit (atë që bëjnë shtetet sovrane më mirë nuk mund ta ketë Brukseli si kompetencë) dhe respektimin e Traktateve themeluese.

Rënia është një zgjedhje. Nuk është e pashmangshme. Unë besoj se një shumicë e shëndetshme në EPP, ECR, ID dhe madje edhe në liberalët e Renew do të pajtoheshin me këto parime, të cilat i bëjnë jehonë asaj që libertarianët duan dhe atë në të cilën besojnë konservatorët dhe identitarët.

Pra, unë i bëj një thirrje modeste EPP-së: Ngrihuni përballë socialistëve, atyre që qeverisin me komunistët, separatistët, marksistët e deri te terroristët në shumë qeveri kombëtare, duke ju turpëruar në nënshtrim.

E djathta duhet të jetë krenare për vlerat dhe historinë e saj. Një bashkim i madh i së djathtës është ajo që e majta ka frikë dhe ajo që populli po kërkon. Refuzoni të parën me neveri dhe përqafoni thirrjen e këtij të fundit për një vendim historik që do të shënojë fillimin e ndryshimit për kontinentin tonë.

Përndryshe, Europa do të përfundojë një histori e trishtë e shekullit të 21-të, e pafuqishme për të parandaluar rënien e saj, e paaftë për të ndikuar në çështjet botërore për herë të parë në dy mijë vitet e fundit. Topi është në fushën e PPE. Le t'i inkurajojmë ata të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë historike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco