Lleshanaku në 'Odeon': Ika nga Shqipëria, u shpërfytyrova si njeri, po më zihej fryma

21:57, 05/10/2024
A+ Aa A-

Drafte të papërfunduara, poezi të padhëna formë, shkrime që kanë ndryshuar narracionin me ndryshimin e katërciptë të jetës së saj. Në “Odeon” poetja Luljeta Lleshanaku tregon se si është çliruar nga tensioni i Shqipërisë, ngase prej dy vitesh jeton në Amerikë. 

“Ndjeja një boshllëk shumë të madh, isha zbrazur shumë. Më dukej sikur kisha nxjerrë një tumor nga trupi, sikur nuk kisha nevojë për të shkruar, sikur e kisha nxjerrë atë që doja. Ajo çka më ka bërë të hezitojë të shkruaj, kam drafte që janë krejtësisht të ndryshme nga ato që mund të kisha shkruajtur. Janë ndryshimet që kanë ndodhur në jetë time, prej pothuajse dy vjetësh ika nga Shqipëria, jetoj në SHBA për sa vite nuk e di, por thjeshtë futem në një botë krejt tjetër edhe ndryshon komplet edhe konfigurimi emocional, pra ke një organizim krejt tjetër.

Jam në paqe, ika nga një Shqipëri ku ka kaq shumë tension, ka kaq shumë padrejtësi, ku gati u shpërfytyrova si njeri, po më zihej fryma. Nuk është e rëndësishme që ato padrejtësi që të ndodhin të atakojnë ty, në një farë mënyre na atakojnë të gjithëve. Atje kupton që ke ndërtuar dhe ke arritur në atë stad social si popull pothuajse i pashpresë.

Domethënë u bë shumë stresuese, një tension i jashtëzakonshëm, edhe kur ka shumë tension është mirë që të mos bësh shumë letërsi. Duhen ruajtur ato momentet as shumë, as pak se momentet që shkruan kanë të bëjnë me kthjelltësinë. Gjithë pjesa tjetër është proces asimilimi, meditimi, dhe përfundimi i një ideje. Jam zhvendosur në një botë krejt tjetër, ku çdo gjë është e qetë, gjithçka është e programuar, ku gjithçka është e pritshme.

Këtu çdo ditë ndodh ndonjë çudi e pakta. Ritmi emocional i brendshëm vjen duke u ulur fare, nuk ka zhvillime të ndara nga dita në ditë, nuk ka irritim, nuk ka zemërim, jeta bëhet më e parashikueshme gati e mërzitshme. Sigurisht që për një emigrant që ka pak vite nuk është e lehtë, po prapë është e menaxhueshme, nuk është traumatike. Duke u shkëputur nga ky realitet jam futur në diçka tjetër.

Gjithë preokupimet e mia kanë të bëjnë më shumë me botën metafizike, me vdekjen, për shkak se e ndjej shumë afër. Gjithë jeta ime është e programuar rreth mamës, që është e moshuar, në një farë mënyre disi ndryshe edhe rreth babës, prej vdekjeve që ndodhën në familje u futa në një botë krejt tjetër. Çdo gjë që kisha shkruar deri tani, kisha qenë gati e llastuar, më dukej sipërfaqësore çdolloj shqetësimi im i deritanishëm. Tani janë krijuar dimensione të tjera, mendoj për të tjera gjëra, por kjo patjetër që duhet të projektohet në poezi. Unë s'mund të krijoj artificialisht një lloj situate poetike që nuk e kam, një lloj shqetësimi që nuk e kam”, tha Lleshanaku në “Odeon”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco