Materiale historike-80 vite nga pushkatimi i Llazar (Zai) Fundos/ Antifashisti, intelektuali, pararendësi shqiptar i BE-së

Materiale historike-80 vite nga pushkatimi i Llazar (Zai) Fundos/ Antifashisti, intelektuali, pararendësi shqiptar i BE-së

15:16, 23/09/2024
A+ Aa A-

Llazar Fundo është një figurë komplekse e historisë shqiptare. Një intelektual poliglot me plot 9 gjuhë të huaja, që lindi në një familje tregtarësh nga Voskopoja në Korçë, më pas në rini u bë komunist, u pushkatua nga komunistët dhe përpara togës së pushkatimit la testamentin e tij: “Komunizma që idealizonim si Krishtin, për nga ligësitë ia kalon dhe djallit. Kam qenë komunist, por s’do të vdes kurrë i tillë. Mund të gënjeja për të shpëtuar kryet, por s’mund ta bëj një gjë të tillë. Fotot që janë në çantë t’i jepen nënës në rast se është gjallë”.

Këto janë fjalët e një intelektuali të kalibrit europian. Një ish-anëtar i Kominternit që më pas denoncoi dhe akuzoi Stalinin dhe krimet e tij.

Historia e diktaturës në Shqipëri e akuzon si tradhtar, dikush tjetër si themelues të Partisë Komuniste, por faktet dhe të vërtetat e zbuluara tregojnë një intelektual që qëndroi me vlera dhe përkushtim në krah të njerëzve më të mëdhenj të kohës.

Fundo është arrestuar nga italianët në 5 maj 1939 dhe nuk ka asnjë lidhje me themelimin e PKSH-së nga Dushan Mugosha, Miladin Popoviç dhe Enver Hoxha si vegël e tyre në nëntor 1941. Llazar Fundo ndodhej i internuar në Vetontene dhe kur në Shqipëri jugosllavët themelonin Partinë Komuniste, ai firmoste ‘Il Manoifesto Di Vetontene’, i cili është dokumenti ku janë hedhur rrënjët e Bashkimit Europian dhe një prej hartuesve dhe firmëtarëve të saj është Llazar Fundo, i cili shpesh thirrej Zai.

Fundo vlerësohet nga historiografë italianë, gjermanë, francezë, shqiptarë etj., si një nga filozofët më të mëdhenj të kohës, politikan dhe një parimor plot ide që kërkonte një Europë pa kufij.

Më poshtë po sjellim një përmbledhje të disa shkrimeve, fakteve dhe dokumenteve të publikuara në kohë të ndryshme për Llazar Fundon.

Jeta e Llazar Fundos

Llazar Fundo, i njohur si Zai Fundo, lindi në Korçë, më 20 mars 1899, në një familje tregtare me origjinë nga Voskopoja. Ndoqi Liceun Francez në Selanik, më pas studioi për drejtësi në Sorbonë në Paris, ku ra në kontakt me idetë komuniste. Në vitin 1923 u kthye në Shqipëri me profesionin e avokatit. Ai ishte veprimtar dhe kryetar i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit, eksponent i njohur i lëvizjes komuniste, pastaj gazetar socialdemokrat. Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë “Bashkimi” (1922-1925) dhe pas vrasjes së Avni Rustemit në vitin 1924 zgjidhet kryetar i shoqërisë dhe drejtoi gazetën “Bashkimi”. Në fund të dhjetorit, kur ra qeveria e Nolit, ai u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë dhe Rusi.

Gjatë kësaj kohe ai bashkëpunoi me gazetën “Liria Kombëtare” të Omer Nishanit. Gjatë qëndrimit në Vjenë, ai u bashkua me Federatën Komuniste Ballkanike, ku përfshihej Komiteti i Kosovës, ku vepronte Zai Fundo. Më pas emigroi në BRSS, u diplomua për filozofi në Moskë dhe mbajti leksione për këtë temë në Leningrad dhe u bashkua me Kominternin.

Mori pjesë në Kongresin e 8-të të Federatës Komuniste Ballkanike ku diskutoi për formimin e Partisë Komuniste në Shqipëri, duke ndihmuar në formimin e Grupit Komunist të Korçës.

Në vitin 1933, ai ishte në Gjermani ku pa zjarrin e Rajhstagut dhe u nis për në Bashkimin Sovjetik me gjyqtarin e Lajpcigut, Georgi Dimitrov. Ai u dënua me vdekje nga Kominterni për qëndrimin e tij antistalinist në vitin 1938, por Dimitrov, në atë kohë kreu i Kominternit, e rrëzoi vendimin.

Në vitin 1939, pas pushtimit italian, u kthye në vendlindje dhe filloi punën si mësues i shkollës së mesme. I hequr pas një viti për aktivitetin e tij antiitalian së bashku me Ali Këlcyrën, me të cilin nuk ishte dakord në opinionin politik të qendrës së majtë. I kapur nga italianët dhe i internuar në ishullin famëkeq të Ventotene. Ai do të ishte aty me Safet Butkën, Muzafer Pipën, Isuf Luzajn, Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin.

Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Ndërsa inteligjenca dhe njohja e disa gjuhëve ia shtuan besimin, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë dhe kur Dimitrov u arrestua pas zjarrit të Rajhstagut, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. Ai i shpëtoi arrestimit dhe rihyri në Moskë ku punoi në International. Kur filloi era e spastrimeve të mëdha, ai, një komunist besnik, por i arsimuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte frekuentuar jo pak kundërshtarë të Stalinit...

Në Ventotene ai ishte afruar natyrshëm me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Përndryshe ai ecte i qetë, i drejtë, i bukur, me flokë bionde që frynin nga era, duke mërmëritur butësisht fjalët e Platonit që po lexonte greqisht, duke kërkuar në tekstet e lashta qetësinë shpirtërore që i kishte marrë dështimi i përvojës komunistin e tij dhe se nuk e gjente askund. Pas 8 shtatorit, kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve Ventotene, Lazar Fundo zbriti në bregdetin e Pulias, kaloi në Shqipëri, njohu partizanët komunistë duke u thënë se kush ishte dhe kush do të vinte të luftonte me ta, u vendos pas murit dhe u qëllua.

Pasi regjimi fashist ia doli në vitin 1943, me gjithë mbështetjen vëllazërore e miqësore që Sandro Pertini i dha, në një takim të fundit me të në Romë, në gusht 1943 që donte ta bindte të qëndronte në Itali për të luftuar me të fashizmin, ai vendosi të kthehet në Shqipëri për të luftuar. Ai bashkohet me vëllezërit Kryeziu dhe me misionin britanik pranë tyre në Malësinë e Gjakovës.

Në shtator 1944 kapet nga partizanët jugosllavë në malin e Dobrejt të Tropojës dhe iu dorëzua komunistëve shqiptarë. I dënuar për "trockizëm" dhe bashkëpunim me Shërbimin Informativ Britanik. U arrestua dhe u vra nga forcat partizane në Kolesjan të Kukësit më 23 shtator 1944.

Në radiogramin e Enver Hoxhës më 21 shtator 1944 thuhet: “Zai Fundon e torturoi për vdekje dhe më pas e pushkatoi”.

Llazar Fundo ishte hartues i Manifestit të Ventotenes “Për një Europë të lirë dhe të bashkuar”

I internuar në ishullin e Ventotenes si antifashist, do të binte në kontakt me ideologët italianë, Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi, me të cilët Fundo do të hartonte "Manifestin e Ventotenes", i njohur si pararendës i Kongresit të Hagës dhe i Deklaratës së Shumanit.

Ata zhvilluan një vizion të ri për krijimin e një Europe të lirë dhe të bashkuar, të bazuar në idenë e sovranitetit, lëvizjes së punëtorëve, të monedhës së përbashkët, etj.

Studiuesit italianë do t'i quanin si pararendëse të Bashkimit Europian idetë e juristit të lindur në Korçë dhe të diplomuar në Sorbonë. Fundo kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, në Shqipëri dhe në Europë.

Si u torturua dhe u vra Llazar Fundo me urdhër të Enverit

Llazar Fundo ishte një përfaqësues tragjik i atyre intelektualëve të majtë shqiptarë që e përqafuan komunizmin si një ideal shpëtimtar për njerëzimin, por që u zhgënjyen plotësisht nga praktika kriminale e komunizmit në Rusi, vende të tjera e në Shqipëri dhe u bë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të atij sistemi çnjerëzor, madje edhe një nga viktimat e tij.

Llazar Fundo ishte një nga antifashistët dhe një nga luftëtarët e parë të luftës kundër pushtuesve, por që u asgjësua nga Enver Hoxha sepse luftonte si patriot dhe demokrat, por jo si pjesë e PKSH dhe e Frontit NÇ.

Kishte kryer shkollën e mesme në Liceun Francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris, njeri me kulturë të gjerë perëndimore dhe mik i personaliteteve të shquara të kohës: Heminguejt, A. Barbys, R. Rolan, L. Pirandelo, S. Pertini, A. Anshtajn, Gj. Dimitrov, F. S. Noli, L. Gurakuqi. A. Rustemi etj.

Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve ‘30-‘40 në Shqipëri e më gjerë. Pas vrasjes së Avni Rustemit u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe ndihmoi në kryengritjen e qershorit 1924. Më pas mërgoi në Europë dhe bëri pjesë në krahun revolucionar të emigracionit politik shqiptar atje. Shkoi në BS për të studiuar dhe njohur nga afër përvojën sovjetike të propaganduar me aq bujë, madje u bë pjesë e Kominternit, por atje gjeti në fuqi tiraninë staliniste, krimin shtetëror, të cilat i denoncoi me kurajë. Nga Moska i shkruante Nolit: “Komunizmi që ne e idealizonim si Krishti, ia kaluaka edhe Satanait për nga ligësitë”. Kominterni e dënoi me vdekje renegatin Fundo dhe ai mezi mundi të shpëtonte kokën. “Ai u shpëtoi spastrimeve”, shkruante E. Hoxha. “Pas kësaj ai rronte herë në Francë, herë në Zvicër e gjetkë, ku zhvillonte një luftë të tërbuar kundër komunizmit, kundër BS, kundër Stalinit” (E. Hoxha, “Kur lindi Partia”).

Në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë u kthye në atdhe dhe e kundërshtoi hapur këtë okupacion. “Në prag të pushtimit fashist” shkruante E. Hoxha me mburrje, me cinizëm dhe zili, “në kulmin e demonstratës popullore, Zai Fundo u ngjit në shkallët e bashkisë dhe mbajti një fjalim antifashist gjithë figura e gjeste ekzakte. Ne e njihnim figurën e vërtetë të renegatit, nuk i hëngrëm fjalët e tij, por sidoqoftë ato e bënë efektin”. (E. Hoxha, “Kur lindi Partia”.)

Për kundërshtimin e hapur që Fundo i bëri pushtimit, në vitin 1941 u burgos dhe u internua në Ventotene të Italisë bashkë me shumë antifashistë të tjerë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Selman Riza, Faslli Frashëri, Myzafer Pipa, Gani e Said Kryeziu, Hasan Reçi, Sadik Bekteshi etj.

Sandro Pertini e çmonte shumë Llazar Fundon kur thoshte: “Zai Fundo është një personalitet me vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën”. (Nga kujtimet e A. Krepashanit, ish-i internuar politik në Ventotene.)

Të burgosurit në Ventotene, duke përfshirë edhe intelektualët antifashistë shqiptarë, ndihmuan jo vetëm në qëndresën antifashiste, por edhe në hartimin e një projekti politik për Europën e Bashkuar pas luftës, që u quajt “Manifesti i Ventotenes” dhe u bë baza e ndërtimit të mëvonshëm të Europës së Bashkuar. Pra këta janë edhe persekutorët e Europës së Bashkuar, ku përpiqemi të integrohet Shqipëria sot. Por, as “Historia e Shqipërisë”, as ajo e Luftës Antifashiste nuk i përmend këto kontribute të shquara të antifashistëve të parë shqiptarë.

Në Ventotene u krijua një komitet i rezistencës, ku bënte pjesë edhe Ll. Fundo, i përbërë prej antifashistëve të shquar: Alessandro Pertini, Altiero Spinelli, Francesco Fancello, Pietro Seçhia, Mauro Scoçimarro, Lazar Fundo, Ante Babich, Antonio Francovich, të cilët kërkonin lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë “si pasojë automatike e nxjerrjes jashtë ligjit të regjimit fashist”. (Paolo Spriano: “Storia del Partito Communista italiano”, Torino, 1978).

Zai Fundo, intelektuali që e konsideronte Stalinin vrasës që në vitin 1938

Një nga personalitetet më të njohura të Lëvizjes Komuniste shqiptare të viteve ‘20-‘30 mbetet pa dyshim Llazar Fundo, ose siç njihet ndryshe Zai Fundo. Ai sëbashku me Sejfullah Malëshovën ishin dhe mbetën deri në fund të jetës dy nga pjesëtarët më të formuar në aspektin teorik dhe intelektual të kësaj lëvizjeje. Kjo bëri që ai të kuptonte shpejt realitetin dhe të distancohej nga komunizmi drejt social-demokracisë.

Zai Fundo ka lindur në Goricë të Korçës në vitin 1899. Pas përfundimit të Liceut Francez në Selanik, ai u nis drejt Francës për të studiuar drejtësi në Universitetin e Sorbonës. Gjatë kësaj periudhe ai ra në kontakt me lëvizjen komuniste. Pas kthimit në atdhe Zai Fundo punoi për pak kohë si jurist. Ai u angazhua në radhët e organizatës “Bashkimi”, kryetar i së cilës u bë pas vrasjes së Avni Rustemit.

Pas rënies që qeverisë së Nolit në dhjetor të 1924, Zai Fundo u largua për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi. Në bashkëpunim me figura të tjera antizogiste ai u angazhua në gazetën “Liria Kombëtare” dhe organe të tjera të kohës, duke botuar artikuj dhe kritika me theks kritik ndaj politikës së jashtme dhe reformave të presidentit dhe më vonë mbretit Ahmet Zogu. Krahas kësaj, Zai Fundo aderoi edhe në Federatën Komuniste Ballkanike.

Për t’u thelluar akoma më shumë në aspektin teorik, Zai Fundo u nis drejt Bashkimit Sovjetik ku studioi për filozofi në Moskë, dhe pas përfundimit të studimeve dha leksione në Universitetin e Leningradit. Gjatë kësaj periudhe ai u anëtarësua në Komintern dhe luajti një rol aktiv në Grupin Komunist Shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Kjo dëshmohet nga dokumentacioni dhe memorialistika e botuar.

Por gjatë qëndrimit në Bashkimin Sovjetik, z.Fundo u bë dëshmitar i vrasjeve, internimeve dhe persekutimit të qindra e mijërave njerëzve të pafajshëm, shumë prej të cilëve vinin nga radhët e vetë komunistëve. Ai pa me sytë e tij se si ajo që propagandohej nga Stalini dhe shteti sovjetik në Europë, nuk përputhej aspak me realitetin. Prandaj gradualisht ai filloi të moderonte qëndrimet dhe pikëpamjet e tij politike duke kaluar drejt social-demokracisë.

Kjo, me shumë gjasë do të ketë filluar në vjeshtë të 1937-ës. Për shkak se më 5-6 korrik 1937, në bazë orientimit të ri të Kominternit, Ali Kelmendi dhe Llazar Fundo zhvilluan në qytetin e Lionit një takim me shqiptarët antizogistë. Sipas tyre, një rrugë për të depërtuar në masat e popullsisë dhe për të punuar me to për përhapjen e lëvizjes komuniste me mjete legale, ishte krijimi i shoqërive filantropike. Kjo do të shmangte kontrollin e organeve shtetërore dhe policisë.

Por, distancimi i Fundos nga lëvizja komuniste dhe përfaqësuesit e saj, bëri që të dështonte edhe plani për hartimin e një broshure që, pasi të shtypej, do të shpërndahej në Shqipëri. Sidoqoftë, orientimi i ri që erdhi nga Kominterni, ndikoi që lëvizja komuniste të bashkëpunonte me shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke synuar integrimin e saj në hallkat e pushtetit lokal dhe në disa segmente të administratës.

Në një letër tjetër që Koço Tashko i dërgoi Kominternit më 8 qershor 1938, ankohet për Llazar Fundon, i cili kishte filluar të fliste hapur kundër simboleve të komunizmit botëror. Kështu, në një drekë të organizuar nga antizogistët e organizatës “Bashkimi Kombëtar”, Fundo kishte folur kundër Stalinit, duke e cilësuar atë si vrasës. Ai e kishte konsideruar Bashkimin Sovjetik, një burg, i cili, nga pikëpamja ushtarake, nuk ishte në gjendje t’u jepte ndihmë të dobishme lëvizjeve revolucionare.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga italianët në vitin 1939, Zai Fundo u kthye në atdhe ku për një kohë të shkurtër punoi si mësues. Por për shkak të veprimtarisë së tij ai u pa me dyshim dhe pas një viti së bashku me personalitete të tjera si Isuf Luzaj, Safet Butka etj., u internua në ishin e Ventotenes. Me kapitullimin e regjimit fashist, ai u kthye në atdhe, ku u bashkua me lëvizjen antifashiste të vëllezërve Kryeziu në Malësinë e Gjakovës.

Kjo lëvizje mbështetej hapur nga oficerët britanikë. Por për shkak të orientimit të saj anglo-amerikan dhe nacionalist, si vëllezërit Kryeziu ashtu dhe Zai Fundo shiheshin me armiqësi nga emisarët jugosllavë pranë Enver Hoxhës dhe partizanët e Titos. Kjo del hapur nga orientimet e Enver Hoxhës për kapjen, torturimin dhe vrasjen e Zai Fundos.

Pushkatimi i Zai Fundos

Zai Fundon e pushkatuan në mesditën e 23 shtatorit të 1944-ës, Shefqet Peçi ishte prezent në pushkatimin e Fundos.

Zai Fundon, pasi e arrestuan në Malin Dobrej të Tropojës (Malësi e Gjakovës), e sollën të lidhur në Kolesjan të Lumës. Natyrisht që Shefqet Peçi do ë zbatonte urdhrin e Enver Hoxhës, sepse dy ditë më parë, Enver Hoxha kishte nisë radiogramin për torturimin deri në vdekje dhe më pas pushkatimin e Fundos.

Si për ironi të fatit, jashtëkohësi, i kulturuari dhe antikonformisti Fundo, njohësi i shtatë gjuhëve të huaja do të pushkatohej në katundin, në të cilin qe hapur e para shkollë shqipe e visit të Lumës në 1911-ën. Më vonë, Fan Noli, kur mori vesh për ekzekutimin e Fundos, do të shprehej me trishtim të dukshëm: “Ç’i mbetet Shqipërisë po i prishëm njerëz të tjerë të mëdhenj si Fundo?!”/ CNA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco