Stefan Çapaliku në ‘Odeon’: Teatri është një aksion politik, ‘Unë, Fojerbahu’ i drejtohet shoqërisë

21:21, 21/09/2024
A+ Aa A-

“Unë, Fojerbahu” e autorit të famshëm Tankred Dorst me regji të Stefan Çapalikut njohu premierën më datën 19 Shtator në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ngjarja në dramë fillon  kur regjisori i një teatri ka organizuar një audicion, në të cilën paraqitet edhe Fojerbah, një aktor i dikurshëm, i cili ka shtatë vite që është shkëputur nga skena teatrore.

Në rrekjet për t’iu rikthyer dashurisë së pashtershme, teatrit, aktori takon një asistent regjisor, që nuk ia ka idenë kush është ai. Nga këtu zë fill një konflikt i pazgjidhshëm, ngase Fojerbah nuk arrin të kuptojë menefregizmin e asistent regjisorit për teatrin, për shfaqjet e për aktorët.

Më shumë se për problematikat, me të cilat përballet teatri dhe aktorët sot, shfaqja trajton një sërë çështjesh që lidhen me të brendshmen e njeriut, me përpjekjen për zvetënim të vlerës, me mungesën e dëshirës për t’i parë gjërat qartësisht e me vërtetësi, me ndryshimin e vrullshëm me të cilin po përballet bota sot në çdo aspekt.

Regjisori i “Unë, Fojerbahu”, Stefan Çapaliku u shpreh se puna për të sjell veprën ishte sfiduese.

“Sfida fillon në momentin e përzgjedhjes së tekstit, pse ti përzgjedh këtë tekst dhe pse jo një tjetër. Ka disa rrethana që të çojnë te përzgjedhja, rrethana që kanë lidhje me produksionin, që duhet një produksion i vogël, me pak njerëz etj, etj, i varfër në pikëpamjen financiare. Por ka edhe disa kritere të tjera që janë kritere estetike dhe ka disa kritere edhe më të tjera që janë kriteret politike, sepse arti është, veçanërisht teatri është një aksion politik. Në këtë rast unë e njoh Tankred Dorst, e kam njohur edhe personalisht, ai ka vdekur në 2017 pra është një figurë recente.

Kontakti i spektatorit shqiptar me Tankred Dorst ka nisur herët nuk është sot hera e parë. Në vitin ’95 është vënë në skenë në Teatrin tonë Kombëtar pjesa e tij “Fernando Krapp më ka shkruar letër”  ku ka qenë një vënie jashtëzakonisht e mirë e vënë nga profesor Gëzim Kame me Yllka Mujon me Ndriçim Xhepën me Anton Çezarin më vonë kemi një pjesë të dytë të Tankred Dorst që titullohet “Kthesa” është një pjesë e vënë veçanërisht në mjediset e Akademisë së Arteve dhe kjo është hera e tretë ku Dorst paraqitet me " UNË, FOJERBAHU " më këtë që ju sapo patë. Ka qenë një punë e vështirë veçanërisht një sfidë e madhe për aktorin për Ervin Bejlerin, por edhe për të gjithë të cilët i janë gjetur pranë me rolet e tyre, me funksionet e tyre, me karakteret e tyre dramatike.

Ka qenë një sfidë për të ndërtuar një shfaqje kontemporane, pra për ta bërë teatrin edhe një herë një vend ku njerëzit nuk zgërdhihen, nuk qeshin, nuk është një vend ku ti gudulisesh, ulesh në karrige, por një vend që të bën të mendosh, të reflektosh, të kuptosh se po flasim për teatrin por jemi duke folur për mbarë shoqërinë, jemi duke folur për situatën bashkëkohore, jemi duke folur për luftën mes dy kulturave mes konservatores dhe liberales dhe them se ja kemi dalë. Mendoj që ja kemi dalë. Njerëzit sonte besoj që e kanë pritur mirë”, tha Çapaliku. 

Aktorët Ervin Bejleri, Endri Çela dhe koreografia Valentina Myteveli krijojnë një dinamikë të vrullshme nga skena në skenë, ndërsa publiku ndjek me shumë interes lëvizjet e aktorëve e kulmet përgjatë shfaqjes. “Unë, Fojerbahu i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vjen në bashkëpunim me qendrën “Goethe” (Gëte) në Tiranë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco