SYRI TV/ Angjelin Preljocaj rikthen Festivalin e Dancit, koreografi: ‘Liqeni i Mjelmave’ më afër aktuales

22:49, 20/09/2024
A+ Aa A-

SYRI TV

Koreografi shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj rikthen në Tiranë  “Festivalin Ndërkombëtar të  Dancit Bashkëkohor”. Organizimi do të çelet me baletin magjik “Liqeni i Mjelmave”, për të cilin koreografi u shpreh se është më afër aktuales, natyrës, asaj çka përjetojmë në përditshmëri.

 “Festivalit Ndërkombëtar i Dancit Bashkëkohor” rikthehet në këtë sezon të tretë në Tiranë, nën udhëheqjen artistike të koreografit Angjelin Preljocaj. Festivali nis me rikthimin e baletit të ëndërrimeve “Liqeni i mjelmave” që këtë herë vjen me një rikonceptim, ku gërshetohet baleti klasik me dancin kontemporan.

Koreografi e vendos Princeshën e Liqenit të Mjelmave në qendër të problematikave të kohëve moderne.

“Ky krijim vjen në rrënojat e baletit klasik të “Liqenit të Mjelmave”. por sigurisht i ripërpunuar. E kam sjellë si një ndërthurje të baletit tradicional me atë bashkëkohor, bazat janë thuajse të njëjta por tani çdo gjë vjen më kontemporane dhe më e zhvilluar. E gjithë krijimtaria ime e re bazohet në tri pika teksti, konteksti dhe preteksti. teksti është koreografia, preteksti është tema që kam zgjedhur dhe konteksti epoka ku ne jetojmë çdo ditë. E kam sjellë këtë shfaqje sa më afër aktuales, natyrës, asaj çka përjetojmë në përditshmëri”, thotë koreografi.

Pjesë e rëndësishme e këtij Festivali Kontemporan të kërcimit është edhe prezenca e artistëve dhe e korografëve nga bota mbarë, të cilët do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre edhe me artistët shqiptarë të sferës së kërcimit.

“Sivjet u kam dhënë shumë shtysë shumë artistëve shqiptarë, korografëve shqiptarë të fushave të ndryshme që të bëhen në këtë edicion të tretë të Festivalit të Kërcimit. Kur erdha këtu mendova që arti shqiptar e meriton të zbulojë artin kontemporan jashtë mureve të Shqipërisë, por tani që e testova mendoj që artistët e gjithë botës meritojnë të vijnë këtu, ngase është vendi i duhur”, thotë koreografi.  

Edicioni i i tretë i Festivalit po bëhet tashmë një traditë për kulturën, pasi rikthen artistin me famë ndërkombëtare Angjelin Preljocaj për të sjellë copëza të eksperiencës së tij për artistët e rinj. Ky festival do të mbahet nga data 20 shtator deri më 12 tetor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco