VIDEO/ Robert Budina: Drejtësia bëhet në mënyrë politike, luhet me perceptimin dhe jo me krimin!

21:09, 14/09/2024
A+ Aa A-

Tematikat e trajtura në ‘Pikë uji’ ngërthejnë publikun që prej fillimit të filmit e deri në përfundim, ngase qëllimisht realizuesit e tij e kanë lënë filmin pa një fund siç jemi mësuar të shohim një film klasik. ‘Pikë uji’ duket se ka qenë një shqetësim i kahershëm për shoqërinë shqiptare që ka rënë në një letargji të thellë. Budina prek në ‘Odeon’ edhe pjesën se si bëhet drejtësi në vend. Regjisori thotë i indinjuar se drejtësia bëhet në mënyrë politike, e se luhet më së shumti me perceptimin e njerëzve jo me atë që duhet të jetë parësore, me ndodhinë ose krimin.

Pjesë nga biseda:

Egla Xhemalaj: Më lejoni pak të bëj, po e them kështu, një retrospektivë të shkurtër të atyre elementëve që i pashë shumë të rëndësishëm të shkrirë mrekullisht në produksionin tuaj filmik, nga njëra anë ishte drama e ikjes sot ne e dimë që Shqipëria ka mbetur shumë pak, kemi shumë më pak banorë nga çkishim dikur. Kishte pastaj një element shumë të rëndësishëm, ishte mungesa e drejtësisë, apo le të themi kështu, blerja e saj. Këto mundësitë e komunikimit nëpërmjet metodave jo aq të hijshme po themi për një shoqëri të pastër për një shoqëri të denjë. Pastaj nga ana tjetër hynit thellë në psikologjinë dhe ndjeshmërinë e njeriut që i përket dy botëve njeriut të thjeshtë, atij të të përditshmit atij që mbase apo me shumë mundësi, gjithmonë, nuk i jepet mundësia që të jetë pjesë e këtyre strukturave që nga pushteti , po them, dhe këtyre klaneve që përpiqen me çdo instrument që të blejnë dikë qoftë edhe njeriun qoftë edhe shpirtin e tij. Një shumësi tematikash të tjera pastaj që kanë të bëjnë me pronën me shitjen e pronës, me mosmarrjen e pronës nga i zoti është një dramë që na shoqëron ne gjithmonë deri më sot deri në vitin 2024 e për shumë vite besoj do të jetë e tillë e pazgjidhur e deri te konfliktet më të, po them, më banale mes një çifti te komunikimi i ngadaltë e te mosgjetja e një ure komunikimi mes tyre te sakrifica e një nëne që për hir të djalit të vet harron edhe veten, e harron që bota është kaq e egër. Një shumësi tematikash ndoshta dhe shumë të tjera, më ndjeni nëse nuk i ceka të gjitha, por këto mbase ishin ato që vlonin më tepër në film, që më bënë përshtypje sigurisht dhe pjesa pastaj ajo qendrorja ajo rreth së cilës zhvillohet edhe ngjarja ishte një konflikt apo një tragjedi apo nuk po gjej fjalën e duhur mbase për ta përshkruar përdhunimin e një vajze nga dy moshatarët e saj është një periudhë shumë e rëndësishme dhe delikate ajo pubertetit dhe e adoleshencës ku fëmijët nga njëra anë rriten dhe stërviten për të qenë qytetarë të denjë nga ana tjetër pastaj janë këto antivlerat që i mbivendosen atyre dhe për hir të diçkaje apo për hir të diçkaje tjetër ndryshon gjithë rrugëtimi i tyre. Gjithë kjo temë që të ngërthen patjetër, që të prek për nga mënyra se si është trajtuar në gjithë ngjarjen e filmit ka qenë, po them, te ju shqetësim i kahershëm për këtë shoqëri që po degradohet dita ditës?

Robert Budina: Ishte fantastike përmbledhja që ke bërë ishte një state-um, një zë që mbart brenda konkreten dhe e veshur shumë mirë me simbolizmat, me metaforat që ka filmi, dhe që i flet shumë mirë. Absolutisht ky ka qenë qëllimi dhe jam shumë i lumtur që ka komunikuar dhe do t’ju them diçka si e mendoj unë, mendoj se të gjithë problemet që ne kemi kurrsesi nuk mund të vinin të importuara nga dikush.

Ne në mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin i krijojmë këto probleme. Mentalitetin që kemi, kohën nga vijmë, mosprerja e lidhjeve të më të këqijave të komunizmit në kohën e sotme, mosparja e krimeve që kemi bërë në një kohë të caktuar kundër një pjese të njerëzve, marrin konformizmin që absolutisht nga e transmetuar ajo shoqëri, mosfolja për problemet të gjitha këto krijojnë një amalgam dhe një moment të pavolitshëm kur ti do të thuash një të vërtetë të madhe sepse të gjithë kujtojnë se mund të jenë të penalizuar dhe nëse do e lidhja me kohën që jetojmë është... këtu edhe drejtësia për mënyrën se si bëhet bëhet në mënyrë politike, bëhet një drejtësi popullore për të kënaqur këtë ose atë dhe lëvizje, pra nuk janë lëvizje të drejtësisë që futen në thelb dhe merren me një gjë konkrete, po dakord bëjnë një lëvizje të madhe, në kuptimin politik thjeshtë dhe vetëm që njerëzit ta perceptojnë si të tillë. Pra luhet me perceptimin dhe jo me krimin që është kryer ose me mënyrën se si zgjidhet ai.

Tani, këta prokurorët unë jo pa qëllim në vepër kam vënë një prokuror, i cili është absolutisht përpiqet që të bëjë punën e tij është një alien në një botë që askush nuk e dëgjon, për të thënë se nuk janë prokurorët e keqja, është mënyra si ne sillemi me drejtësinë dhe brenda vetes mekanizmi që ndërtojmë me të vërtetën, duam ta mbështesim këtë të vërtetë apo ta lëmë jetime.

Unë kam vënë re se nëse do kishte një opinion, një mbështetje nga opinioni i gjerë për drejtësinë të jeni të bindur që edhe prokurorët do të lëviznin kjo do reflektohej edhe në politike, do reflektohej kudo. Tërheqja e individit përballë problemit, duke u mbyllur, duke ikur e duke kujtuar se do zgjidhet në një formë të çon në këto probleme që ne shohim në film. Pra në thelb fajet nuk janë jetim, ne të gjithë kemi kontribuuar që këto të ndërtohen, dikush ka më shumë, dikush më pak, por ajo pjesë pozitive e shoqërisë duhet të dijë të reagojë.

Preke punën e pronave, sigurisht që është e tillë, sot edhe pas 30 vitesh ka lemerira me pronat, me pronarët, me ligjet që bëhen, zhbëhen, në varësi të interesave të njerëzve që janë në pushtet dhe kjo ka të bëjë prapë me formimin, me kulturën e njerëzve që e kërkojnë, që e duan këtë. Të gjitha këto probleme unë duke i hasur edhe në jetën time si qytetar aktiv, i kam vënë re edhe te njerëzit që ishin në krahun tim që kishte një formim të mangët për sa i përket kësaj dhe duke qenë se ti nuk mund të ndryshosh gjithë botën, absolutisht nuk e ke këtë mundësi sepse jeta kjo është arti është mënyra më e mirë për të dalë sipër fenomeneve dhe për të prekur këto tema kaq të nxehta që i flasin publikut që të japin këtë që ta thuash në një kohë shumë të shkurtër.

Dhe jo vetëm ta thuash, por edhe të prekesh dhe të shohësh pasojën që le një veprim i atij lloji. Prandaj unë zgjodha që mbase me punën time vlej shumë më tepër se ç’mund të vleja në një politikë konkrete e me një gjë konkrete që në fund të ditës mund të ngelej dhe jetime dhe nuk e arrin dot. Kështu që arti është një mënyrë për të zgjuar atë ndërgjegje, jo vetëm të njeriut që do të jetë sot, por edhe të atij që do jetë e do pasojë më vonë. Prandaj dhe është magjia e tij, prandaj dhe veprat e mëdha të letërsisë apo të kinemasë e teatrit nuk vdesin kurrë.

Personalisht shpresoj që të komunikoj me njerëzit sepse përpiqem që në mënyrë emocionale të zbërthej disa probleme që ne i kemi, por që në fund të ditës janë edhe tërheqëse për mënyrën se si zhvillohen ngjarjet. Pra nëse ne do flisnim, në fund të ditës ju e patë që ne nuk bëjmë gjyq ne nuk themi ‘Si ndodhi?’, ‘Kush është realisht fajtori?’ ti e shikon që në film çdo gjë është në dilemë ‘e ka thënë të vërtetën, s’e ka thënë’, ‘e ka kuptuar, s’e ka kuptuar’ , pak a shumë siç ndodh në jetën tonë të përditshme prandaj mendoj se kjo mund të jetë një arsye më shumë për ta thirrur publikun në kinema.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco