VIDEO/ Budina në ‘ODEON’: Historia delikate, takova të dhunuar para xhirimeve, ju siguroj që ...

21:02, 14/09/2024
A+ Aa A-

Regjisori Robert Budina bëri me dije në ‘Odeon’ se para se të niste xhirimet kishte takuar të dhunuar, e se përmes këtij produksioni filmin jo vetëm do të zgjojë ndërgjegjen e njerëzve, por edhe të nxisë një reflektim të thellë që u depërton atyre në botën e brendshme.

Pjesë nga intervista

Egla Xhemalaj: Filmi absolutisht është për një publik të kultivuar, për një publik i cili di të hyjë në thellësinë jo vetëm të qenies, por dhe të problematikave sociale, problematikave filozofike e të një sërë tematikave që janë të ndërtuara imtësisht bukur, me një finesë të jashtëzakonshme që nga gjuha e përdorur, nga skenat e xhiruara, nga ato ndryshimet e vogla të planit, po dhe ato feksje e kohëve. Gjithçka që ndodh është e organizuar, edhe bashkëjeton në një harmoni të jashtëzakonshme. Tani kam dëshirë t’iu pyes pak sa i përket thellësisë. Gjithmonë në produksionet tuaja filmike, e thellësishmja, e njerëzishmja, duket se bërtet më shumë se gjithçka, absolutisht e shoqëruar me ato siç e thashë më herët me problematikat sociale. Në një kohë kur njeriu humb njeriun, në një kohë kur njeriu humb veten a ishte ky film apo më saktë ky prodhim filmik për t’u kthyer te vetja, për të rrëmuar e për të gjetur jo vetëm veten, por edhe tjetrin?

Robert Budina: Të falënderoj për këtë pyetje kaq pikante. Mendoj se kjo ka të bëjë edhe me formimin. Unë kam një ngjarje personale kur kam qenë 15-16 vjeç në kohën e komunizmit dhe im atë ka qenë një oficer i lartë i shoqërisë shqiptare, që ka qenë partizan. E pata pyetur: Pse e çuat Shqipërinë në këtë pikë, - e kuptoja që atëherë që asgjë nuk shkonte. Më tha: Më fal, gabuam, kishim një ideal. Sinqeriteti i tim eti më dha një thellësi, që unë t’i shoh ngjarjet përtej atij. Ka të bëjë shumë kultura. Im vëlla ka qenë aktor në Teatrin Kombëtar, lexoja shumë libra që në atë kohë ishin të ndaluar, për të vazhduar dhe kulmuar që në fillim të viteve ’90 kur kam qenë student dhe akoma pa dalë në demokraci, në pjesët e mia përpiqesha të vija gishtin në ngjarjet që në atë kohë ishin të pamendueshme, por që unë përpiqesha nëpërmjet simbolizmave, alegorizmave t’i flisja kohës, të zgjoja ndërgjegjjen e njeriut për t’i ngjallur atij pjesën njerëzore që t’i kundërvihej kësaj pjesës politike, që në komunizëm sigurisht ka qenë shumë më e fortë. Pra, është një ecje në jetën time, është një formim që ka zgjatur në vite. Unë aty e kam gjetur veten mirë në atë lloj të shprehuri, dhe faktikisht që sot e kësaj dite unë vazhdojë me profesionin tim, ka të bëjë me faktin se Europa mbështet këtë lloj arti.

Pra, mbështet artin kulturë, mbështet artin e filmit indipendent, i cili i flet kohë që duhet të jetë universal dhe që shkon në thellësi të qenies njerëzore në lidhje me kohën që ne jetojmë. Ajo që unë pata nisur shumë vite më përpara, më ka shërbyer që edhe sot e kësaj dite, natyrisht edhe me eksperiencën gjërat jam mprehur më shumë dhe nga vepra në vepër ti kërkon një gjë ndryshe, një gjë akoma dhe më të thellë, një gjë që të trondit, por njëkohësisht është dhe tërheqëse, që përcjellë diçka mbase të fut në një trishtim, pastaj të zgjon nga gjumi. Të bën të futesh në një botë, me të cilën ne duhet të gjejmë forcë me të cilën duhet të përballemi e të themi diçka. Ky është arti që unë mendoj, ky është arti i angazhuar që i reziston kohës, që mund t’i shohësh filmat edhe pas 50 vitesh sepse nuk kupton vetëm filmin dhe ngjarjen, po kupton dhe kohën ku këta filma vijnë. Ashtu siç ne kuptojmë pjesët e antikitetit nga cilat vijnë dhe po të shohësh parimet dhe konfliktet nuk i kanë lëvizur thuajse fare, janë të njëjtat, po qasja me kohët që jetojmë është e ndryshme. Kjo është aryseja pse unë përpiqem të depërtojë thellë, edhe sepse më pëlqen shumë të them të drejtën. Veprat tona nuk mbarojnë kurrë së kërkuari, zgjasin me vite, kanë nevojë për kohën e dekantimit sepse ti mbasi bën një draft-skenari duhet të shohësh reagimet të shkosh më thellë të shohësh çfarë nuk ecën. Në momente të caktuara ti nuk e kupton se ku mund të çedojë ai, kështu që duhet të presësh një kohë. Këto vepra marrin shumë kohë, kërkojnë shumë investim sepse nuk është thjeshtë një vepër artistike, është një studim i mirëfilltë mbi formimin social, politik, kulturo, psikologjik të një vendi, dhe këto kërkojnë kohën e vet.

Ma lidhët pak më parë pyetjen edhe me formimin e publikut. Do të them një gjë. Unë për të bërë këtë histori kaq delikate kam kontaktuar me institucione që merren me rehabilitimin e të dënuarve dhe kam takuar të dhunuar, kam folur me ta. Ju siguroj që edhe viktima që mund të duket më e pashkolluar brenda vetes ka një sensibilitet, ka një njerëzillik që nëse ti di ta zbërthesh nëpërmjet një vepre artistike ai do të dijë të reagojë. Simbolet janë krijuar si rezultat i konkretes. Është një formë më e sofistikuar, por në momentin që ti transmeton emocionin ai e ka kuptuar edhe simbolin, mbase nuk di ta thotë. Desha t’iu them që çdolloj publiku, nëse ti e bënë veprën siç duhet dhe e transmeton e kupton në mënyrë absolute. Unë kam vënë re në këto takime një thellësi të jashtëzakonshme të këtyre njerëzve, që në moment e kanë pasur të pamundur të reagojnë se kanë qenë njerëz të mirë, dhe pastaj ajo ka marrë rrokëpujën më mbrapa dhe është shkaktuar një dramë e madhe, por që në thelb këta njerëz ishin me vlera të jashtëzakonshme brenda vetes, që në një moment ishin goditur dhe ishte një fije që i mbante nga ajo normalja te njerëz me dramë. Po e përmbledh, ne të gjithë e kemi thellësinë. Detyra jonë është ta thërrasim te njeriu këtë thellësi nëpërmjet artit që bëjmë. Këtë e kam si mision dhe kjo është filozofia me të cilën ne punojmë.

EMISIONI I PLOTE

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco