VIDEO-SYRI TV/ Premiera e filmit ‘Pikë uji’ e Robert Budinës, krimi e drejtësia e shitur në shoqërinë shqiptare

11:50, 13/09/2024
A+ Aa A-

Filmi ‘Pikë uji’, prodhimi i fundit filmik i regjisorit Robert Budina u prezantua premierë në Kinema ‘Millenium’. Filmi ngrihet mbi një ngjarje tronditëse përdhunimi, ndërsa  paraqiten edhe dhjetëra shqetësime të qenësishme të shoqërisë shqiptare, që nga ikjet përtej kufijve, drejtësia e munguar e kontrolluar nga shteti, si dhe humbja e vetes dhe tjetrit në kohët moderne.    

Nga Egla Xhemali-SYRI TV

Regjisori Robert Budina shfaqi në kinema Millenium produksionin e fundit filmik që mban emrin ‘Pikë Uji’. Kërshëria për të ndjekur filmin ishte e madhe nga shijuesit e kinemasë.

Një histori tronditëse që hyn deri në skutat më të thella të individit e të shoqërisë shqiptare.  Një grua e quajtur Aida, funksionare e rëndësishme në bashkinë e qytetit i duhet të luftojë pushtetin, pjesë e së cilit është për të mbrojtur të birin Markun, që akuzohet se ka kryer një përdhunim. Personazhit kompleks i krijohet situata të vështira, në rrekjet për të kërkuar drejtësi, në një sistem të korruptuar. E një ditë jeta e Aidës ndryshon katërcipërisht.

Mes dilemash, mendimesh që i mundojnë kokën e shpirtin, gruaja e fortë vizatohet nga skenaristja Doruntina Basha në shumëngjrësinë e realitetit, pa kufizuar koloritet e errëta, po dhe ato që ndriçojnë nën rrezet e diellit. Filmi prek dramën e ikjes së shqiptarëve nëpër botë, problemin e pazgjidhur të pronave, kontrollin e plotë të drejtësisë nga pushteti që shoqërohen dhe nga mosbesimin ndaj medias, konfliktet në çift dhe brejtja e ndërgjegjes.

Gjuha simbolike që ngacmon që në titull, i bën skenat të rrjedhin me një dinamikë të mrekullishme, ndërsa aktorët Gresa Pallaska që interpreton rolin e Aidës, Arben Bajraktaraj, i cili luan rolin e Ilirit, Adem Karagan nën petkun e Elvisit e Gerhard Koloneci në rolin e Benit shpërfaqin krejt natyrshëm karakteret e shoqërisë shqiptare. Shikuesi mbetet i ngërthyer edhe pas përfundimit të filmit, ngase krijon perceptimin e një fundi të mundshëm, ndërsa filmi është një refleksion i thellë për të sotmen e sigurisht edhe për të nesërmen.

Pas prezantimit të ‘Pikë Uji’ në kinema ‘Millenium’ do të ketë një tur në të gjithë kinematë e vendit, për të vijuar rrugëtimin edhe në kinematë e Ballkanit, Italisë ,Spanjës, Gjermanisë dhe Austrisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco