Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

'Nënë Terezë, kush është njeriu më i rëndësishëm? - Ky, me të cilin po flas'

'Nënë Terezë, kush është njeriu më i rëndësishëm? - Ky, me të cilin po flas'

13:17, 26/08/2024
A+ Aa A-

Nënë Terezë, cila është dita më e bukur për ju? -“E sotmja! Sepse mund ta mbush përsëri me dashuri”. Cila është gjëja më e bukur në botë?- “Dashuria. Sepse Zoti është dashuri!” -kujton  Radio Vatikani sot në ditën e lindjes së shenjtores, 26 gusht.

Ata që patën fatin e madh të jenë pranë Nënë Terezës, mblodhën shumë margaritarë të çmuar që, gati vetvetiu, i dilnin nga goja, duke i mbushur me dritë gjestet e saj të përditshme, të vogla e të mëdha.

Njëri prej tyre ishte Kardinali Angelo Comastri,  Vikar i Përgjithshëm Nderi i Papës për Qytetin e Vatikanit, i cili në librin e tij “Njoha një shenjtore”, mes tjerash pohon: "Mendoj se takimi me Nënë Terezën ishte një nga dhuratat e mëdha, që më bëri Zoti. E rrëfej se sa herë e takoja, më ngjallte në zemër një qetësi të pazakontë. Më dukej sikur më zbriste Zoti vetë në shpirt.

Një herë më magjepsi mënyra sesi një gazetar e portretizoi me dy fjalë Motrën imcake: “Nënë Tereza është dritare e hapur, e Zoti doli në këtë dritare  e i buzëqeshi botës”. Më pëlqen shumë ky portret, sepse sa herë e takoja kisha pikërisht ndjesinë fizike të afrimit tek Zoti. Ndjeja se Zoti ishte në shpirtin tim".

Pra, ia vlen të ndalemi një çast e të reflektojmë për pyetjet, që iu bënë e, sidomos, për përgjigjet:

“Nënë Terezë, cila është dita më e bukur për ju?”.

“E sotmja! Sepse mund ta mbush përsëri me dashuri”.

“Njeriu më i rëndësishëm?”.

“Ky, me të cilin po flas.”

“Gjëja më e lehtë?”.

“Të gabosh”.

“E zanafilla e të gjitha të këqijave?”.

“Egoizmi, jam e sigurt”.

“Cila është zbavitja më e këndshme?”

“Puna, sepse pushtohem nga gëzimi, kur u jap pakëz gëzim të tjerëve”.

“Cilët janë profesorët më të mirë?”.

“Fëmijët, ngaqë nuk kanë maska!”.

“Sekreti i lumturisë?”.

“T’u bësh mirë të gjithëve… gjithnjë!”.

“Njeriu më i rrezikshëm?”.

“Ai që shtiret, sepse nuk e di kë ke përpara”.

“Ndjenja më çarmatosëse?”.

“Mllefi, sepse të shtyn të bësh të gjitha llojet e marrëzisë”.

“Cila është dhurata më e bukur?”.

“Fjala, sepse e bën të lum kë jep e kë merr”.

“Gjëja më e domosdoshme?”.

“Familja. Po, familja! Mos harroni se dhurata më e mirë që një atë mund t’u bëjë fëmijëve, është ta dojë nënën e tyre. E dhurata më e mirë, që mund t’u bëjë nëna, është ta dojë fort babain e tyre”. Përvoja  na  e kujton këtë me zë të lartë çdo ditë!”.

“Mbrojtja më e mirë?”

“Buzëqeshja, sepse të çarmatos!”.

“Ilaçi më i dobishëm?”.

“Optimizmi, sepse i shëron të gjitha sëmundjet”.

“Gjëja më  e bukur në botë?”.

“Dashuria. Sepse Zoti është dashuri!”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco