Puthja e parë lezbike në teatrin shqiptar në ‘58, ç'thoshte Tinka Kurti mbi episodin me Roza Anagnostin

Puthja e parë lezbike në teatrin shqiptar në ‘58, ç'thoshte Tinka Kurti mbi episodin me Roza Anagnostin

21:14, 19/07/2024
A+ Aa A-

Kur kthehej mbrëmjeve, ajo ulej, ai dëgjonte dhe shkruante. Vetë s’do të kishte mundur, e rrëmbyer nga pasioni dhe emocionet. Por ai e dinte: dikur ato shënime do të hynin në punë.

Para disa kohësh u promovua libri “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema, mbështetur mbi ditarin e mbajtur nga Palokë Kurti, bashkëshorti i aktores së madhe Tinka Kurti.

Ashtu siç thotë edhe autorja e librit, “Tinka Kurti, te ditari i mbajtur nga bashkëshorti Palokë Kurti, shpreh gjithë kënaqësitë dhe pakënaqësitë, sukseset dhe dështimet, qëllimet a përfitimet që mori nga arti, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë të nënkuptuar. Janë jo pak, por 40 vite ditar, sa gjithë jeta artistike që ka, e cila edhe sot për të nuk ka mbaruar.

PUTHJA E “NDALUAR” ME ROZA ANAGNOSTIN

Ajo tregon për role, për shfaqje, ato të suksesshmet dhe ato të dobëtat, për mendimin që udhëheqja e kohës kishte për të. Ajo pa droje ka pranuar të botojë mendimet që kishte asokohe për Enver Hoxhën dhe rolin që ka luajtur Mehmet Shehu në karrierën e saj.

Ajo po ashtu tregon episode, debate, ngjarje që kanë thyer tabu në kohën e tyre, ashtu siç ishte edhe një puthje në buzë mes saj dhe Roza Anagnostit, gjatë shfaqjes “Banuesët e shkallës nr. 6”, në vitin 1958. Ishte hera e parë që ndodhte një puthje mes femrash.

Ndonëse shfaqja ishte e dobët dhe nuk u fol më për të, ajo puthje mbeti në histori. Në librin e saj, rrëfimin e shkurtër për shfaqjen “Banueset e shkallës nr. 6”, me regji të Lec Shllakut, ku interpretonte rolin e Suzana Sahatçiut, ajo e shoqëron edhe me një foto ku shfaqen aktorët Lec Bushati, Pistol Soja dhe Tinka Kurti duke u puthur me Roza Anagnostin.

“Ndamja e roleve të “Kopracit” ishte një ngjarje me randësi për teatrin tonë. Unë hala në atë kohë isha gjysmë profesioniste dhe as që mendojsha se do të më besonte regjisori ndonjë rol, aq më tepër se në këtë periudhë vihej paralel drama “6 Dashnorët”. Lec Shllaku, regjisori, u justifikue me faktin se; “Nuk të dhashë rol te ‘Kopraci’, se më duheshe për heroinën te drama tjetër”, shfaqje e cila nuk pati fare sukses.

Ndërsa komedia e Molierit, tronditi skenën, me lojën e mrekullueshme të artistit Zef Jubani, aq sa kur e pa shoku Enver shfaqjen, në një takim me punonjësit e fermentimit tha: “Si mundet të ketë në Shkodër perçe, Shkodra, vendi, ku lot kaq bukur Zef Jubani – Harpagonin?!”. Unë pata fatin të los me këtë partner, tue dublue rolin e Marianës, por në kondita shumë të vështira. Trupa e teatrit do të merrej për një turne Durrës – Tiranë dhe mue më urdhëruen të shkojsha në këtë turne, megjithëse kisha djalin 4 muajsh.

Nuk ishte këtu e keqja, pse ato veprojshin jashtë ligjit, por do të lozsha një rol shërbyeseje pa asnjë fjalë e për rolin e Marjanës, do të merreshin aktoren e Durrësit, Vera Vreshtanji, e cila e kishte punue këtë rol, kur ishte në teatrin tonë.

Kjo ishte shumë fyese për mue, të merrej aktorja nga Durrësi, tue qenë unë. Insistova që rolin e Marianës do ta los unë në turne. Na ndanin vetëm 24 orë nga nisja dhe mendoni se në çfarë gjendje isha unë, të përgatitsha fëmijën 4 muajsh, veten apo rolin. Kështu që nuk fjeta gjithë natën. E dhashë premierën në qytetin e Durrësit, por nuk kam dëshirë ta kujtoj atë shfaqje, pasi edhe pranimi i regjisorit për ta luejt unë rolin e Marianës ishte tendencioz për mue.

Ai nuk kishte fare besim tek unë. Sipas tij, unë isha një partnere e dobët për një aktor aq të madh si Zef Jubani. Por qe pikërisht ky rol, shumë ma vonë, që më hapi rrugën e artit. Shoku Mehmet, kur erdhi me pa shfaqjen, e çmoi shumë punën e bukur të Teatrit, punën e Zef Jubanit, e në mënyrë të veçantë edhe mue. Ai kishte pyet njerëzit që e shoqërojshin:

– Kush asht’ kjo aktore? –

Asht’ nji aktore e re, e kemi aktivizue ta provojmë, – u kishin përgjigj ato. Ndërkohë, Mehmet Shehu ishte shpreh tekstualisht kështu:  -Jepini dorën! Kjo do të jetë artistja e ardhshme e Shqipërisë. Fjala e tij mori dhen’ dhe po aq shpejt ndërroi edhe opinioni për mue. Sa e çmueshme ishte për mue kjo fjalë.

Sikur të mos e shifte këtë shfaqje shoku Mehmet dhe mue në këtë rol (se kjo ka randësi), unë ndoshta as sot nuk do të isha aktore. Unë këtu fola shkurt, por nesër do të shkruej për jetën time. Pikërisht në këtë periudhë do ndalesha shumë, sepse me këtë çast u hap një rrugë e re në karrierën time.

Një orë para se të fliteshe kjo gja, unë isha një aktore e zakonshme. Por dhjetë minuta mbasi foli ai, unë isha një aktore e madhe. Edhe ishin pikërisht ata persona, që një orë përpara ishin shpreh “se Tinka asht’ një aktore diletante që po e provojmë”. Sa shumë due me thanë, por tash për tash po e la me kaq”, tregon Tinka Kurti

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco