VIDEO/ Topi në 'Odeon': Ka një mungesë të frikshme interesi për kinemanë, të rinjtë s'kanë modele

21:40, 22/06/2024
A+ Aa A-

Edmond Topi edhe si ish pedagog i filmit nuk u shpreh entuziast për kineastët e rinj. Sipas tij nuk ka interes për të prodhuar filma e për t'u bërë pjesë e botës magjike të tyre. Kineasti tha se të rinjtë e sotëm nuk kanë modele që mund t'i ndjekin.

Pjesë nga biseda:

Egla Xhemalaj: Ju thatë një gjë shumë të rëndësishme, ju thatë që studentët kanë pasur kërshërinë për t’i ndjekur produksionet filmike, kanë diskutuar për to. Si e keni parë ju, Zoti Topi qasjen e tyre ndaj kinemasë? Si i shikoni kineastët e rinj sot? Ka akoma shpresë për filmin shqiptar?

Edmond Topi: Kineastët e huaj apo shqiptarët? Kështu me punë me përpjekje.

Unë nuk jam shumë entuziast. Unë kam qenë vet pedagog i filmit. Ne duhet ti përmendim gjërat me emrin e tyre. Ka një mungesë të frikshme interesi.

Egla Xhemalaj: Është në përgjithësi për artet në fakt.

Edmond Topi: Nuk e gjykoj dot, s’e them dot, mundet të jetë. Unë shoh në ekspozitat e pikturës shumë studentë. Në koncertet e muzikës unë shoh shumë studentë, ndërkohë që në aktivitete filmike apo dhe teatrore unë nuk shoh studentë. Është vërtetë për të ardhur keq që interesi nga studentët e filmit për të marrë pjesë, për të krijuar network-e, për të hyrë në diskutime është krejtësisht minimal. Ka dhe përjashtime sigurisht, por po flasim për të përgjithshmen. Mungesa e interesit pasqyrohet shumë mirë në nivelin që kemi ne në kinema. Shihni filmat e Kosovës se si fitojnë çmime në festivale, se si i kanë kinematë plotë. Buzheti i Ministrisë së Kulturës për projektet kulturore është njëzetë milionë. I joni nuk e prek një milionshin. Në këtë kuptim unë besoj që ka shumë më tepër nevojë për angazhim.

Egla Xhemalaj: Si duhet ngacmuar dëshira e kineastëve të rinj apo atyre që janë ulur në bankat e auditorëve që të kenë këtë kërshërinë për të ndjekur filmat, pse jo pastaj për të hyrë edhe në treg.

Edmond Topi: Është pyetje e vështirë kjo. Ne nuk i ngacmojmë dot ato për sa kohë nuk kemi industri filmi. Kineastët e rinj sot, nuk kanë modele. Ne nuk kemi sot sukses, nëse ato do marrin modele do marrin filmat e këtyre barsoletave që i bashkëojnë dhe bëjnë film. Ky nuk është model nëse do marrin modelin e suksesit të parave, nëse do shohin filmat e mirë ne kemi shumë pak të tillë. Tranzicionin e bëmë keq si në të gjitha fushat e tjera. Unë personalisht e shoh shumë të vështirë këtë. A bëhet? Natyrisht që bëhet, por kjo nuk është  se e them unë në një emision televiziv. Secili nga ne e ka një optikë. Unë besoj se do ndryshuar e gjithë struktura jonë e të menduarit për filmin dhe struktura e ndërtimit të kinematografisë, të cilën ne nuk e kemi. Nëse ne nuk e mbyllim ciklin, studenti shkon në shkollë  pastaj xhiron një film, ai distribuohet, prodhon ca para i kthehen këtij djalin dhe ky një pjesë e investon te tjetri, nëse nuk mbyllet ky cikël që e ka gjithë bota, ne jemi i vetmi vend në të gjithë botën që jetojmë nga prodhimi.  E mendoni ju që pronari i fabrikës së bukës të pasurohet nga prodhimi i bukës dhe jo nga shitja? Ja kështu është kjo. Ne kështu jetojmë nga prodhimi, Prodhohet filmi e ke tëndin dhe nuk pyet më njeri se ç’bëhet. Asnjë producent nuk ka shitur një film, i cili të ketë prodhuar ca të ardhura dhe ti ketë hedhur në filmin tjetër. Kjo është industria e filmit. Që kineastët e rinj të motivohen për të studiuar, për të punuar duhet të kenë modele, të cilat në optikën time mungojnë.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco