VIDEO/ Ekspozita ‘Dikotomi’, Ilir Butka: Ndihem ‘i zhveshur’ para publikut, përjetimi i ngjan poezisë

21:34, 15/06/2024
A+ Aa A-

Piktura, fotografia dhe filmi janë tri mediumet, me të cilat Ilir Butka jeton qëkur ndjeu se do t’i dedikohej tërësisht artit. Një dashuri e hershme, është ajo për të përjetësuar në tablo një grimëçast, që për artistin do të thotë shumë. Butka i kthehet dëshirës për të rigjetur veten përmes pikturës, me një cikël harmonik kushtuar pikturës abstrakte të titulluar “Dikotomi”.

E çelur në Galerinë e Arteve të Bukura, ekspozita e solli piktorin në një dialogim krejt organik me kundruesit dhe krijimet.“Dikotomi” erdhi me gjithë ndjesitë, ngjyrat, aromat, njerëzit e peizazhet te artdashësit. I ftuar në emisionin “Odeon” në “Syri Tv”, Ilir Butka rrëfeu se si erdhën veprat e ekspozuara në FAB, ndërsa në një ndalesë po aq të gjatë sa për pikturën, artisti foli edhe për produksionet filmike shqiptare.

Pjesë nga biseda:    

Egla Xhemalaj: “Dikotomi” është një titull shumë i veçantë, një gjetje shumë qëmtuese nga ana juaj, një gjetje për të përshkruar një ekspozitë që përmban kolorite ngjyrash, por përmban edhe copëza ndjesish që duket sikur ju kthejnë pas, sa në të shkuarën po aq edhe në të tashmen për të krijuar gjithë këtë pazëll të veçantë të kësaj ekspozite. Sii u ngjiz kjo ekspozitë? Unë e di që keni bërë një pushim të gjatë tek piktura, pastaj u rikthyet fuqishëm me këtë ekspozitë, që është e para ekspozitë juaja personale.

Ilir Butka: Ju e thatë shumë mirë pazëll sepse në fakt, është një mozaik punësh të realizuara në këto katër apo pesë vitet e fundit, pas impenjimeve të mia institucionale me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. U përpoqa të rikthehem dhe të rigjej dhe një herë aty ku e kisha lënë fillin e realizimit, kreativitetit, që më lidhte gjithmonë me pikturën idealist, por jo fizikisht. Ishte një moment jo fortë i lehtë sepse kur ti e lë diçka edhe ajo të lë ty. Pas një pune intensive arrita të gjej, të hyj në vibe e pikturës dhe ta rigjej veten edhe një herë. Janë punë të ndërtuara në një koncept të ndryshëm nga ai që kam pasur më parë. Kam qenë goxha figurativ.

Egla Xhemalaj: Tani kapërceni tek abstraksioni.

Ilir Butka: Këtu jam më pak i përgjegjshëm sepse kanë qenë punë, të cilat i bëra me koshiencën e plotë që do ti shikoja vetëm unë. (qesh)

Ndoshta risia e kësaj ekspozite është pikërisht kjo që janë ekspozuar punë thellësisht të miat, jo të bëra për të tjerët. Në një farë mënyre ndihem pak i zhveshur ndaj publikut me këtë ekspozitë, sepse siç e thashë janë të pamenduara për një përgjegjësi të ballafaqimit. Është një varietet në aspektin vizual sepse në fakt është procesi i punës kërkimore që më ka shtyrë, që të kërkoj në disa drejtime të ndryshme që ndoshta nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën, por qëndrojnë si të kundërta edhe si të ndryshme edhe të njëjta. Në një farë aspekti sjellin atë dikotominë, së cilës ju referuat ju më parë. Dikotomi është kuptimi i diçkaje që është e ndryshme, bashkëjeton në një vend.

Egla Xhemalaj: Bashkëjeton në këtë rast në mënyrë harmonike.

Ilir Butka: Duke rezonuar qoftë harmonikisht, qoftë edhe si dizonancë, si dhe si të kundërta, si kontrast. Shpeshherë këtë mund ta gjejmë brenda një kornize, ku unë kam vendosur dyptik ose triptik, shpeshherë qëndron punë të ngjashme, por jo gjithmonë të ngjashme. Diku ka dhe një punë që është totalisht e kundërta, por që përsëri rehatohet bukur pa e kundërshtuar njëra-tjetrën, plotësojnë njëra-tjetrën.

Ndonëse piktori kishte një farë droje për pritjen e vizitorit, ngase nuk e kishte konceptuar për ta shfaqur për publikun, pas çeljes së ekspozitës ai jo vetëm u njoh me vështrime e me qasje të ndryshme, por ndieu se si po kultivohet shijuesi i artit, duke u njohur nga afër me veprat e artistëve. 

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco