Më 2 shtator 1925 u themelua Banka Kombëtare e Shqipnis në Durrës

Më 2 shtator 1925 u themelua Banka Kombëtare e Shqipnis në Durrës

07:10, 02/09/2022
A+ Aa A-

Më 2 shtator 1925, u themelua Banka Kombëtare e Shqipnis me qëndër në qytetin e Durrësit.

Kjo bankë vinte si një nevojë e menjëhershme pas Pavarësisë së vendit, kohë kur në tregun shqiptar kishin filluar të shfaqeshin filiale bankare të shteteve të ndryshme, të cilat kryesisht kishin shtrirje lokale dhe nën patronazhin e bashkive përkatëse.

Bisedimet për krijimin e Bankës Kombëtare filluan që në vitin 1921, kur pjesë përbërëse e monitorimit të krijimit të bankingut shqiptar do të bëheshin ekspertet më të mirë të kohës të dërguar nga Lidhja e Kombeve, njofton Drejtoria e Arkivave.

Ekspertet e panë të udhës që Banka Italiane do të mundej më mirë të ishte tutori i krijimit të bankingut shqiptar dhe për këtë arsye, nisën bisedimet dypalëshe që u finalizuan pas 4 vjetëve me hapjen e bankës.

Për palën shqiptare marrëveshjen e nënshkroi Mufid Libohova dhe për atë Italiane Mario Alberti. Komiteti Administrativ do të kishte qendrën në Romë dhe paraja që do të emetohej në shkurt të vitit 1926, do të ishte “frangu i arit”, me nënfishat e tij, “lekë”. Kapitali i bankës do të ishte 12.500.00 franga ari dhe do të derdhej sipas nevojave të bankës. Kapitali mund të rritej një herë a më shumë, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve.

Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues shqiptarë. Këshilli ia delegonte fuqitë e veta Komitetit Drejtues me dy deri në katër anëtarë. Vetëm në vitin 1938, pala Italiane që mbizotëronte në terma aksionesh, vendosi që godina e re e bankës duhet të ndodhej pranë kryeqytetit dhe jo më në Durrës, në një ndërtesë të projektuar nga arktitekti Morpurgo.

Më poshtë, dy imazhe të Bankës Kombëtare të Shqipnis, përkatësisht në vitet 1928, dhe 1940, një relacion i shkurtër mbi bankingun shqiptar, si edhe dekretligji për krijimin e bankës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco