Më 19 shkurt të vitit 1879, lindi në Shkodër poeti, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe qeveritari, Luigj Gurakuqi.
Vegjëlinë e shkoi në gjirin e një familjeje shkodrane të shquar për aktivitet tregtar. Gurakuqi djaloshar, një prej figurave më poliedrike të kohës së tij, do të formësohej në sajë të edukimit të përftuar nën vrojtimin e të atit, Pjetër Gurakuqit. Pati mundësinë të merrte njohuritë nistore në Kolegjin Saverian, ku shfaqte zelltari në pasurimin e dijenive të tij. Mandej, ndoqi Kolegjin arbëresh, ku pati si mentor rilindasin, Jeronim de Rada.
Në vitet 1901-1906, kreu studimet universitare në Napoli. Më tutje, debutoi me sukses si poet lirik, udhërrëfyer prej poetit të mallit, Filip Shiroka. Me veprën “Vargënimi n'gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frëngjisht n'marim” (Napoli, 1906), Gurakuqi bëri të parën orvatje për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Pak kohë më pas, botoi në Bukuresht veprën “Abetar i vogël shqyp mas abevet t'Bashkimit e t'Stambollit me tregime n'dy dhialektet”, që qendron si gurthemel i të gjithë përpjekeve të tij në drejtim të lëvizjes kombëtare, arsimore e kulturore në epilog të Rilindjes Kombëtare dhe në nisje të zhvillimeve të Pavarësisë.
Si rrallëkush, Gurakuqi mundi të përjetojë në pozitën e ndërvepruesit qendror disa prej ngjarjeve më kulmore të historisë së vendit tonë, në hyrje të shekullit të kaluar. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës: Gjergj Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit. U zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909-n, në cilësinë e drejtorit të së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, kontribuoi në kristalizimin e arsimit mbi baza kombëtare.
Në 1912-n, u angazhua në mënyrë të intensifikuar në organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mëvetësia, u komunikua në deklaratën e formuluar nga Ismail Qemali, të shkruar prej Gurakuqit. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, u zgjodh ministër i Arsimit. Më 1913-n, mori pjesë në Konferencën e Londrës.
Në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës, iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Durrësit (1918), prej nga ku u vendos rikthimi i tij në krye të Ministrisë së Arsimit.
Udhëhoqi revolucionin e qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, ra viktimë e një atentati.
Në foton e përzgjedhur, shfaqet Luigj Gurakuqi duke dalë nga Parlamenti. Ndërsa, gjenden në format dokumenti edhe disa prej faqeve të shkëputura nga "Abetar i vogël shqyp mas abevet t'Bashkimit e t'Stambollit me tregime n'dy dialektet".
© SYRI.net