Pas përfundimit të restaurimit të çatisë, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio, në Korçë hapi dyert për vizitorët, që çdo ditë e më shumë preferojnë të ndalen në qytetin e serenatave. Gjergji Koki dhe vajza e piktorit, Rozeta Mio shprehen se ky objekt mbart vlera të veçanta për qytetin juglindor të vendit tonë.
Nga SYRI TV
Shtëpia muze e piktorit të madh të traditës Vangjush Mios e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019 kishte mbyllur dyert për publikun prej më shumë se 2 vitesh. Banesa karakteristike ku lindi një prej piktorëve më të mëdhenj korçarë u restaurua dhe rihapi dyert këtë prag festash për vizitorët vendas e të huaj.
Kjo shtëpi muze i takon viteve 1840 dhe sipas drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjergji Koki, ky objekt mbart vlera jo vetëm për punimet e Mios, por edhe vlera arkitekturore dhe etnografike në zemër të qytetit juglindor.
Vajza e piktorit, Rozeta Mio kujton momentet kur babai i saj pikturonte dhe shprehet tepër e emocionuar pas restaurimit të muzeut.
Vangjush Mio është një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë i kondideruar si babai modern i peizazhit shqiptar.
Një vlerë e çmuar i shtohet qytetit të Korçës ku artdashësit dhe turistët mund ta vizitojnë këtë muze duke parë qytetet e tyre të pikturuara nën penën e të madhit Vangjush Mio.
© SYRI.net