Rusia sulme me dronë në Ukrainë, në shënjestër ishte edhe Kievi

Sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan 21 nga 22 dronët e lëshuar nga Rusia herët më 9 tetor në rajonet e Kievit, Odesës dhe Vinnytsyas, tha forca ajrore ukrainase, duke shtuar se tre raketa balistike Iskander ishin lëshuar drejt rajonit të Poltavës.

Ndërkohë, autoritetet në rajonin e Kievit thanë se disa dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit ishin rrëzuar.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore shkatërruan 47 dronë ukrainas që synonin rajonet e saj.

Rreth 24 dronë u rrëzuan mbi rajonin jugperëndimor të Bryanskut, ndërsa të tjerët u rrëzuan mbi rajonet e Belgorodit, Kurskut, Rostovit dhe Krasnodarit, si dhe Detin Azov, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në Telegram.

Zyrtarët rajonalë thanë se sulmet nuk shkaktuan viktima.

Pretendimet lidhur me zhvillimet në luftën në Ukrainë nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga REL-i.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.