VIDEO/ Doçi: Skenar terrori nga policia, por nuk do të ndalem së protestuari

Gjatë intervistës në emisionin “Kafe Shqeto” me Flavio Qarrin, Mariglend Doçi, aktivist dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, foli për një incident të fundit me policinë. Ai tregoi se, pavarësisht se nuk kishte asnjë njoftim zyrtar apo akuzë kundër tij, policia ishte paraqitur në shtëpinë e tij me automjete dhe një prani të fortë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe frike në familje.

Doçi theksoi se nuk ka asnjë lidhje me aktivitete kriminale dhe se ky veprim i policisë ishte një përpjekje për të ushtruar presion ndaj tij për shkak të angazhimit të tij në protestat e opozitës. Ai konfirmoi se do të vazhdojë të marrë pjesë në çdo protestë të organizuar nga opozita, pavarësisht këtyre përpjekjeve për ta intimiduar.

“Nisa në mënyrë normale ditën e djeshme, kur u njoftova nëpërmjet mediave për disa aksione të ndërmarra nga policia, të cilët kishin arrestuar 4 persona, proceduar 3 të tjerë dhe shpallur në kërkim 9 të tjerë. Midis këtyre emrave nuk pashë askund emrin tim. Unë jam një person që informohem vazhdimisht nëpërmjet portaleve për ngjarjet e fundit dhe nuk e kisha hasur askund emrin tim.

Nisa rutinën time të përditshme dhe, madje, në momentin kur policia u afrua tek shtëpia ime, isha në një servis makinash. Më telefonoi nëna ime dhe më tha që kishte ardhur policia. Një ngjarje e pazakontë për familjen tonë, pasi ne nuk jemi familje kriminale, nuk merremi me trafik siç merren familjarët e ministrave, kryeministrit apo drejtorëve e të tjerë. Ne nuk kemi të bëjmë me asnjë veprimtari të paligjshme, ndaj nëna ime ishte shumë e trembur. Policia kishte ardhur në oborrin e shtëpisë me rrëmujë, me automjetet e tyre dhe me skenat që bëjnë për të ushtruar terror. Kjo ishte thjesht një skenë terrori për të treguar se ai që del në protestë, kjo e gjen, për të treguar forcën e tyre.

I thashë nënës t’ia kalonte telefonin personit që ishte paraqitur aty. Ajo ma kaloi, dhe ai u prezantua me emër, duke thënë se ishin nga komisariati i Kurbinit dhe kishin urdhër të më shoqëronin. Në rregull, i thashë, të lutem më trego një dokument ku thirrem nga komisariati juaj. Ma lër dokumentin në shtëpi dhe, në momentin që unë do të njihem me çfarë akuzohem apo thirrem, do të paraqitem patjetër në institucionet përkatëse.

Jo, më tha polici, nëse të gjejmë diku, do të të shoqërojmë. Unë nuk jam në kërkim, bëhet fjalë për protestën e opozitës, nuk e mohoj, dhe do të jem në çdo protestë që thërret opozita.”- u shpreh Doçi.