SYRI TV/ Protesta e opozitës, policia procedon protestuesit

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht disa nga qytetarët të cilët morën pjesë në protestën e opozitës të hënën e 7 tetorit. Protestuesit janë proceduar për disa vepra penale, por në një njoftim të policisë nuk lihet pa përmendur dhe dëmtimi i 10 efektivë të policisë, ku 7 prej tyre janë larguar nga spitali brenda pak minutash. Por teksa policët i konsideron si të plagosur të protestës, për qytetarët policia e Tiranës thotë se ata janë vetëofruar për të marrë mjekim, duke mos i llogaritur në bilancin e personave të plagosur në protestë.   

SYRI TV

Pas protestës së opozitës Policia e Shtetit ka nisur raprezale ndaj protestuesve. Deri më tani është arrestuar një protestues, 3 janë proceduar në gjendje të lirë si dhe ka shpallur në kërkim 9 të tjerë vetëm se morën pjesë në protestën e Opozitës. Në pranga është vënë Xhevahir Rrushi, 57 vjeç i cili akuzohet për ‘Goditjet për shkak të detyrës’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’. Në gjendjë të lirë për ‘Goditje për shkak të detyrës’ dhe ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’, janë proceduar 3 persona midis të cilëve dhe dy të mitur. Ndërkohë për 9 protestuesit që janë shpallur në kërkim, policia ka ngritur ndaj tyre 9 akuza.

Por ajo që bie në sy është qasja ndaj policëve dhe qytetarëve protestues. Në të njëjtën linjë si ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, blutë e Tiranës thonë se janë 10 policë të plagosur, megjithëse 7 prej tyre janë larguar nga Spitali Traumës pak minuta pasi kanë marrë shërbimin mjekësor nga mjekët. Ndërsa cilësohen të dëmtuar e plagosur efektivët e policisë, që lan spitalin vetëm disa minuta pas paraqitjes, jetët e qytetarëve të plagosur janë të parëndësishme për Policinë e Shtetit, ku edhe në njoftimin për mediat konsiderohen si tre protestues që kërkuan ndihmë.

Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 shtetas (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë dëmtuar me lëndë plasëse (molotovë) dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Megjithëse policët dhe qytetarët kanë marrë ndihmë në të njëjtin spital, për policinë qytetarët protestues nuk hyjnë tek personat e dëmtuar. Dhe vetë ministri i Brendshëm i pyetur mbrëmjen e së hënës për qytetarë të plagosur, tha se nuk kishte informacion, megjithëse ashtu siç kërkoi informacion për efektivët e policisë mund të kërkonte informacion dhe për qytetarët dhe t’i takonte ata.

Një prej rasteve me flagramnte të mohimit shtetëror është ai i djegies së Kujtim Emirit, i cili është paraqitur në spital me djegie të rënda. I moshuari u dogj nga Policia, e cila i hodhi molotov edhe pse nuk ishte duke kryer asnjë akt të kundraligjshëm.