VIDEO/ Boçi: Opozita do të vazhdojë përballjen, ndërkombëtarët duhet të reagojnë ndaj qeverisjes

I ftuar në edicionin informativ “ORA19” në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, drejtuesi i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi, diskutoi mbi protestën e fundit dhe qëllimet e saj.

Sipas Boçit, pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe risitë në mënyrën e organizimit të protestës tregojnë se qytetarët janë të vendosur të përballen me regjimin aktual. Ai theksoi se mekanizmat propagandistikë të qeverisë, siç ishte rasti i sajesës së një lindjeje në rrugë, nuk do të ndalojnë intensifikimin e protestave dhe betejës opozitare. Boçi gjithashtu bëri të ditur nisjen e një turi komunikimesh me ndërkombëtarët, për t’i bërë të qartë situatën e fuzionit të krimit me qeverisjen në Shqipëri, duke kërkuar një reagim të fortë dhe të qartë nga komuniteti ndërkombëtar.

'Duke u nisur nga ajo çfarë biseduam sot në mbledhjen e drejtuesve të qarqeve, në përfundim, protesta, si formë e mosbindjes civile, arriti qëllimet e saj. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte e madhe dhe mënyra sesi u interpretua protesta ishte një lloj risie që u përshëndet dhe u përqafua nga të gjithë qytetarët që na ndoqën gjatë marshimit tonë. Madje, një pjesë e tyre realizuan akte sipas shkallës së zemërimit dhe revoltës së tyre. Ndërkohë, mesazhet tona për përqendrimin në institucionet kryesore dhe mënyra si u organizuan qytetarët ishin shumë të qarta për kryeministrin dhe për domosdoshmërinë e një reflektimi të thellë të kësaj qeverisjeje.

Mekanizmat që përdor mazhoranca janë mekanizma që shkojnë nga propaganda e përpunuar deri te përdorimi i banalitetit, siç ishte rasti i sajesës së një lindjeje në rrugë për shkak të bllokimit të rrugëve nga qytetarët, që u sqarua më vonë.

Është një lloj beteje që vazhdon dhe do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, por unë mendoj se duhet të qëndrojmë indiferentë ndaj këtyre interpretimeve dhe të vazhdojmë rrugën tonë të drejtë, rrugën e përballjes, duke shtuar intensitetin e protestave tona.

Pjesa e komunikimit, që u theksua sot nga kryetari i Partisë Demokratike, është e domosdoshme. Do të nisë një tur komunikimesh me të gjithë ndërkombëtarët për t’u bërë të qartë situatën në Shqipëri, për fuzionin e krimit me qeverisjen, metodat dhe mjetet që Rama përdor në fushatat zgjedhore, të dëshmuara edhe në raportet e OSBE-ODIHR-it. Qëllimi është që ndërkombëtarët të kenë një pamje të qartë të situatës dhe të reagojnë, duke mos qëndruar më të heshtur, e duke mos bërë deklarata vetëm kur opozita ndërmerr aksione politike brenda dhe jashtë parlamentit. Ata duhet të vëzhgojnë në mënyrë objektive atë që ka bërë qeveria, e cila ka detyruar opozitën të përdorë këto forma të aksionit politik.'- u shpreh Boçi.