Kosova rrit me 20% pensionet/ Berisha: Rama e urren Kurtin se ai nuk vjedh. PD zotohet se s'do ketë pension nën 200 euro

Në tubimin e tij të përnatshëm në “Rrugën e Shpresës”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dha një mesazh të fortë për pensionistët dhe qytetarët shqiptarë.

Ai shprehu shqetësimin e tij për trajtimin e pensioneve nga qeveria dhe premtoi rritjen e tyre, duke e quajtur të papranueshëm nivelin aktual të pensioneve.

Berisha solli në vëmendje një pensionist nga Vlora si simbol të luftës për të drejtat e pensionistëve dhe akuzoi qeverinë e Edi Ramës për përçmim dhe tallje me ta.

FJALA E BERISHËS:

Të dashur miq, jam prekur thellë tek shihja ata mijëra e mijëra burra e gra të moshuar gjithashtu në mosbindje civile.
Tek dëgjoja pensionistin nga Vlora që kishte ardhur me biçikletë, një hero i vërtetë.
Por unë e kam një zotim solemn, se pension nën 200 euro në Shqipëri nuk do ketë.
Të dashur pensionistë, Edi Rama u tall me ju, u përçmoi ju, por nuk përçmoi dhe nuk u tall vetëm me ju, por me çdo shqiptar, me çdo qytetar të këtij vendi që u nderon ju, që ka mirënjohje të pakufishme për atë që keni bërë.
Ju premtoj në mars rritjen e pensioneve, gjer në tetor nuk rriti një qindarkë dhe nga fondi 38 milionë, shpenzoi për 3 muajt e fundit të vitit për 4 përqind indeksim të pensioneve, për 700 lekë që u dha, gjithsej 16 milionë euro.
Të dashur miq, do u informoj sot se dje qeveria e Kosovës vendosi dhe deklaroi se pensioni bazë, dmth pensioni i atyre që nuk kanë bërë një ditë punë, por që kanë arritur moshën e pensionit, se pensioni sipas viteve të punës, pensioni i invaliditetit, çdo pension do rritet jo 1 apo 3, 4 përqind, jo 700 apo 1 mijë, por do rritet 20 përqind.
Dhe, që ta dini mirë, fondi i përgjithshëm i pensionit në Kosovë gjer ditën e djeshme ishte 500 milionë euro.
Qeveria e Kosovës, në një akt të lartë përgjegjësie, e rriti atë jo me 16 milionë, siç bëri ky i pashpirti, e rriti me 100 milionë euro. E rriti me 20 përqind. E rriti në 600 milionë euro.
Të dashur pensionistë dhe pensioniste, Shqipëria ka një buxhet fiks dy herë më të madh se Kosova, por problemi është se Kosova ka vjedhjet, ryshfetet 5 herë më të ulëta se Shqipëria.
Problemi është se qeveria e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës paratë nuk i kthejnë në pasuri të tyre, por i kthejnë në rroga dhe pensione për qytetarët.
Problemi është se ryshfeti në Kosovë është pesë herë më i ulët se sa në narkoqeverinë e Edi Ramës.
Shkurt miq, Edi Rama e urren Albin Kurtin se ai nuk vjedh qytetarët e Kosovës siç vjedh Edi qytetarët e Shqipërisë.