VIDEO/ Shehu: Shqiptarët u ngritën për rivendosjen e demokracisë dhe dinjitetit kombëtar

Gjatë ditës së 281-të të tubimit qytetar në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, deputeti demokrat Tritan Shehu theksoi rëndësinë e lëvizjes së madhe të mosbindjes popullore që ka filluar në Shqipëri.

Ai nënvizoi se shqiptarët u ngritën në protestë në kërkim të të drejtave të tyre dhe lirisë, duke sfiduar regjimin aktual. Shehu deklaroi se ky moment shënon një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së demokracisë dhe vlerave evropiane në vend.

Ai e cilësoi këtë lëvizje si një shprehje të forcës, dinjitetit dhe qëndresës së popullit shqiptar, duke shprehur besimin se qytetarët do të vazhdojnë të luftojnë për një Shqipëri më të mirë dhe më të drejtë.

 

'Mbrëmë Shqipëria buçiti, sepse njerëzit u ngritën, njerëzit vranë frikën, njerëzit kërkuan të drejtën e tyre, liritë thelbësore, kërkuan atë që është më e rëndësishme, në një vend evropian, të jetojnë si njerëz. Si njerëz të vërtetë , të denjë për të jetuar, të denjë për tu respektuar, të denjë për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Të dashur miq, shqiptarët dje u ngritën, filloi lëvizja e madhe, e mosbindjes popullore, filloi lëvizja e madhe e kundërvënies me regjimin, filloi ajo e cila do të shkojë padyshim në rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, në rivendosjen e vlerave, në rivendosjen e aspiratave tona evropiane.

Ju dhatë disa mesazhe të mëdha, rezistencën, qëndresën, forcën, dinjitetin, por dhatë dhe qartësinë e madhe politike dhe vizionin tepër të rëndësishëm, se ju, ne të gjithë së bashku këtu, prej 281 ditësh po kërkojmë, lironi Sali Berishën.'- u shpreh Shehu.